E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët e Fierit protestojnë: Nuk ikim nga "Gjanica", në një mensë punëtorësh

Bashkia ka urdhëruar dyndjen e tregtarëve deri më 9 shkurt
Janë rikthyer bujshëm në protestë, tregtarët ambulantë të tregut industrial të vendosur pranë lumit "Gjanicë". Ka qenë një deklaratë e fundit nga zyrtarët e Bashkisë Fier për largimin përfundimtar dhe zhvendosjen e tregut, ajo që ka indinjuar tregtarët. Këta të fundit shprehen se ambienti që u është ofruar për tregtim pranë ish- godinës së "Vefa"- s, nuk plotëson asnjë kriter, ndërsa nga përfaqësues të bashkisë kjo teori hidhet poshtë dhe deklarohet se tregtarët kanë nënshkruar një kontratë, e cila parashikonte të gjitha kriteret. Vetë tregtarët, me tone tepër të ashpra i janë kundërvënë nënkryetarit të bashkisë, Jani Fulit, i cili ka pritur edhe një përfaqësi të tyre. "Na keni premtuar se do të na siguronit një treg bashkëkohor me parametra europianë. Vendi që na është ofruar, pranë ish "Vefa"- s është i papërshtatshëm për tregtim, pasi nuk ka asnjë kusht dhe vendi është tepër i ngushtë. Ajo godinë është thjesht një mensë punëtorësh e asgjë më shumë", janë shprehur përfaqësuesit e tregtarëve, të cilët janë pritur në mjediset e brendshme të bashkisë nga nënkryetari Fuli. Ky i fundit, pasi ka dëgjuar të gjitha ankesat e shitësve të këtij tregu, i cili nuk është miratuar kurrë, është shprehur se bashkia e Fierit ka marrë parasysh gjithë kërkesat e tyre, kur ka vendosur ti zhvendos prej tregut, duke qenë se kjo zonë nuk është shumë e sigurt për ushtrimin e aktivitetit. Fuli është shprehur se nënshkrimi i kontratës nga ana e tregtarëve me bashkinë, për zhvendosjen e tyre është bërë brenda të gjitha normave e ligjeve në fuqi, ndërkohë që një kundërshtim i tillë, nuk është aspak i drejtë. "Vendi ku ju tregtoni aktualisht është pjesë e planit rregullues të qytetit dhe domosdoshmërisht do të lëvizë prej aty. Ishit ju që nënshkruat marrëveshjen me bashkinë për vendosjen në tregun e ri, marrëveshje e cila do të zbatohet brenda 9 shkurtit. Ai plotëson gjithë standardet e kërkuara dhe është brenda gjithë parametrave për një shitje normale", ka deklaruar nënkryetari i bashkisë, Fuli ka siguruar tregtarët se zgjidhja që ata kanë bërë është optimalja për të gjitha palët, ndërsa ka thënë se 9 shkurti do të jetë dita kur tregu pranë Gjanicës do të boshatiset me çfarëdolloj kostoje.
Protestat e vazhdueshem të tregtarëve
Janë rreth 300 tregtarë, të cilët në një afat kohor prej më shumë se dy vitesh kanë vijuar ecejaket në marrëdhëniet me bashkinë. Kjo e fundit u ka lënë tregtarëve 9 shkurtin, si ditën e fundit për pastrimin e hapësirës publike, me qëllim investimin në këtë territor, që është një pjesë e rëndësishme e planit rregullues të qytetit. Vetë vendosja e tregut buzë lumit "Gjanicë" jo vetëm që nuk i përshtatet qytetit të fierit, por edhe për tregtarët nuk ka rezultuar një zgjedhje e frytshme. Shpeshherë, vërshimet e lumit kanë përmbytur tregun e kanë marrë me vete edhe mallrat e tregtarëve, por këta të fundit vazhdojnë të ngulin këmbë se do të shesin në të njëjtin vend, duke shkelur gjithë rregullat e normat e tregtimit. E megjithëse, sipas bashkiakëve për vite me radhë kanë ushtruar aktivitetin e jashtëligjshëm në këtë vend, tregtarët pranë lumit "Gjanicë" vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, të drejta që nuk bazohen në asnjë ligj e urdhër të Bashkisë Fier. Pikërisht dje, këta tregtarë kanë zapturar mjediset e bashkisë, pasi data 9 shkurt po afron, dhe largimi është fare pranë. Pas gjithë akuzave të ndërsjella, zyrtarë të bashkisë, të cilët nuk kanë dashur të identifikohen kanë deklaruar se tregtarët kanë bërë transaksione me këtë sipërfaqe, pronë publike, duke vepruar jashtë çdo ligji dhe rregulloreje.

Email This Klikime: 10

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›