Tregtari denoncon dhunën e Policisë Bashkiake, i bllokoi gomën e makinës
TIRANE - Tregtari nga Tirana denoncoi dje dhunën që sipas tij, ka ushtruar Policia Bashkiake e kryeqytetit pas një gjobe dhe bllokimit të rrotës së makinës. Ylli Hoxha, rreth 47 vjeç banues në kryeqytet, denoncoi dje në policinë e Tiranës grupin e gatshëm të Policisë Bashkiake, i cili sipas tij, e kishte shoqëruar ndërsa gjatë rrugës ka ushtruar dhunë ndaj tij. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 11:30, në rrugën e tregut çam në Tiranë, ndërsa tregtari kishte parkuar automjetin e tij për pak sekonda për të paguar energjinë elektrike. Ai e ka parkuar makinën përkrah mjetit të Policisë Bashkiake, që ishte parkuar po ashtu në rrugë si automjeti tij. Ylli Hoxha tha dje se, kur ka dalë nga zyrat e KESH-it të zonës, ka vënë re se mjetit të tij, i ishte vënë një bllokues dhe ai ishte gjobitur me një masë prej 3 mijë lekësh të reja, me argumentin e zënies së hapësirave publike. “Iu luta punonjësve të Policisë Bashkiake që t’ua paguaja gjobën në dorë, por ata u larguan duke qeshur me ironi”, tregon Ylli Hoxha, tregtar policash sigurimi. Më pas ai pretendon se kur policët bashkiakë janë larguar, ai ka vënë re se bllokuesi i gomës ishte gjysmë i hapur. “Mendova se e kanë vënë për të frikësuar dhe po mendoja të paguaja gjobën, por edhe duhej të shkoja në punë”, shton Ylli. Më tej ai tregon se sapo ka prekur bllokuesin atij i janë hedhur në shpinë katër policë bashkiakë. “Më morën nga vendi ku isha deri tek furgoni e për kaq kohë nuk mbaj një moment që të mos më kenë goditur punonjësit e policisë bashkiake”, pretendoi Ylli Hoxha ditën e djeshme. Sipas tij, të gjitha veprimet e grupit të gatshëm ai i ka të dokumentuara dhe tashmë ka deponuar një kallëzim në policinë e Tiranës, ndërsa një të tillë ka pohuar se do ta dorëzonte gjatë ditës së sotme në prokurori. Ai tha se, është mbajtur për dy orë në Policinë Bashkiake, dhe sipas tij, punonjësit kërkonin që ai të nënshkruante një deklaratë ku të kërkonte falje ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake. I pyetur nga gazeta “Panorama”, shefi i Policisë Bashkiake të Tiranës, Ndrecë Deda, tha se nuk kishte dijeni për rastin në fjalë. “Nëse qytetari ka ndaluar mjetin e tij në rrugë, sipas Kodit Rrugor dhe sipas ligjit të Policisë Bashkiake ai duhet gjobitur”, shton Deda. Më tej ai pohoi se, reagimi i vartësve të tij ka ardhur pas tendencës për të prishur këmbëzën e bllokimit të gomës. d.b