Tregtia e armëve, Tahiri: Të përfshirë njerëz të lidhur me pushtetin, si në Gërdec
Nënkryetari i Grupit parlamentar Saimir Tahiri ka bërë një thirrje publike drejtuar ministrit Arben Imami që të mos manipulojë dhe të fshehë dokumentet e lidhura me tregtinë e armëve, por të tregohet transparent duke lejuar kontrollet e kërkuara nga PS.
Po ashtu deputeti socialist ka deklaruar gjatë prononcimit të tij për mediat se dorëheqja e kreut të SHIU-t Ylli Zyla tregon edhe njëherë përfshirjen e zyrtarëve të lartë në tregtinë e armëve, në një skemë të ngjashme me atë të Gërdecit.
Deputetët socialistë të Komisionit parlamentar të Sigurisë kanë kohë që këmbëngulin në kryerjen e një kontrolli në institucionin e mbrojtjes.
Besoj jeni në dijeni të skandalit më të fundit lidhur me tregtinë e armëve nga shteti shqiptar, Ministria e Mbrojtjes, si dhe dyshimeve të forta për trafik të paligjshëm armësh, të cilat janë bërë publike nga media dhe janë denoncuar po kështu edhe nga opozita. Siç jeni vënë në dijeni edhe për përfshirjen e familjarëve, gruas së vetë Drejtorit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, nëpërmjet një kompanie që organizonte dhe zhvillonte tregti armësh nga dhe nëpërmjet Shqipërisë. Është pak tju them, por është e njëjta skemë që ngjason si dy pika uji me skemën e Gërdecit ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm. Njëlloj edhe atëherë edhe sot zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe familjarë të zyrtarëve të lartë të lidhur me pushtetin politik janë të përfshirë në tregti armësh dhe me dyshime të forta për trafik të paligjshëm armësh.
Vetë dorëheqja e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Ushtrisë me një tekst të thatë ku më shumë kishte lëvdata për pushtetin politik sesa kishte shpjegime për akuzat publike të bëra ndaj tij dhe përfshirjes së familjarëve të tij në tregtinë e armëve. Nga njëra anë dëshmon vërtetësinë e të dhënave që janë bërë publike në lidhje me përfshirjen e zyrtarëve të lartë dhe familjarëve të tyre në tregtinë e armëve. Dhe nga ana tjetër duket se ka pasur një koperturë të fortë politike, ndoshta të vetë ministrit Imami, po edhe të pushtetarëve të lartë deri edhe tek kryeministri vetë, tha Tahiri.
Partia Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste në Komisionin e Sigurisë kanë kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë këmbëngulëse për muaj të tërë kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, duke përfshirë edhe praktika të tilla që kanë të bëjnë me tregtinë dhe pse jo me trafikun e paligjshëm të armëve. I bëjmë thirrje edhe njëherë ministrit Imami të lejojë me çdo kusht kontrollin parlamentar të Komisionit të Sigurisë dhe të deputetëve të Partisë Socialiste në Ministrinë e Mbrojtjes për të hetuar gjithçka gjendet në Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me tregtinë e armëve dhe dyshimet publike për trafikun e paligjshëm të armëve. Njëkohësisht i bëjmë thirrje Imamit të qeverisë të mos ta përdorë dhe të mos ta konsiderojë Ministrinë e Mbrojtjes një bunker të tij personal dhe as tankun e radhës ku të lëshojë topat e baltës së radhës ndaj opozitës. Siç i bëjmë thirrje që ndërkohë të mos manipulohet dokumentacioni në Ministrinë e Mbrojtjes. Të mos të fshihet apo të manipulohet praktika e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me tregtinë e armëve dhe çdo shkresë tjetër që ka të bëjë me tregtinë e armëve, që duhet ti nënshtrohet kontrollit parlamentar nga Komisioni i Sigurisë dhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në këtë komision.