“Tregtia e armëve e ligjshme - PS-ja po trillon konspiracione”

Ministria Mbrojtjes u kundërpërgjigjet akuzave të PS: “Raportojmë në OKB e NATO”
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish lidhur me akuzat e bëra nga Partia Socialiste për trafik armësh dhe municionesh luftarake, duke i cilësuar ato të pavërteta. Në një konferencë shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, deklaroi se se aktiviteti i ligjshëm tregtar i shitjes së armëve dhe municioneve është bazuar tërësisht në ligjin e brendshëm dhe ligjet ndërkombëtare.
Për konferencat e përditshme të opozitës, zëdhënësja e dikasterit të Mbrojtjes Lorisa Ylli theksoi se, “Partia Socialiste vijoi me serialin e shpifjeve duke dezinformuar opinionin publik për kontrata të tregtisë së armëve, kontrata të mbështetura plotësisht në ligj dhe në interesin më të mirë të vendit”.
Ndërsa për ekspozimin e dokumenteve të klasifikuara sekret nga ana e deputetit të Beratit, Ministria e Mbrojtjes ka informuar publikun dhe deputetin socialist se ka shkelur gjer më sot tre ligje. Dhe për këtë arsye deputeti Braçe do të përgjigjet përpara ligjit për nxjerrje të dokumenteve të cilësuara sekret.
Ndër të tjera zëdhënësja e ministrit Imami nënvizoi faktin që, “deputeti Braçe nuk mund të justifikohet se nuk ka qenë në dijeni të shkeljes së plotë të këtyre ligjeve. Në përgjigje të shkresës së tij, nr. 1447, datë 28. 05. 2012, Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, me shkresë Nr. 4146, datë 04. 06. 2012, e ka bërë me dije se dokumentacioni i kërkuar nga zoti Braçe nuk mund të përcillet me shkresë zyrtare, pasi do të ishte dhunim i ligjeve të mësipërm. Me po këtë shkresë, jeni ftuar që në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, me dyer të mbyllura, tu vihej në dispozicion i gjithë dokumentacioni i kërkuar”.
Sipas Ministrisë Mbrojtjes, interesi i Partisë Socialiste “nuk është e vërteta, por shpifjet, trillimet e mashtrimet. Në vend që të vinit dhe të shqyrtonit të gjithë dokumentacionin në mënyrë integrale, ju vidhni letra poshtë e lartë duke dezinformuar opinionin publik, e duke u bërë qesharak, sepse nuk keni idenë minimale se çfarë letrash lexoni. Ju bini nga një gafë në tjetrën, sepse nuk denjoni të zotëroni dokumentet shtetërore në rrugë ligjore”.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes, në respekt të opinionit publik ka sqaruar se aktiviteti i ligjshëm tregtar i shitjes së armëve dhe municioneve është i bazuar tërësisht në ligjin e brendshëm dhe në ligjin ndërkombëtar. Ky aktivitet është i vendosur mbi baza të qarta ligjore dhe është po aq normal sa edhe çdo aktivitet tjetër me natyrë kontraktuale që ushtron shteti shqiptar.
Ndërsa për deklaratat e Partisë Socialiste për blerje të armëve nga Serbia, sipas Ministrisë së Mbrojtjes ato “janë shpifje të neveritshme. Ashtu siç dëshmohet nga dokumentet që tunden nga zoti Braçe, destinacioni i këtij malli është Gjeorgjia. Një vend mik, aspirant për anëtarësim në NATO, me kontribute edhe jashtë mundësive të saj në frontet e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjeorgjia, është pjesë e interesave strategjike të Republikës së Shqipërisë. Nëse Partia Socialiste është kundër marrëdhënieve të Shqipërisë me Gjeorgjinë, ka vetëm një arsye. Ata e dinë shumë mirë cila është ajo. Fatkeqësisht, kjo kontratë nuk u realizua, e theksojmë, nuk është realizuar, pasi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë është treguar skrupuloze në verifikimin e plotë të të gjithë këtij aktiviteti. Kjo është raportuar nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve tek institucionet përkatëse brenda vendit dhe në OKB”.
Në fund zëdhënësja e ministrisë së Mbrojtjes deklaroi se PS ka ngritur një serial shpifjesh, duke ngritur teori konspirative, për fakte që janë publike.
Gjithashtu ministri a e mbrojtjes ka konfirmuar se, “ o, Ministria e Mbrojtjes i ka shitur armë Jemenit, në përputhje të plotë me ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ky fakt është raportuar në OKB dhe është i publikuar në raportin e AKSHE, të cilin mund ta gjeni lehtësisht në internet”.
Ndërsa ka hedhur poshtë akuzat e PS pasi në kohën e lidhjes së kontratës, nuk ka pasur as edhe një shenjë të ndonjë lufte civile në Jemen, përveç faktit të luftës së autoriteteve ndaj terrorizmit dhe Al Kaedas. Për sa u përket kompanive ndërmjetëse, ato përzgjidhen nga përdoruesi i fundit, i cili është shteti porositës, pra blerësi, jo nga shitësi, Ministria e Mbrojtjes në këtë rast. Gjithsesi ato janë verifikuar nga agjencitë e inteligjencës dhe rezulton se nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë, as e OKB-së, as e Departamentit Amerikan të Shtetit, as BE-së dhe as e OSBE-së.