Berisha: Shqipëria në krye të rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja
QKL, certifikohet për cilësinë e menaxhimit ISO 9001 nga kompania LRQA
Qendra Kombëtare e Licencave dhe lejeve certifikohet për cilësinë e menaxhimit ISO 9001, nga kompania prestigjioze Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA), e njohur në fushën e menaxhimit të riskut, sigurisë, garantimit të cilësisë dhe klasifikimit.
Me këtë certifikim Shqipëria hyn në hartën e një prej kompanive më prestigjioze dhe ikonike në botë që vepron në fushën e standardeve dhe sigurimit të cilësisë për 250 vite me radhë, fakt ky i cili mund të luajë një rol të madh në garantimin dhe tërheqjen e investitorëve të ndryshëm që duan të investojnë në Shqipëri. I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Sali Berisha falënderoi Menaxherin e Biznesit te kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance, Davis Ives, për këtë vlerësim të drejtë, duke theksuar se Qendra Kombëtare e Licencimit është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe atyre të huaja.
Berisha vlerësoi se çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet. Në këtë kontekst, Kryeministri garantoi drejtuesit e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance se qeveria shqiptare mbetet shumë e angazhuar të bashkëpunojë me këtë kompani, në mënyrë që të bëhen njohura cilësitë e produkteve dhe shërbimeve të Shqipërisë. Qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur edhe më tej garën e cilësisë, vijoi Kryeministri, duke garantuar se, Shqipëria do vazhdojë të mbetet në krye të vendeve të rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Qendra Kombëtare e Licencimit mund të themi se është shndërruar në një model frymëzimi për mënyrën se si kjo qendër iu shërben bizneseve të vendit dhe ato të huaja. Një studim i para një viti faktonte se 97 për qind e të gjithë aplikantëve, ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur me ekipin e kësaj qendre. E vërteta është se në qendër funksionon një nga sistemet më të avancuar që ekziston në dhënien e lejeve dhe licencave, por njëkohësisht edhe një nga sistemet më transparente, sistem i cili i bë të mundur biznesit të ndjekë nga portali i kësaj qendre të gjithë rrugët e dokumenteve në kanalet apo labirintet e burokracisë së vendit. QKL, me veprimtarinë e saj ka reduktuar në mënyrë të ndjeshme kohën, ka reduktuar kostot dhe ka krijuar një besim të madh në botën e biznesit. Në këtë kontekst, ky moment i sotëm, ky vendim i Kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA) për t’i akorduar certifikatën kësaj qendre, është një arritje e madhe. Ai do të ketë impakt pozitiv, frymëzues, së pari, për punonjësit e kësaj qendre që shohin vlerësimin e merituar të punës së tyre, por do të ketë impakt në biznesin shqiptar e ndërkombëtar, të cilët kanë në këtë qendër një partner, një ndihmës të shkëlqyer, të certifikuar. Shqipëria ndodhet sot në një moment shumë të rëndësishëm. Ajo është një nga të paktat vende në Evropë që nuk njohu recension. Natyrisht, pasojat e krizës së eurozonës, e krizës evropiane, janë pasqyruar dhe kanë ndikuar në ekonominë tonë. Por, për Shqipërinë është jetike dhe vendimtare ruajtja e ritmeve të rritjes ekonomike. Ne besojmë se rruga e vetme është mbështetja dhe inkurajimi i biznesit, ne besojmë se do të mund të ruajmë rritjen ekonomike, do të mund të qëndrojmë në krye të rajonit e më gjerë për tërheqjen e investimeve të huaja, do të mund të ndjekim projektet tona ambicioze për transformimin e vendit, vetëm e vetëm duke përmirësuar gjithnjë e më shumë klimën për biznesin, investimet dhe investitorët”, deklaroi Berisha, duke theksuar se, çdo certifikim përbën një arritje të madhe për ekonominë e vendit, çdo produkt i certifikuar ka një pasaportë për të lëvizur pa viza në tregun e vet.
Certifikimi i nivelit të cilësisë (ISO 9001) erdhi pas auditimit të QKL, nga ana e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance. Kjo Certifikatë vërteton se sistemi i menaxhimit dhe proceset e punës të QKL, janë në përputhje me standardin kryesor ndërkombëtar të cilësisë, duke konfirmuar kështu nivelin dhe cilësinë e lartë të shërbimeve, korrektësinë dhe profesionalizmin e ofruar për subjektet që kërkojnë të licencohen dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë.