E Shtunë, 31 Tetor 2026

India, Egjipti dhe Holanda, me ambasadorë të rinj



Komisioni kuvendor i Politikës së Jashtme zhvilloi dje një seancë dëgjimore me katër kandidatë për ambasadorë, Sokol Gjokën në Rusi, Fatos Kërçiku në Republikën e Indisë, Nuri Domi në Republikën Arabe të Sirisë dhe Egjipt, si dhe Gazmend Barbullushin në Mbretërinë e Holandës. Përpara deputetëve kandidatët folën për karrierën e tyre në diplomaci dhe jashtë saj. Deputetët vlerësuan kandidaturat e tyre dhe në unanimitet i miratuan ato duke ia dërguar Presidentit Bamir Topi për dekretim. Por në komision ishin të pranishëm vetëm deputetë nga mazhoranca, pasi opozita ka bërë një bojkotim në bllok, duke dhënë pretendimin se “nuk duhen emëruar ambasadorë përpara zgjedhjeve”. “Të gjithë deputetët e pranishëm në komision dhanë mbështetje për emërimin e tyre dhe këtu uroj që dhe Presidenti i Republikës t'i dekretojë sa më shpejt të jetë e mundur”, - tha Preç Zogaj, kryetar i Komisionit të Jashtëm. Ai tha se deputetët e majtë duhet të ishin në komision për të dhënë vlerësimin e tyre për ambasadorët e rinj. “Zgjedhjet janë në horizont, nuk janë kaq afër dhe mendoj se duhet ta shkëpusim konceptin e zgjedhjeve nga koncepti i emërimit të ambasadorëve. Diplomacinë duhet ta shohim përtej ngjarjeve politike, siç janë zgjedhjet”, - tha Zogaj, i cili shtoi: “Presidenti i Republikës, kur bëhen zgjedhje apo ka ndryshime politike në Parlament, është kompetent që të emërojë ambasadorë edhe ditën e zgjedhjeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›