E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtimi i karburanteve METE i heq licencën 7 kompanive

TIRANE- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi t'i heqë lejen e tregtimit 7 shoqërive në fushën e hidrokarbureve, ndaj të cilave, ishte vendosur sanksioni "Pezullim i lejes së tregtimit për 30 ditë", për shkak të mosplotësimit të kriterit të kapacitetit depozitues.

Burime zyrtare të METE-s bënë të ditur se IQT pas kontrollit të ushtruar ka konstatuar se asnjë prej të 7 shoqërive nuk kishin marrë masa për plotësimin e këtij kriteri, në zbatim ligjit "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre", duke propozuar vendosjen e sanksionit " Heqje leje tregtimi (licence)".

Kompanitë të cilave iu janë hequr licencat janë: "Autolubrifikant’’ sh. a; "Tiramol" sh. a; "Albania Airlines & Jet Fuel Supply" sh. a; "Beusal" sh. a; "Pilinci Enterprise Co" sh. a; "Orient" sh. a. dhe "Jemishta" sh. a.

Ministri Naço prej disa muajsh ka ngritur një grup pune për verifikimin e të gjitha shoqërive të tregtimit të naftës dhe të nënprodukteve të saj dhe ka kërkuar nga Inspektoriati Qendror Teknik zbatimin me rigorozitet të ligjit, "Për përpunimin transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre".

Ai ka kërkuar që në rast të konstatimit të shkeljeve, të zbatohen me rigorozitet të gjitha sanksionet që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit, apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë në këtë sektor me ndikim për ekonominë dhe qytetarët.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›