E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visar Zhiti u bën funeralin kolegëve

“Visaret” e Zhitit shpërblehen me çmimin “Shkrimtari i vitit”, duke lënë pas të nominuarit e tjerë. Dhe ka qenë sprova e guximshme me romanin “Funerali i pafundmë”, që i solli vlerësimin si shkrimtari i vitit 2008. Autori i ngazëllyer u shpreh se “ky çmim më gëzon jashtë mase, por më duket e çuditshme që e marr në një vend si Pallati i Kongreseve, nga ata që dikur censuronin letërsinë time”, vijoi me nota ironike Zhiti. Pas veprave në prozë dhe vëllimit me tregime, ku shquhet natyra e fuqishme e lirikut, Visar Zhiti solli edhe romanin e tij “Funerali i pafundmë”, që i dha edhe vlerësimin e shumëpritur. Vepra e mëparshme sikur e paralajmëronte “vendimin” e Visarit për ta hequr “pengesën” e lirikut, për të kapërcyer distancën e për ta emërtuar rrëfimin e vet “roman”, përkatësisht vendimi për ta “heshtur” lirikun në favor të narratorit. Megjithatë, poezia në rrëfimin e shkrimtarit, edhe pse aty këtu qëndronte e fshehur, ajo vërehej qartë, duke e bërë më të gjallë rrëfimin, më emocional dhe me një dramacitet të brendshëm dhe bukuri ekspresive. Ndërkohë, të nominuarit e tjerë për çmimin “Shkrimtari i vitit” ishin Ben Blushi, Mimoza Hysa dhe Mehmet Kraja. “Funerali i pafundmë” doli këto ditë në qarkullim në Bukuresht, në gjuhën rumune. Ai vjen si një botim nga shtëpia botuese “Leda”. Romani është përkthyer nga Luan Topçiu dhe redaktuar nga Antonia Cacso, kurse referues është shkrimtari Liviu Lungu.

Çmimet e Panairit XI të librit “Tirana 2008”

-“Shkrimtari i vitit 2008” - Visar Zhiti

-“Përkthyesi i vitit 2008”- Ardian Klosi

-Çmimi “Odise Grillo” për librin më të mirë për fëmijë 2007- Shkëlzen Zalli, me librin “Kush banon te syri”

-Çmimi për stendën më të realizuar - Shtëpia botuese “Ideart”

-Botimi më i realizuar grafikisht - Shpend Bengu, me kolanën “Sami Frashëri”, nga shtëpia botuese “Logos art Shkup”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›