E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i sigurimeve është rritur me 18% deri në gusht, INSIG ka rënë me 4 pikë

Vlera e primeve të sigurimeve të regjistruara në kompanitë e sigurimeve nga janari deri në gusht të këtij viti kapi një vlerë 18.2 përqind më të lartë se sa ishte vjet dhe peshën thelbësore në këto prime e kishin ato të Jo Jetës me mbi 85 përqind. Të dhëna zyrtare tregojnë se kompania e sigurimeve INSIG është e vetmja e cila nuk ka përfituar nga rritje e siguracioneve të regjistruara në tregun shqiptar. Kjo kompani përkundrazi ka njohur rënie të vlerës së primeve të regjistruara gjatë tetë muajve të parë të këtij viti në masën 35 përqind krahasuar me të njejtën periudhë vjet.

Kjo kompani në fund të gushtit 2007 zotëronte 13 përqind të tregut ndërsa në fundgushtin e këtij viti kjo kompani kishte rreth 8.5 përqind të tregut ose 35 përqind më pak se sa vjet. Të dhënat saktësojnë se primet kapën vlerën prej 3.210.103 mijë lekë ose rreth 45 milionë euro përkundrejt 2.716.047 mijë lekë ose rreth 35 milionë euro të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Instituti i Sigurimeve, një kompani aksionere ku pjesën më të madhe të kapitalit e ka qeveria shqiptare zotëron sot vetëm 8.5 përqind të tregut të sigurimeve dhe zhvillimet e përmuajshme e bëjnë më të dukshme kahjen rënëse të kësaj kompanie. Kompani INSIG zotëronte në vitin 2006 17 përqind të tregut, në vitin 2007 ajo ra në rreth 13 përqind ndërsa këtë vit duket se ajo do të qëndrojë tek 8.5 përqind.

Kompania INSIG nga viti në vit ka humbur pjesë të caktuara të tregut dhe kjo do të ndodhte pasi kompani të tjera do të ishin pjesë e tregut. Megjithatë vlera me të cilën INSIG ka humbur tregun nga viti në vit është shumë e madhe dhe kjo vijon ende. Kompania është në proces privatimi të aksioneve shtetërore të saj dhe vlera e saj në privatizim do të jetë shumë e ulët pasi ajo zotëron vetëm 8.5 përqind të trgut. INSIG zotëron disa asete kapitale shumë të rëndësishme ose letra me vlerë, të cilat nuk dihet se në ç’mënyrë do të përfshihen në privatizim. Në një përpjekje të para pak viteve për ta privatizuar INSIG-un, vlera e këtyre aseteve u llogarit shumë e ulët. Pavarësisht të gjithave, fundi i këtij viti do ta gjejë INSIG-un të privatizuar dhe së paku kjo mund të ndalë humbjet e pazakonshme të tregut. Gjatë këtyre tetë muajve të parë përsa i takon rritjes së tregjeve në veçanti, u shënua një rritje në masën 39.55% të sigurimeve të Jetës dhe 16.63% të sigurimeve të Jo Jetës.

Në periudhën janar – qershor 2008 volumi i primeve të sigurimit të detyrueshëm u rrit në masën 4.69%, ndërsa volumi i primeve të sigurimit vullnetar të Jo Jetës u rrit në masën 47.64%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›