Berisha: Prokuroria s’kërkoi mbrojtje
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha flet për herë të parë lidhur me aksidentin e pak ditëve më parë të dëshmitarit kyç për tragjedinë e Gërdecit, Kosta Trebicka.
Duke folur në Parlament, pas qëndrimit të opozitës, kreu i qeverisë ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me ngjarjen, por edhe faktin e mosmbrojtjes së tij, si dëshmitar i kësaj çështje. Sipas Berishës, shteti ka të përcaktuar qartë mënyrën se si mbrohen dëshmitarët dhe në këtë kontekst nuk ka pasur një kërkesë nga organi i Prokurorisë për ta marrë atë në mbrojtje. "Ky shtet ka një mekanizëm ligjor në të cilin vë në mbrojtje cilindo. Nuk mund të vë kurrë në dyshim se autoritetet përkatëse ligjore në rast se do të kishin kërkesë apo rrethanë nuk do ta vinin në mbrojtje. Ju e keni shumë të qartë se cili është mekanizmi i vënies në mbrojtje të dëshmitarit, është një mekanizëm ligjor shumë i përcaktuar. Nuk mund të imagjinoj që këto autoritete të bënin edhe neglizhimin qoftë edhe më të vogël të mbrojtjes së tij, nëse e gjykonin të nevojshme. Të gjithë ne pamë një kufomë të dëmtuar, aq sa e pamë nga mediat, pamë një makinë të dëmtuar, aq sa pamë nga mediat, këto janë të vërtetat", u shpreh Berisha. "Këtej me shumë të drejtë thoni se institucionet do funksionojnë mbi bazën e ligjit, por ja që ligji nuk përcakton askurrkënd që është kryeministri ai që përzgjedh mbrojtjen, ja që ligji përcakton që është Prokuroria që i bën kërkesë Ministrisë së Brendshme. Ju i dini këto, pse doni të bëni politikë me vdekjen e një njeriu", iu drejtua më tej kreu i qeverisë opozitës. Duke u ndalur tek aksidenti i Kosta Trebickës, kreu i qeverisë u shpreh se duke iu referuar hetimeve kombëtare dhe ndërkombëtare nuk ka asnjë version tjetër që të tregojë se ky nuk ka qenë aksident. "Ka një ekspertizë mjekoligjore, e cila për aq sa është dhe për ata që e njohin atë sektor nuk mund të ketë asnjë deviacion. Ekspertiza thotë po presim analizat kimike gjë që duhet pritur se ato kanë kohën e duhur, por ekspertiza ligjore do njëri apo s'do tjetri thotë politraumë nga ato që shkaktohet nga aksidenti", theksoi më tej Berisha. Në të njëjtën kohë, kreu i maxhorancës ka vlerësuar denoncimin që bëri Kosta Trebicka rreth gjashtë muaj më parë, si një kontribut real në zbardhjen e një afere. Sipas Berishës për denoncimit të biznesmenit shqiptaro-amerikan, u mor vendimi për ta ndërprerë atë kontratë. "Në atë problem që shtroi, unë për hir të së vërtetës sapo mora njoftimin, pavarësisht se ai ishte subkontraktor, apo kishte qenë, s'kishte për mua asnjë rëndësi, ajo që thoshte ai ishte një e vërtetë e padiskutueshme dhe më bëri mua të mundur t'u kërkoj autoriteteve përkatëse të ndërpresin tërësisht atë kontratë dhe t'u ofrojë falas ato municione qoftë nëpërmjet kanalit direkt në Afganistan, qoftë nëpërmjet NATO-s", u shpreh më tej Kryeministri Berisha, teksa akuzoi opozitën se po përdor vdekjen e biznesmenit për të fituar kapital politik.
Debati në Kuvend Nishani: Makina nuk është ekzaminuar ende
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka bërë një ekspoze të hetimeve të bëra nga e Policisë së Shtetit, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 12 shtator në Lekas të Korçës. Ai ftoi opozitën që të mos nxitohet, por të presë derisa të përfundojnë hetimet e plota. "Instituti i Mjekësisë Ligjore ka deklaruar konkluzione paraprake për shkakun e vdekjes, atë të politraumës, si ato që shkaktohen nga aksidente automobilistike. Për arritjen e konkluzionit përfundimtar është e nevojshme që të përfundojë akti i ekspertimit mjeko-ligjor të kufomës, si dhe akti i ekspertimit autoteknik për gjendjen e mjetit para dhe pas ngjarjes. Nuk është kryer këqyrja e brendshme e automjetit me arsyetimin se për të bërë këtë këqyrje si dhe ekspertimin autoteknik të automjetit do të thirren nga Prokuroria ekspertë të specializuar nga jashtë vendit. Ajo që unë do të kërkoja dhe që besoj se biem të gjithë dakord është që të lejojmë grupin hetimor të kryejë hetimet e plota, çdo akuzë politike vetëm se e pengon procesin hetimor", deklaroi Nishani.
Patozi: PS nuk duhet të përfitojë politikisht
Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi i kërkoi opozitës që të mos akuzojë maxhorancën për ngjarjen e ndodhur 2 ditë më parë në Lekas të Korçës, ku u gjet i vdekur Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i hetimeve të "Gërdecit". "Për aq kohë që procesi është në hetim, ne nuk kemi asnjë të drejtë si politikanë të japim verdikt për një ngjarje që është në proces e sipër. Kur kemi diskutuar për tragjedinë e Gërdecit ju kam thënë që politika, që ushqehet me viktima mund të jetë atraktive për momentin, por është një politikë që nuk çon larg dhe ky është rasti më fatkeq ku instinkti i hienës rikthehet tek opozita. Nuk ka asnjë version tjetër, as nga Prokuroria, ju nuk keni asnjë të drejtë të paragjykoni. Ju s'mund të drejtoni gishtin për asnjë çast te maxhoranca. Ju keni derdhur lot krokodili edhe te shtëpia e viktimës dhe keni qarë më shumë sesa familjarët, ju keni dhënë versione që asnjë nga familjarët e tij nuk i ka dhënë dhe kjo është më shumë sesa abuzive", deklaroi Patozi.
Alibeaj: Prokuroria nuk i dha status Trebickës
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj akuzon Prokurorinë e Përgjithshme për mosdhënien e statusit të dëshmitarit të Kosta Trebickës. Alibeaj, gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Integrimit akuzoi organin e akuzës, duke theksuar se është pikërisht ky institucion, që i jep statusin e veçantë dëshmitarëve që konsiston në mbrojtjen e tyre. "Është Prokuroria ajo që identifikon rastet e dëshmitarëve që duhet të meritojnë mbrojtjen nga shteti. Është Prokuroria që duhet të artikulojë këtë nevojë për mbrojtje dhe duhet t'i kërkojë ajo vetë në mënyrë ekskluzive ndaj institucioneve ekzekutive mbrojtjen e dëshmitarëve. Do të jetë më pas Ministria e Brendshme, drejtoria përkatëse e mbrojtjes së dëshmitarëve, Komisioni i vlerësimit të masave për mbrojtjen e dëshmitarëve", deklaroi Alibeaj. Ai theksoi se "ky proces duhet të fillojë nga Prokuroria siç është normale. Nuk më rezulton që të ketë pasur një kërkesë, të jetë artikuluar një kërkesë nga Prokuroria dhe më pas të mos jetë shqyrtuar nga ana e Ministrisë së Brendshme". Reagimi i Alibeajt erdhi në përgjigje të pyetjes së drejtuar nga kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ilir Meta për këtë çështje. Ndërsa deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi në komision deklaroi se pas kësaj ngjarje, qytetarët kanë më tepër frikë që të denoncojnë korrupsionin në Shqipëri dhe asnjë nuk është më i sigurt. Ai e ka cilësuar ngjarjen si shumë të rëndë, duke shtuar se "vdekja e dyshimtë e Kosta Trebickës i ka dhënë një goditje të fortë të gjithë sistemit të drejtësisë në vend". "Kjo ngjarje na ka shqetësuar mjaft. Nuk besojmë se ka shqiptar që do të denoncojë krimin dhe korrupsionin pas kësaj ngjarje tronditëse", u shpreh Ruçi. b.h
Leskaj: Berisha të dorëhiqej për të shmangur konfliktin e interesit
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj ka deklaruar se shteti duhet të kishte marrë në mbrojtje dëshmitarin kryesor të çështjes "Gërdeci", Kosta Trebicka. "Më e pakta që duhet të kishte bërë Kryeministri, ishte që të kërkonte ndjesë për paaftësinë e qeverisë së tij për të mbrojtur një shtetas aq më tepër dëshmitar kryesor në një krim që implikon shtetin. Në fakt Kryeministri duhet të dorëhiqej për të shmangur konfliktin e interesit, duke i treguar kështu popullit dhe mbarë opinionit se ai nuk i trembet përballjes me drejtësinë", deklaroi Leskaj. Sipas saj, ngjarja e ndodhur ka bërë që qytetarët të jenë të pasigurt. "Ngjarja Trebicka e shumëfishon Gërdecin e bën atë më të rëndë e më të frikshëm. Luftën ndaj krimit dhe korrupsionit e bëjnë një mision edhe më të pamundur, lufta për të vërtetën që mbetet themeli i demokracisë të bëhet edhe më e largët. Me këtë ngjarje Shteti ka pësuar një thyerje të madhe, ka thelluar pasigurinë dhe mungesën e besimit të shtetasve, ka thelluar rrënimin e imazhit në sytë e botës, kur gjithë media botërore pas kërpudhave të Gërdecit, të ngjashme me Hiroshimën, mësoi se u zhduk dhe një nga dëshmitarët kyç të kësaj ngjarje. Kjo është një kosto shumë e rëndë për vendin, një kosto, çmimin e të cilës e paguajnë qytetarët", theksoi Leskaj. Kreu i grupit parlamentar të PS-së deklaroi se opozita kërkon që "kryeprokurorja Ina Rama të thirret në raport për ecurinë e hetimeve të Gërdecit, në një mbledhje të përbashkët të dy komisioneve parlamentare, Komisionit të Ligjeve dhe atë të Sigurisë Kombëtare".
Ngjela: Vrasja e Trebickës kërkon të trembë të tjerët
Deputeti i pavarur, Spartak Ngjela ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit dhe vrasjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Duke folur pasditen e djeshme në parlament, ish-deputeti i Partisë Demokratike tha se, është naive të mendosh që Berisha nuk është përgjegjës për këto dy ngjarje. "Po kërkojmë t'i mbushim mendjen hajdutit dhe vrasësit që të pranojë edhe vrasjet, edhe vjedhjet. Ç'është ky naivitet fëminor që ju ka pllakosur o njerëz! Ku ka sot në Shqipëri dhe jashtë saj një njeri me pak mend në kokë, që të mos e ketë kuptuar se Gërdeci është vepër direkte e Sali Berishës? Dhe ne rrimë e vargëzojmë tirada të tëra për t'i mbushur mendjen atij se duhet të ikë", u shpreh Ngjela. Sipas tij "pse po i lutemi një njeriu të tillë, që është i lig për nga natyra, i sëmurë për nga mendja dhe i varfër për nga intelekti, që të na tregojë sesi i vrau të 26 të pafajshmit në Gërdec dhe sesi vrau Trebickën. Jo zotëri, e keni gabim. Nuk është kjo metoda e largimit të këtij njeriu nga qeverisja e dhunshme që po shkatërron Shqipërinë". Ngjela tha se është e domosdoshme largimi i Kryeministrit Berisha nga pushteti dhe dorëzimi i tij te drejtësia. Në të kundërt sipas tij, gjithçka do të precipitojë në terror. "Madje ai ka filluar, sepse vrasja e Trebickës nuk ka lidhje me Trebickën, ai s'kishte më asnjë rëndësi të mëtejme në lidhje me hetimin e çështjes së Gërdecit; ai e kishte bërë aktin e tij në ndihmë të shoqërisë së vet, sepse e kishte denoncuar krimin e grupit qeveritar në Shqipëri. Vrasja e Trebickës kërkon të trembë të tjerët, përkatësisht, ata që duhet të tregojnë, të rrëfejnë apo të deponojnë të vërtetën e dokumentuar të tragjedisë së Gërdecit. Por përpara se të flasim më shtruar për këtë, le të trajtojmë pak gjendjen", vijoi më tej Ngjela. Deputeti i divorcuar në vitin 2006 me Partinë Demokratike theksoi para deputetëve në Parlament, se shoqëria shqiptare sot ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, sepse, sipas tij, ne shqiptarët ndodhemi njëherësh, edhe përpara shansit të madh historik që ka të bëjë me prosperitetin tonë dhe me të ardhmen tonë evropiane, por edhe me një pengesë monstruoze që kërkon të na i heqë këtë shans. "Shansi ynë historik vjen nga fakti që e gjithë bota perëndimore është me ne, kurse një gjëmë e brendshme, e krijuar nga Kryeministri aktual, po kërkon me ngulm që të mos na e lejojë këtë shans", u shpreh Ngjela. Lidhur me tragjedinë e 15 marsit dhe vrasjen e 12 shtatorit, Ngjela ngriti 10 pyetje, të cilat kanë të bëjnë me atë se çfarë përfaqëson Gërdeci, a do kishte ndodhur kjo ngjarje nëse nuk do të ishte Berisha kryeministër, çfarë do të bëjë tashmë ish-ministri i Mbrojtjes, çfarë faktesh të reja pritet të vijnë nga jashtë kufirit etj.
Meta: Vendi i Berishës, në Prokurori dhe Gjykatë
BLEDAR HOTI
Lideri i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se qeveria duhet të ishte i interesuari kryesor për të mbrojtur dëshmitarin e çështjes, Kosta Trebicka.
Deklarata e tij u bë pas diskutimit që mbajti Kryeministri në Kuvend në lidhje me këtë aksident. "Kryeministri me fjalët e tij tregoi dyfytyrësinë e tij. Të tjera fjalë dëgjuam për të ndjerin Kosta Trebicka, kur ishte gjallë nga Kryeministri, pasi ai me kurajë denoncoi aferën e Gërdecit, ku përmendi edhe Kryeministrin dhe familjen e tij dhe të tjera fjalë dëgjuam sot. Ai sot u cilësua si qytetar i përgjegjshëm dhe jo mafioz, nga Kryeministri", deklaroi Meta. Ai theksoi se "nuk jam këtu për të bërë lidhje midis spotit publicitar që ka dalë nga ana e Kryeministrit, që do t'u mbushë mendjen gjithë qytetarëve, se sa shumë është luftuar korrupsioni dhe që njëkohësisht i fton të gjithë, që denoncimet t'i bëjnë tek ai, tek Kryeministri dhe jo tek Prokuroria dhe faktit tjetër, që qytetari më kurajoz, që dëshmoi kundër korrupsionit, humbi jetën". Sipas tij, "të gjitha këto tregojnë, se korrupsioni nuk mund të luftohet kurrsesi me këtë Kryeministër, sepse ai ka një konflikt të thellë interesi me drejtësinë dhe vendi i tij nuk është këtu, por është përpara Prokurorisë, pse jo edhe para gjykatës, qoftë edhe për të marrë pafajësinë". "Berisha thotë, se çfarë përgjegjësie ka Kryeministri, për mos mbrojtjen e dëshmitarit, se këtë çështje sipas ligjit, e ka Prokuroria e kështu më radhë. Por, një Kryeministër i përgjegjshëm, i cili është akuzuar drejtpërdrejt për një skandal të përmasave të tmerrshme, ku kanë humbur jetën 26 qytetarë të këtij shteti, si nuk u interesua nëse ky dëshmitar apo disa dëshmitarë të tjerë janë në mbrojtje nga shteti, për arsye të vetë aferës me përmasa shumë të mëdha, por edhe për të ruajtur figurën e tij, edhe në rast qoftë të një aksidenti të mundshëm, si ai që ka ndodhur në ditët e fundit", theksoi Meta. Sipas tij, "kjo tregon se ne kemi një Kryeministër krejtësisht të papërgjegjshëm, që ne kemi një Kryeministër, i cili duhet të largohet, në mënyrë që të mos kemi më shumë viktima, se reforma nuk kemi për të pasur kurrë".