PD: Rama po përdor vdekjen e Trebickës
I vetëdijshëm për cilësinë e tij si dëshmitar në një proces të rëndësishëm hetimor, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, dhe në rast nevoje të kontribuojë edhe me ekspertë të huaj, për të hetuar në mënyrën më të plotë, profesionale e transparente, rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’i bërë ato publike,” tha Bogdani.
“Por, dje qytetarët u përballën me histerinë primitive të njeriut që i dridhej zëri dhe trupi para kamerave, tek lëshonte akuzat monstruoze për vdekjen e Kosta Trebickës, pa pritur as edhe një rezultat të hetimit, madje pa pritur as edhe identifikimin e kufomës nga familjarët e tij. Ata panë në ekranet e mediave shëmtinë morale të drejtuesit të opozitës, të zhveshur nga gjethet e specat e politikës së re, tek brohoriste njëlloj si në mars të këtij viti “rroftë vdekja, poshtë qeveria”, për arsye që në të ardhmen do të bëhen publike.
Dje, z. Edi Rama në media, jo që nuk gjeti një fjali për të përshëndetur seancën dëgjimore historike të Senatit të SHBA-së për Shqipërinë dhe Kroacinë, ku Senati dhe Qeveria e SHBA-së dëshmuan mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por i nxirë si ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo të mitingut të protestës - ditën kur vendi merrte ftesën për anëtarësimin në NATO, ai u faktoi shqiptarëve se nuk ka asnjë interes tjetër përveç interesit të karierës së tij të nxirë,” vijoi deklaratën Bogdani.
Veliaj: Policia që po heton vdekjen e Trebickës e mbushur me truproja të Berishës
Drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj tha dje se tani e tutje kush flet për Gërdecin, duhet të thotë lamtumirë. Ai shprehu shqetësim se strukturat e policisë që po bëjnë hetimin për vdekjen e Kosta Trebickës, janë të mbushura me truproja të Berishës dhe të afërm të pushtetarëve. “I kemi të gjitha arsyet dhe të drejtat të kërkojmë dhe të presim që jo thjesht të njihet hapur ky dështim me pasojën më tragjike por edhe të hetohet dhe të provohet çdo prapaqëllim i mundshëm që tashmë është prekur nga media që ditën e djeshme, dhe që do ta shndërronin këtë ngjarje në një akt kriminal të parapërgatitur,” tha Veliaj. “Mbetemi të shqetësuar që strukturat e policisë së krimeve të rënda janë përmbytur me badigardë e të afërm të pushtetit të sotëm. Shoqëria jonë ka nevojë për kurajo dhe burrëri për ta përballuar mafien. Vdekja e Trebickës rrit pushtetin e mafias mbi shoqërinë, shton frikën dhe tenton të gjunjëzojë kurajon. Kryeministri duhet të shprehet mbi çështjen. Njerëzit sot janë në panik dhe besimi te institucionet ka rënë. Është për të ardhur keq që Kryeministri, i cili bëri spot për të ftuar qytetarët të denoncojnë korrupsionin nuk ka thënë ende asnjë fjalë për humbjen e jetës të një qytetari të ndershëm që bëri pikërisht këtë gjë, denoncoi korrupsionin. Që sot e tutje duhet të mendohemi mirë kur përmendim Gërdecin. Mund të jetë hera e fundit që u themi të dashurve tanë mirupafshim,” vijoi Veliaj.
PS: Dëshmia e Berishës cënoi direkt Berishën
Partia Socialiste tha dje përmes kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi se dëshmia e Kosta Trebickës ka cënuar direkt Sali Berishën. “Që në fillim dua të përsëris se PSSH nuk mund të fajësojë askënd për këtë vdekje tragjike. Ashtu siç duhet theksuar se njeriu që ka vdekur në mënyrë misterioze është një dëshmitar i rëndësishëm në çështjen e trafikut të municioneve që organizoi kjo qeveri. Dëshmia publike e qytetarit të mirë Kosta Trebicka, cenoi drejtpërdrejtë qeverinë e Sali Berishës, për këtë arsye kjo qeveri ia ka borxh publikut të gjerë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij.
Qeveria nuk mund të mjaftohet me publikimin e disa të dhënave sporadike e të paplota të ekspertizës, por duhet të sqarojë publikun për këto çështje: A ishte Kosta Trebicka njeriu kurajoz, që i tha Shqipërisë një të vërtetë të frikshme, viktimë e ligjit të zi mafioz që thotë: KUSH FLET VDES?
Pyesim- Përse nuk po flet Kryeministri? Përse po hesht njeriu direkt i akuzuar për përfshirje në skandal? Çfarë po i mbyll gojën njeriut që flet për gjithçka e për çdo gjë?
Pyesim- Kush ishte i interesuar të mbyllej kjo gojë? Kush ishin kërcënuesit e tij?
Si ka mundësi që qeveria nuk mbron jetën e dëshmitarëve kyç të çështjes së Gërdecit?
Përse nuk mbështet Prokurorinë e Republikës në hetimin e ngjarjeve të Gërdecit, trafikun e armëve dhe tashmë në zbardhjen e rrethanave të vdekjes së qytetarit të mirë Kosta Trebicka?
Me ç’moral Sali Berisha ju kërkon qytetarëve të këtij vendit që të denoncojnë korrupsionit, kur denoncuesit vdiskan kaq kollaj?
Sali Berisha duhet të sqarojë shqiptarët e jo të heshtë,” tha Ruçi.
“PSSH solidarizohet me të gjithë shqiptarët që nuk e durojnë damkën e një shteti trafikant armësh, damkë të cilën e vendosi Sali Berisha me qeverisjen e tij.
Roli i një shteti është të sigurojë jetën e çdo shtetasi të tij. Kur qytetarët dyshojnë për të kundërtën ky është dështimi më i madh dhe fundi i një qeverisje të keqe.
Ndërkohë edhe njëherë dua të shpreh gjithë mbështetjen morale dhe politike të PSSH për Prokurorinë e Republikës drejt zbardhjes sa më të shpejtë të të gjithë ngjarjeve kriminale që lidhen me çështjen Gërdeci,” vijoi Ruçi.