E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosta fliste për njerëz të dyshimtë që e ndiqnin”

 

Aristir Lumezi

Drejtuesi i Lëvizjes “G99”, Erion Veliaj, tregon përshtypjet e tij nga takimet që ka pasur me Kosta Trebickën. Veliaj përmes miqve të tij në “The New York Times” garantoi Trebickën, sipas kërkesës së tij, për botimin e gjithë incizimeve të bisedës me Diverolin.
 Kreu i “G99” shprehet se, Trebicka ndjehej i kërcënuar pas botimit të artikullit në gazetën e madhe amerikane, ndërsa kohët e fundit kishte nisur të ishte më i qetë dhe për vetë garancitë që investigatorët amerikanë i kishin dhënë. Sipas tij, vetë “New York Times” po merret me investigim rreth rrethanave të aksidentit.
Ju keni pasur miqësi me Kosta Trebickën. Si jeni njohur ju me të?
Kosta Trebicka ka kontaktuar me mua pasi miq të mi i kishin thënë se mund ta ndihmoja për materialin e incizuar, që ai dispononte. Pasi kemi dëgjuar incizimin e tij, unë jam skandalizuar me faktet që ai sillte. Kërkesa e vetme e Kostës, ishte botimi i tij në një media të huaj, kryesisht televizion. Miqtë e mi i kishin thënë atij se unë mund ta vija në kontakt me media të huaja dhe ato amerikane. Pasi kontaktova me miqtë e mi, ramë dakord që materialet e tij t’ia jepnin “The New York Times”, përmes mikut tim, Nicholaswood. Pasi kanë administruar materialet, ata kanë dashur të sigurohen për autenticitetin e zërit të sipërmarrësit nga Florida. Këtë e bënë pasi e telefonuan disa herë Diverolin dhe u garantuan se zëri në incizim ishte i tij. Kështu që gjatë katër muajve që bëhej investigimi, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kostën dhe sigurisht ai është ndjerë i kërcënuar. Mbaj mend që pas daljes së shkrimit ai u ndje më i mbrojtur. Ashtu si të gjithë ne besonim që denoncimi i kësaj afere korruptive i qeverisë “Berisha” në gazetën më të madhe në botë, sigurisht ofronte njëlloj mburoje dhe imuniteti ndaj njeriut që i ra bilbilit për një aferë të tillë.
Çfarë tipi ishte Kosta Trebicka?
Kosta ishte një tip energjik dhe aktiv, ishte një burim energjie kinetike kudo që shkonte. Kishte pafundësi humori, ishte njeri që punonte 24 orë. Vishej me kanotiere dhe pantallona të dorës së dytë dhe hante tërë kohën gjizë, dhallë dhe djathë fshati. Ishte një njeri mjaft modest, jo i tipit ekzibicionist apo i tipit që donte të dukej dhe të impresiononte elitën në Tiranë me pasurinë e tij. Shkonte për gjueti, zakonisht me shokë, edhe mua më kishte ftuar, por unë nuk isha kaq pasionant për këtë sport. Di që do shkonte fillimisht në Elbasan e më pas në Korçë për gjueti, por nuk e di se ishte vetëm apo me shoqëri.
Si e priti ai botimin e shkrimit të “New York Times”?
Njohja ime me Kosta Trebickën nisi dhe u përqendrua rreth temës së aferës së municioneve dhe u shndërrua më pas në një miqësi të madhe me kontakte pothuaj të përditshme. Ai ishte një njeri punëtor, mjaft kurajoz, ishte biznesmeni më i thjeshtë që unë kam njohur dhe me një humor të jashtëzakonshëm. Duke qenë se ishte në pritje të shkrimit të “The New York Times” dhe çdo natë rrinte deri vonë për të parë publikimin e shkrimit, mbaj mend se ditën që u botua, gjen në celularin tim sms “Erion, plasi në Kuçovë!”, batutë që del vetëm nga njerëz të humorit. Kohët e fundit ai ndjehej shumë më pozitiv, pasi kishte dhe vëmendjen më të madhe mediatike ndërkombëtare, por dhe diplomatike.
Nisur dhe nga kontaktet e vazhdueshme që ju keni, si është konsideruar për “The New York Times” incizimi i ofruar nga Kosta Trebicka?
Miqtë e “The New York Times” e konsideruan padyshim dhe investigimin e vitit dhe Kostën, ndoshta njeriun me informacionin më grishës për një gazetën më të mirë të botës. Sot siç e patë, sapo ata dërguan një buqetë me lule në familjen e Kostës bashkë me ngushëllimin e tyre për ta. Kam përshtypjen se dhe me “New York Times” ishte vendosur një marrëdhënie miqësore me Kostën, përtej marrëdhënies informator dhe gazetar, por një marrëdhënie mes tij dhe gjithë kësaj redaksie, e cila vlerësoi kurajën tek ky njeri. Dhe në shkrimin e atribuuar humbjes së Kostës, vlerësohej fakti që ai bëri një thirrje shumë kurajoze për një aferë korruptive në instancat më të larta shtetërore.
Nga kontaktet që ju kishit me të, ndjehej apo shprehej i kërcënuar pas fakteve që kishte nxjerrë në dritë?
Mbaj mend, që kur udhëtoi në Amerikë për të takuar investigatorët e tjerë dhe për të dëshmuar në Kongresin Amerikan, tranzitoi në Londër, ndërroi disa herë numrat e telefonit nga më merrte sepse ai ndjehej i kërcënuar, pas botimit të lajmit në gazetë. Pasi bëri dëgjesën me zyrtarët amerikanë, ai u kthye në Shqipëri shumë herë dhe më i sigurt, pasi kishte marrë garanci se dëshmia e tij nuk do të lihej pas dore. Të gjitha ngjarjet që pasuan dëshmuan se kjo histori mori vendin që i takonte dhe u kthye në aferën më të madhe të tranzicionit në Shqipëri. Kohët e fundit besoj se Kosta kishte arritur një lloj paqeje me veten, i kushtonte më shumë kohë familjes dhe pushimit.        
Ka pasur ndonjë ftesë tjetër të Kosta Trebickës për të deponuar në SHBA, në vijim të deponimit të parë në Kongresin Amerikan?
Di që Kosta ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarë amerikanë, pasi sa herë takoheshim ai më tregonte për e-mail-e, pyetje sqaruese dhe që i dërgonin atij vazhdimisht, edhe në formën e telefonatave, gjatë të cilave ai depononte dhe sqaronte shumë pikëpyetje, por dhe nëpërmjet e-mail-eve. Di që Geri Kokalari ka shpërndarë në publik disa nga e-mail-et e fundit
të Kostës, ku ai fliste për frikën që kishte nga disa të panjohur që i afroheshin. E kam të vështirë të kujtoj emra specifikë, por di që Kosta shpesh fliste për njerëz të dyshimtë që herë i afroheshin dhe herë e ndiqnin, nuk di të shpjegoj detaje se kë përfaqësonin këta njerëz. Sigurisht që një ndjenjë ankthi të vazhdueshme ai e kishte, por që e kamuflonte me humorin e tij.
Keni ndonjë sinjal se “The New York Times” po merret me investigimin e rrethanave të aksidentit të Kosta Trebickës?
Në fakt jam në dijeni se ka disa aktorë në Shqipëri që janë në mënyrë konstante të përfshirë me “The New York Times”, të cilët po ofrojnë këndvështrimet e tyre mbi ngjarjen, është caktuar një redaktor përgjegjës vetëm për të ndjekur të gjithë ecurinë dhe hetimet dhe mesa jam unë në dijeni, janë dhe 2-3 aktorë lokalë të medias që po ofrojnë në mënyrë të vazhdueshme lajmet më korrekte nga zhvillimet e fundit. Kështu që çdo ditë ndodhin 10-12 kontakte me “The New York Times” për të ndjekur këtë histori dhe kam përshtypjen se interesi i tyre do ta mbajë të hapur këtë çështje.
Sipas informacioneve që ju keni, cilat kanë qenë lëvizjet e tij të fundit para vajtjes në Voskopojë?
E di që shkonte periodikisht në Elbasan, ku ai kishte një pjesë të sipërmarrjes së tij, por shumicën e verës mesa më informoi i ishte dedikuar në mënyrë konstante vajzës së tij, e cila kishte ardhur nga SHBA për ta vizituar. Me shaka shpesh më thoshte se tani nuk merrem më as me biznes, as me gjëra të tilla publike dhe gjithë mendjen e kam tek vajza dhe djali dhe tani dua vetëm të pushoj se më lodhi shumë kjo histori. Fati e desh që të pushonte përgjithmonë.
Nisur nga faktet që janë afruar deri tani, cili është perceptimi juaj për ngjarjen, kemi të bëjmë me aksident apo ngjarje?  
Çfarë perceptimi mund të ketë një njeri, qoftë ky Erion Veliaj apo një qytetar, kur me të hapur TV pamja e parë që i vjen nga ngjarja sheh ish-badiguardin e kryeministrit në vendin e krimit. Ky fakt më bën të dyshoj çdo administrim të provave. Ky fare mirë mund të ketë qenë një aksident, por të gjithë njerëzit që përfshihen në administrimin e provave janë me pikëpyetje të mëdha. Kjo është arsyeja pse kemi tre vjet që themi se institucionet nuk duhet të preken nga njerëzit e familjes, apo bashkëpunëtorë të ngushtë dhe në konflikt interesi me ekzekutivin. Mbetet por mua çudi, si dhe për shumë shqiptarë se si qoftë koincidenca e kohës qoftë koincidenca e aksidentit në të gjithë kontekstin e madhe të gjërave, do duhej që gjithë planetët të komplotonin kundër Kostës që të realizonin një aksident me rastësi kaq të përbashkëta.
Po prezenca dhe angazhimi i hetuesve amerikanë në ngjarje, rrit sipas jush investigimin?
Nuk i njoh se cilët janë investiguesit amerikanë. Do të ishte me shumë interes të dëgjoja opinionin e tyre, deri tani nuk e kam dëgjuar dhe më rezulton se janë vetëm vëzhgues të operacioneve të policisë dhe mesa lexova nga gazeta juaj, “Panorama”, makina është ende në ruajtje për ekspertizën amerikane, fakti i vetëm për të cilën mund të flasim sot është se vendi është gdhirë më i frikësuar dhe është detyra jonë të bëjmë çdo gjë, që kjo frikë të largohet dhe njerëzit të rifitojnë kurajën e tyre civile.        
Cilat janë pikëpyetjet e kësaj ngjarjeje për të cilat priten përgjigje?
Akoma kërkohet përgjigje pse Kostës nuk iu dha statusi i dëshmitarit, nuk e kuptoj se kur ke dalë në gazetën më të madhe në botë, të cilën kryeministri e quan “letër higjienike”, çfarë evidente më të madhe duhej që ky njeri të merrej seriozisht në mbrojtje? Është në pikëpyetje fakti si njeri, që pse këtij njeriu nuk iu dha ndihma e parë. Mua më shqetëson fakti që gazeta juaj na informoi për fshatarë, që u gjendën në atë vend, panë që Kosta ishte gjallë dhe policia i ndaloi të mos e preknin? Mua kjo më shqetëson. Secilit prej nesh mund t’i ndodhë një aksident, dhe policia të mos jetë vetëm për të na bërë autopsinë. Aksidenti për mua është jashtëzakonisht i rrallë. Unë e njoh Kostën, ai nuk ishte i çmendur të tregonte diçka, duke ecur me shpejtësi në majë të malit.

“Investigimet për trafikun e armëve në Shqipëri”

Gazeta prestigjioze amerikane, “The New York Times”, e cila mori indicion nga incizimet e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka, me presidentin e kompanisë amerikane AEY, 22-vjeçarin Efraim Diverol, botoi një shkrim në të cilin zbulohet një rrjet korrupsioni, që kulmoi me shpërthimin e depove të Gërdecit. Me titullin “Investigimet për skandalin e armëve në Shqipëri”, gazeta prestigjioze jep me fakte implikimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë në këtë aferë. Sipas “The New York Times”, Diveroli kishte zgjedhur Shqipërinë për të blerë municion për ushtrinë afgane me paratë e Departamentit amerikan të Shtetit. Municioni, që ishte shumë i vjetër dhe kryesisht me origjinë kineze, i cili ndalohej nga ligjet amerikane, po kamuflohej përmes një riambalazhimi të tij në depot shqiptare. Këtë punë bënte kompania e Kosta Trebickës, i cili më pas u largua nga kjo marrëveshje me ndërmarrjen shtetërore të armatimit, “Meico” dhe u zëvendësua nga kompania e Delijorgjit. Por gazeta zbulon se për të realizuar aferën në miliona dollarë, kjo ndërmarrje ia shiste municionin një kompanie qipriote. “Shitjet sipas Trebickës, ishin mister: Shqipëria shiste municion tek Evdin për 22 $ për 1000 fishekë, ndërsa Evdin ia shiste AEY të Diverolit për shumë më tepër. Diferenca, sipas Trebickës, ndahej me zyrtarët shqiptarë, me Pinarin, që ishte kreu i agjencisë së eksportit të armëve dhe me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Tani Berisha, Pinari, Mediu i kanë mohuar akuzat”, thotë artikulli i gazetës amerikane.

Trebicka, Rama: Protestë për sigurinë dhe drejtësinë

Kryetari socialist i bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë ditën e premte në sheshin “Skënderbej”.

“Sot, gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit kur populli i tërë kërkon me padurim të dijë jo vetëm kush qëndron pas shpërthimit vrastar të 15 marsit të shkuar, po edhe se si qëndron e vërteta e vdekjes së dëshmitarit kyç të Gërdecit, ne ftojmë qytetarët të premten pasdite, për ta manifestuar me një zë të vetëm në këto orë të vështira për Shqipërinë nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për sigurinë e drejtësinë”, tha Rama. Kjo është protesta e dytë në këto gjashtë muaj pas tragjedisë së Gërdecit. Pak ditë pas saj, të gjitha partitë opozitare u bashkuan në një protestë qytetare me qirinj në duar, në kujtim të atyre që humbën jetën në të, por duke qenë dhe bashkëpunimi i fundit i këtyre partive. Gjatë një konference për shtyp në selinë rozë, kryetari socialist argumentoi arsyet pse shqiptarët duhet të protestojnë në këtë ditë. “15 shtatori është dita kur bëhen plot gjashtë muaj nga tragjedia jonatyrore e Gërdecit. Gjashtë muaj më parë, shpërthimi vullkanik i korrupsionit qeveritar vrau 26 njerëz të pafajshëm, burra gra e fëmijë, dhe tronditi Shqipërinë e botën. Ndërsa m’u në vigjiljen e gjashtëmujorit të atij morti që mbuloi atdheun tonë në zi, u gjet i vdekur në rrugë qytetari që denoncoi aferën ogurzezë të fishekëve dhe u bë dëshmitari kyç për zbardhjen e tragjedisë”, vijoi Rama. Kreu socialist, duke argumentuar paaftësinë e qeverisë për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit dhe ruajtjen jetës së dëshmitarëve, akuzoi kryeministrin Berisha. Sipas tij, “Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen e të kishte shkuar vetë në Prokurori qysh ditën e parë të hetimeve në qoftë se nuk ka asgjë për të fshehur dhe nuk i trembet si djalli temjanit zbardhjes së plotë të krimit shtetëror të Gërdecit”. Rama e cilësoi Berishën si të dyshuarin më të madh në sytë e shqiptarëve për tragjedinë e Gërdecit. Kryetari i selisë rozë i vendosi dhe afate kryeministrit Berisha që të sjellë në Kuvend sa më shpejt ligjin “Për Prokurorinë” dhe jo të bëjë presion për kufizim të mandatit të kryeprokurores. “Ne i japim kryeministrit 30 ditë afat, për ta bërë këtë hapur, qartë, pa asnjë shteg për kthim mbrapa, duke e harruar njëherë e mirë projektin famëkeq qeveritar të ligjit “Për Prokurorinë” dhe duke miratuar në Kuvend një ligj të ri për organin e akuzës, që të ketë konsensusin e plotë të vetë Prokurorisë e të të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Rama.

“Mbështesim veprime konkrete opozitare”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se do të mbështesë çdo veprim opozitar konkret dhe jo rrugëtime të heshtura si herën e parë, kur partitë opozitare dhe qytetarët e Tiranës protestuan në heshtje me qirinj në duar pas tragjedisë së Gërdecit. “Nëse është një aktivitet në bulevard si herën e parë në protestën e heshtur pas tragjedisë së Gërdecit, ku ne morëm pjesë, kjo mbetet për t’u parë. Por padyshim që çdo aksion opozitar me veprime konkrete gëzon mbështetjen tonë më të plotë”, tha Meta.

“Jo protestave që janë të manipuluara”
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh dje hapur kundër pjesëmarrjes në protestën e ditës së premte. Sipas tij, Edi Rama ka manipuluar protestën e parë të opozitës së bashkuar. “Nuk do t’i bashkohemi ftesës së Partisë Socialiste, pasi Edi Rama është njeriu që manipulon protestat e opozitës. Mesazhin e bashkimit tonë dhe të kërkimit të daljes para drejtësisë së përgjegjësve të tragjedisë së gërdecit, Rama e manipuloi duke bërë marrëveshje të fshehta me Sali Berishën”, tha Ceka.

“Protestë për të larguar Berishën”
Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkallari, ka mbështetur kërkesën e Partisë Socialiste për të organizuar protestën popullore. “PDS-ja mbështet çdo përpjekje për të larguar Berishën nga pushteti. PDS-ja ka qenë dhe do të jetë në krye të çdo forme demokratike proteste, që synon të shkurtojë ditët e qeverisje së shqiptarëve nga ky pushtet kriminal i korruptuar. Asnjëherë nuk është vonë për të rimarrë aksione politike me qëllimin e vetëm dhënien fund të serisë së vdekjes dhe vuajtjeve, që kulmuan me Gërdecin dhe po vijojnë me viktima të tjera”, tha Duçkallari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›