Autoriteti i Konkurrencës, ja monopolet që do të hetohen më 2011
Tregu i transporteve, shërbimet publike, shërbimet postare dhe sektori energjetik do të jenë në qendër të monitorimit të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2011. Hetimi paraprak nga Konkurrenca do të fokusohet në këta sektorë, për arsye se u janë dhënë të drejta të veçanta dhe ekskluzive nga shteti. Monitorimi i sektorëve të mësipërm do të bëhet edhe në bashkëpunim me institucionet qendrore ose edhe me entet rregullatore, sipas rekomandimeve të Komisionit Europian. Raporti i Autoritetit të Konkurrencës, për vitin 2010, citon se sektorët dhe tregjet kryesore mbi të cilat do të jetë fokusuar mbikëqyrja janë ata, të cilët përqendrimi dhe fuqia e firmave është e madhe ose numri i konkurrentëve është i kufizuar, si pasojë e strukturës së tregut, apo krijimit të pozitës dominuese, nga një ose disa operatorë në tregjet përkatëse të produktit. Raporti i Konkurrencës vëren se gjatë vitit 2010 ka shqyrtuar 11 ankesa, 4 më shumë se në 2009, që sipas këtij institucioni tregon rritjen e kulturës ndaj konkurrencës. Monitorimi i tregut të shitjes së kartonit jeshil, shqyrtimi i ankesës së shoqërisë të ruajtjes dhe sigurisë fizike, ankesa e shoqërisë Klar ndaj Conad, ankesa e ndërmarrjes Belle- Air janë disa nga ankesat e shqyrtuara nga konkurrenca në lidhje me tregun e produkteve. Edhe komunikimet elektronike kanë qenë në qendër të hetimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës gjatë 2010-ës. Gjatë atij viti kanë ardhur pranë konkurrencës disa ankesa nga operatorët e këtij tregu, për moszbatim të marrëveshjes së interkoneksionit, por pas shqyrtimit të ankesës, citohet në raport, ankesa nuk bie në fushën e veprimtarisë së ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Gjithashtu, Konkurrenca ka hetuar paraprakisht gjatë 2010-ës tregun e karburanteve, dhe të bankave. Tregje këta me impakt të ndjeshëm në xhepin e konsumatorëve shqiptarë. Gjatë monitorimit të tregut bankar, Autoriteti i Konkurrencës vërejti se në bankat e nivelit të dytë në vend nuk ka konkurrencë reale. Më konkretisht është vënë re mungesë e transparencës, e cila është reflektuar në mungesën e elasticitetit të kërkesës, për shërbimet bankare dhe në të njëjtën kohë bankat tregtare aplikojnë tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim. Duke iu referuar konkluzioneve të monitorimit është vënë re se në disa raste, bankat nuk i njoftojnë klientët, kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë kur rriten komisionet e llogarive rrjedhëse, apo kartave të debitit/kreditit. Në këtë mënyrë thyhen kriteret për një simetri në treg. Prandaj konkurrenca i është drejtuar Bankës së Shqipërisë, si institucioni i vetëm mbikëqyrës për këtë treg, të marrë masa në lidhje me konkurrencën.