E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i uzinës Dinamo në kushte skandaloze, Ministria e Bujqësisë tallet me konsumatorët

Produktet ushqimore tregtohen jashtë kushteve të sigurisë dhe higjienës

Hajde peshk i lirë, e i freskët... hajde fruta vendi... gjizë shtëpie tregtojmë e ke për merak..është aq lirë sa ti nuk e ke ëndërruar... mes britmash e ofertash nga më të çuditshmet sapo hyn në tregun ushqimor tek uzina dinamo... stomaku fillon të përzihet.

Jo prej erës mbytëse të peshkut që kushedi se që kur tregtohet në pikë të diellit mu në cep të rrugës, shumë pranë këmbëve të qytetarëve e mu në buzë të tymrave të makinave që gëlojnë, as prej vapës e sikletit, e keqja e stomakut na shkaktohet enkas nga pamja e pazakontë e tregut më të madh në metropolin ku qiellgërvishtësit po na zënë frymën. Aty tregtohet gjithçka, sapo hyn si për ironi të fatit në një minikioskë të stisur enkas për tu shuar etjen e urinë tregtarëve që djersitin e nxitojnë, valëviten tre flamuj kombëtarë të vendosur çrregullt njëri nga tjetri. Si për tu dalluar që jemi në tregun e uzinës dinamo, përballë na zë sytë një pirg me plehra që kundërmojnë, ku ngjitur me to shiten pula të pjekura, e jo vetëm kaq. Kova të mëdha të përplasura përtokë në të cilat peshqit e shumëllojshëm edhe mund ti kapësh me duar tregtohen mu në pikë të diellit,  në kushte higjienike skandaloze e për këtë askush nuk shqetësohet as ndonjë qytetar që me kërshëri do të blejë peshkun më të mirë, e as ndonjë kalimtar që për të shuar etjen i turret zorrës së ujit që tregtarët e kanë zhytur brenda kovës me peshq. Gjergji një prej tregtarëve në tregun e uzinës dinamo, tregon për gazetën SOT se gjendja në këtë treg nuk ka ndryshuar aspak ashtu si 15 vjet më parë. E njëjta situatë, njësoj si plot një dekadë e gjysëm më parë, as kontrolle, as ushqime të sigurta papastërti maksimale, produkte që shiten në kushte skandaloze e jo vetëm kaq. Sipas këtij tregtari ka plot produkte që kurrë nuk kontrollohen edhe këto kryesisht janë ato të cilat ndodhen në pjesën fundore të markatës aty ku bosat e shitjes janë edhe më të favorizuarit nga inspektorët e higjienës që rallë herë vënë ndonjë gjobë si për të justifikuar punën e tyre. Në shumicën e rasteve tregtarët e mëdhenj, u japin ryshfete të vazhdueshme inspektorëve të cilët janë mësuar me këtë gjë, dhe kohët e fundit nuk po u bien në qafë as tregtarëve që mundohen të mbajnë frymën me ato pak para që fitojnë në treg duke shitur ndonjë kg gjalpë apo gjizë të bërë vetë në kushte shtëpie.


Paradoksi
Paradoksi më i madh është pikërisht aty, ku zhuli e papastërtia shoqërojnë në çdo moment produktet e shumëllojshme pasi shitja e tyre është jashtë çdo standardi higjiene. Përpos kësaj të vërtete nëse të duhet të bësh një xhiro në gjithë hapësirën e tregut ushqimor tek uzina dinamo sheh pambarim njerëz që hyjnë e dalin me çanta të mbushura plot me fruta perime, qumësht, mish, e produkte ushqimore nga të gjitha llojet. Këdo që të pyesësh nëse ka një vend e një treg në të gjithë kryeqytetin ku të blihen produkte më të lira është vetëm pazari i uzinës dinamo. Aty ku sipas tregtarëve mund të gjesh edhe qumësht blete që shërben për shërimin e disa sëmundjeve. Edhe pse hezitojmë të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak joshemi për të blerë produkte të shumëllojshme që nga veshjet e deri tek peshku, apo që nga kosi e djathi e deri tek produktet për fytyrën, pikërisht aty ku çmimet janë thembra e akilit. Në tregun e uzinës dinamo një kg djathë që në të gjithë Tiranën shitet me çmim stratosferik aty ky çmim është tepër i leverdishëm. Ndaj dhe qytetarët nxitojnë nga të gjitha lagjet e kryeqytetit të blejnë produkte të lira, paçka se higjiena në to është problemi më i madh e papastërtia e tyre mund të përbëjë rrezik deri në helmim ushqimi. Tezgat në gjendje skandaloze, ku varen minj e mace e jo vetëm merimanga qëndrojnë mbi produktet ushqimore të qumështit që shiten pothuajse në mes të rrugës. Për mos të përmendur produktet e mishit që kushedi se që kur kanë të varura në mbajtëset e hekurta të pakontrolluara e që nga temperaturat e larta lëshojnë lëndë ndryshku pikërisht në kofshët e mëdha të bagëtive të therura. Ky produkt nga qëndrimi shumë i gjatë në ambient të papastër e jo në temperatura të ngrira duket pothuajse i tjetërsuar në ngjyrë e nga ngjyra e zakonshme është shndërruar në një ngjyrë rozë të lehtë. Përtokë mbeturinat e mbetjet e mishit, janë kthyer në ushqimin e bollshëm të insekteve që janë më shumicë edhe në brendësi të frigoriferit të akullores, pikërisht aty ku tregtarët kanë futur për të tregtuar produktet e mishit, mëlçinë, filetot e bëra gati. Në këto ditë të nxehta, ku vapa dhe temperaturat e larta kërkojnë jo pak kujdes më moskokëçarësit duken sikur janë vetë tregtarët të cilët në shumicën e rasteve janë të regjur me këto punë.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›