E Diel, 1 Nëntor 2026

AKKP, 10 milionë euro kompensim për tokat e zëna nga legalizimet

Ish-pronarët do të rimbursohen me 10 milionë euro. Bëhet fjalë për pronarët e tokave që janë zënë nga procesi i legalizimit. Ish- pronarët e tokave të zëna nga ndërtimet pa leje do të jenë përfitues të rreth 10 milionë eurove të grumbulluara nga

ALUIZNI, të cilat do të shpërndahen nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave. Burime zyrtare nga AKKP bëjnë të ditur se ky përfitim do të shpërndahet vetëm 5 ditë pasi vendimi i qeverisë i datës 19 maj 2010 të hyjë në fuqi duke u botuar në fletoren zyrtare. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ALUIZN ka grumbulluar mbi 1 miliard lekë të reja e cila do të shpërndahet këtë radhë. Kjo do të jetë rreth 10 për qind ose 20 për qind e parave që shteti do u japë këtyre ish- pronarëve. Të gjithë subjektet që janë në ato lista do të kenë mundësi të marrin këstin e parë të parave të tyre. AKKP do të përqendrohet në zbatimin e gjashtë vendime të Këshillit të Ministrave që përcaktojnë listën dhe shumën përkatëse kundrejt çdo emri. AKKP me VKM e miratuar para pak ditëve do bëjë thjesht rolin e arkëtarit në shpërndarjen e parave për këta persona. Kjo do të jetë shpërndarja e parë e parave për ish pronarët tokat e të cilave janë zënë me ndërtime pa leje. Sipas burimeve nga AKKP ish-pronarët, tokat e të cilëve janë zonat ku u kryen legalizimet duhet të paraqiten pranë AKKP-së për të plotësuar një formuar. Në bazës të aplikimit do të kryhet përllogaritja e vlerës së truallit që do të kompensohet. Bëhet fjalë për 5400 ish-pronarë, të cilët pritet të përfitojnë nga kompensimi. Procedura që duhen të ndjekin ish-pronarët është bërë e ditur nga burime pranë AKKP-së të cilat i referohen vendimit të qeverisë për shpronësimet e ish-pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga legalizimi i shtëpive. Burime nga AKKP kanë pohuar se në fillim të javës së ardhshme çdo ish-pronar duhet të drejtohet në zyrën e AKKP-së për tu informuar për të gjitha procedurat që do të ndjekë në mënyrë që të marrë dëmshpërblimin që i takon. Ish-pronarët do të marrin fillimisht këstin e parë të kësaj vlere që është 20 për qind e vlerës së kompensimit. Janë rreth 48 849, 90 m², tokë truall të zëna nga ndërtimet pa leje për të cilat Qeveria do tu japë ish-pronarëve 758 milionë lekë. Pak kohë më parë Qeveria miratoi listën e pronarëve të cilët përfitojnë dëmshpërblim ndërkohë që janë përcaktuar dhe procedurat që do ndiqen për këtë proces. Sipas vendimit të miratuar nga Qeveria në njoftimin publik duhet të përcaktohen: a) gjeneralitetet e përfituesit; b) periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; c) dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; ç) vlera e tarifës së shërbimit; si dhe d) detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë.

Last Updated on E Shtune, 03 Korrik 2010 21:18

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›