Tregu midis Atlantidës së Vjetër dhe të Re
Në vitin 1626, Francis Bacon parashikonte një shoqëri që të përputhte kënaqësitë materiale me ato të shpirtit. Me gjithë dëshminë nuk e kemi gjetur akoma. Nga një kulturë në të cilën punës materiale i harmonizoheshin artet dhe lutja, kemi kaluar në ekonominë e globalizuar. Një proces në të cilin nuk janë të huaja as feja, as shkenca. Mund të ketë rezultate të mira, problemi është që t’i individualizosh.
Tek “Atlantida e Re” (1626), filozofi Francis Bacon (1561 – 1626) paraqet një shoqëri futuriste të kushtuar zbulimeve shkencore dhe krijimin e përmbushjes së dëshirave të njeriut. Nga ana tjetër ka akoma vend tek “Atlantida e Re” e Bacon për fetarët eremitë dhe për personat e tjerë plotësues: mjafton që të bëhen të dobishëm për shoqërinë dhe objektivat e saj. Kush vendos që të meditojë sipër një kolone për vite të tëra është i lirë që ta bëjë, por ndërsa qëndron atje lart do të ishte me vend që të bënte vëzhgime arkeologjike dhe meteorologjike. Nga ana e tij, kush parapëlqen të lutet në një shpellë, duhet të merret edhe me rilevime mineralogjike dhe me eksperimente kimike.
Në pjesën më të madhe të botës perëndimore të sotme ka më pak përfshirje të drejtpërdrejtë të fesë në funksionimin e shoqërisë sesa parashikonte Bacon. Deri në debutimin e krizës financiare aktuale, në korrik të vitit 2007, pothuajse të gjithë i përkushtoheshin krijimit dhe përmbushjes së dëshirave të paktën po aq sa njerëzit e Atlantidës së Re, por duke menduar në mënyrë ekskluzive ndaj pasurisë personale.
Është e natyrshme që të pyetet nëse kriza aktuale shënon fundin e epokës së “përmbushjes së dëshirave”. Në periudhë afatmesme, ndoshta jo. Për momentin po verifikohet një reagim ndaj teorisë financiare të “pasurisë së aksionerit”, që ka qenë dominuese në vitet e fundit, sipas të cilës objektivi kryesor i aktivitetit financiar duhet të jetë ai i rritjes së vlerës së aksioneve dhe të dividendëve për aksionerët e kompanive, përfshi bankat. Pas vitesh rritjeje konstante, në përgjithësi sot treguesit aksionerë kanë zbritur në nivelet e dhjetë viteve më parë. Janë ngjallur edhe polemika – dhe në Shtetet e Bashkuara janë adaptuar iniciativa konkrete – kundër zakonit për t’u dhënë administratorëve bonuse dhe rroga të majme. Ish-Presidenti i Bankës Qendrore Amerikane, (US Federal Reserve) Alan Greenspan, ka rrëfyer kohët e fundit se ka gabuar kur ka besuar se bankat do të kujdeseshin për institucionet dhe investitorët e tyre. Por ndoshta asnjë prej këtyre teorive apo të zakoneve nuk do të ndodhte në qoftë se më parë nuk gjendet ndonjë perspektivë dhe ndonjë strukturë e re në gjendje që të zëvendësojë modelin e vjetër të entiteteve shoqërore të përbërë nga aksione dhe gjithçka që sjell një model i tillë.
Lidhje të pandashme
Pavarësisht se në opinionin e rëndomtë globalizimi është fajtor për vështirësitë aktuale financiare, as ky model ka mundësi që të ndryshojë shumë në periudhën afatmesme. Vende të ndryshme të rëndësishme janë dukur të gatshëm për një hap prapa respektivisht botës së globalizuar, duke adaptuar strategji proteksioniste, por në praktikë çdo rast i verifikuar deri më tani ka treguar se ndryshime të kësaj natyre përmbysen me shpejtësi. Tepër të forta janë lidhjet midis ekonomive të ndryshme që plotësojnë nevojat e vendeve të ndryshme si respektivisht furnizimit, ashtu dhe kërkesës, përderisa, edhe një herë akoma, nuk duket e disponueshme asnjë alternativë ndaj modelit aktual të tregtisë ndërkombëtare.
Në Shtetet e Bashkuara njohja e këtyre lidhjeve ka qenë e dukshme si në reagimin e Kongresit, ashtu dhe të Shtëpisë së Bardhë ndaj kritikave të jashtme të një aspekti të paketës të “stimulimit ekonomik” të propozuar nga Presidenti Barack Obama. Kjo paketë përmban një klauzolë që i detyron kompanitë, objekt i ndihmës shtetërore, që të përdorin vetëm hekur, çelik dhe prodhime amerikane. Përpara kërcënimeve, nga ana e Bashkimit Evropian dhe e vendeve të tjera, për t’iu përgjigjur këtij proteksionizmi me programe po aq proteksioniste dhe, për pasojë, të dëmshme për eksportimet amerikane, në paketë është futur me shpejtësi një klauzolë për të mbrojtur marrëveshjet tregtare ndërkombëtare tashmë në fuqi.
Në profilin politik kjo duket se demonstron dëshirën nga ana e administratës “Obama” për të bërë të duket se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme që të dëgjojnë opinione të jashtme, ashtu siç mund të konsiderohet një njohje e faktit që ata duhet të përballojnë sfidën për ta çuar përpara këtë sistem të globalizuar që në një masë të madhe e kanë krijuar dhe promovuar. Në terma praktikë, evidenton edhe njohjen e vetëdijes se pavarësisht ekonomia e brendshme e tyre përfaqëson akoma motorin më të madh të financës botërore, Shtetet e Bashkuara do të arrijnë t’i kalojnë vështirësitë e tyre aktuale vetëm falë eksportimit.
Vende të tjera të dorës së parë reflektojnë të njëjtat preokupime. Kina ka ndryshuar shumë dhe është zhvilluar shumë ekonomikisht, por do t’i rezultonte jashtëzakonisht e vështirë – për të mos thënë e pamundur – që të tërhiqej nga bota e tregut, edhe pse ky do të dukej një opsion tërheqës. Monedha kineze është e lidhur me atë amerikane dhe rritja e ardhshme e Kinës varet shumë nga eksportimet drejt tregut amerikan. Ndërkaq Kina ka filluar të ndiejë efektet e një reduktimi të investimeve të huaja për shkak të krizës financiare globale. Duke përftuar më pak kapital dhe më pak dije nga jashtë, sidomos në sektorin banking, qeveria kineze do të jetë e detyruar që të bëjë shumë më tepër për ta stimuluar ekonominë, por ndoshta kjo ka mundësi që të mos e ndryshojë në periudhën afatmesme raportin e ndërvarësisë midis Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës. Monedha ruse është vënë kohët e fundit nën sulm nga një spekulim i egër, edhe për shkak të një reduktimi të ndjeshëm në fitime të ardhur nga eksportimet në vijim të çmimit të ulur të naftës. Qeveria ruse ka përdorur pjesën më të madhe të rezervave të saj në impenjimin për të forcuar rublën. Shumë vëzhgues, si një efekt të pashmangshëm pas njëzet vitesh përfshirjeje në ekonominë e globalizuar, parashikojnë një tërheqje të afërt të Rusisë në brendësi të perandorisë së saj. Megjithatë, edhe për Rusinë, çfarëdo rruge që të vendosë të ndjekë politika e brendshme e saj, tregtia ndërkombëtare do të mbesë thelbësore për të riekuilibruar situatën. Eksportimet e gazit dhe të naftës do të mbesin jashtëzakonisht të rëndësishme në këtë ndodhi, por për të konsoliduar ekonominë dhe pozicionin politik të saj në glob Rusia do të ketë nevojë edhe të përmirësojë lidhjet e saj me pjesën tjetër të botës, sidomos me Evropën.
Shumë vende në pjesë të ndryshme të planetit do të tentojnë që ta luftojnë krizën nëpërmjet një larmie ndërhyrjesh, ndër të cilat spikat futja e pronësisë shtetërore në nivele që nuk janë verifikuar prej vitesh. Në qoftë se duhet të gjykojmë nga mënyra me të cilën është paraqitur shumica e këtyre ndërhyrjeve, qëllimi i tyre është që t’i përgjigjen një krize afatshkurtër dhe jo të zëvendësojnë sistemin aktual financiar me diçka të ndryshme. Me fjalë të tjera, kur kriza do të jetë zgjidhur, sistemi financiar do të jetë ndryshe – dhe të gjithë shpresojnë që do të jetë përmirësuar – por maksimumi do të jetë një version më i mirë i sistemit të vjetër. Alternativat e vetme në dukje, ekonomitë e centralizuara e të programuara, përfaqësojnë modele që tashmë janë provuar dhe që janë demonstruar të pamjaftueshëm në aspekte të ndryshme.
Feja qëndron
Arsyet që i paraprijnë kësaj vijueshmërie të mundshme zbresin në motivacione të shekujve më parë. Nga kohërat e Bacon-it e këtej, dëshirat materiale dhe mjetet për t’i përmbushur ato kanë njohur një rritje pothuajse të vazhdueshme. Në këta 400 vjet ka pasur kriza të ndryshme më të rënda se kjo aktuale. Pavarësisht kësaj, progresi i globalizimit, duke nxitur dëshira dhe kënaqësi të lidhura si kurrë më parë në histori, i ka dhënë kësaj periudhe të historisë botërore më shumë vijueshmëri se pjesa më e madhe e periudhave të tjera. Impulse të ndryshme kanë kontribuar që të krijohet një ritëm i tillë avancimi që ndoshta nuk do të mund të ndalet më kurrë tani.
Një prej këtyre impulseve ka qenë feja. Pushtimi islamik i Kostandinopojës (Stambolli i sotëm) dhe reforma protestante i kanë dhënë një përshpejtim të madh eksplorimit dhe tregtisë. Humbja e tregjeve lindore për shkak të ekspansionit islamik i shtyu shumë evropianë që të shikojnë nga Perëndimi dhe bota e re për mundësi të reja. Në të njëjtën kohë, kontakti në rritje i botës islamike me tregje të ndryshme stimuloi rafinimin e teknikave të financës islamike. Në përgjithësi, vendet islamike shfrytëzonin botën e re me mënyrën e vjetër mesjetare apo rilindase: të pushtonin një territor, t’i gllabëronin resurset (sidomos metalet e çmuara) dhe të ktheheshin në shtëpi. Qenë vendet protestante të Evropës Veriore dhe territore të ndryshme myslimane (por këto të fundit duke marrë parasysh kufizimet islamike lidhur me përqindjen e interesit) që zhvilluan një model të ri ekonomik, i cili ka formësuar botën tonë dhe që ndoshta do të vazhdojë ta bëjë: krijimin dhe financimin e tregjeve të reja nëpërmjet debitimit.
Ka qenë modeli protestant ai që ka influencuar më gjerësisht botën nga pikëpamja ekonomike. Të lira nga kufizimet lidhur me përqindjen e interesit të imponuara nga normativa papnore, vende protestante me tradita fuqimisht merkantiliste si Vendet e Ulëta, Anglia, Gjermania dhe Skandinavia krijuan tregje të reja për tregtinë. I gjithë ky eksplorim dhe iniciativa bashkëkohore tregtare është shtyrë fillimisht dhe në pjesën më të madhe nga feja. Protestantizmi tendencialisht e shikoi zbulimin dhe shfrytëzimin e resurseve të botës si ndjekjen e një rruge të paracaktuar nga vetë Zoti, si furnizues i gjithçkaje. Të krijoje pasuri ishte kështu në përputhje me detyrimin fetar.
Filozofia e Bacon-it sugjeronte se shkenca duhej të punonte së bashku me fenë për të gjetur objektiva dhe dëshira materiale të reja, si dhe mënyra për t’i plotësuar ato. Të paguaje në të ardhmen për të pasur diçka është ekuivalente me marrjen e borxhi. Të paguaje më shumë në të ardhmen për të pasur diçka tani është të marrësh një borxh me përqindje interesi. Me kalimin e kohës, komponentja fetare e kësaj filozofie ka ardhur duke e zhdukur në Perëndim, duke na lënë në trashëgimi sistemin e dukshëm materialist që tashmë e kemi familjar.
Vendet katolike kanë harxhuar më shumë kohë për të zhvilluar struktura analoge. Grupe intelektualësh spanjollë të Rilindjes – e ashtuquajtura “shkollë e Salamankës” – propozuan doktrina të markës moderne, por impakti i këtyre doktrinave është ngadalësuar shumë nga kundërshtimi i mbretërve, perandorëve dhe papëve. Midis parimeve më të rëndësishme të shkollës së Salamankës numërohet ius peregrinandi, domethënë e drejta për çdo qenie njerëzore të udhëtojë e të bëjë tregti në të gjithë globin, cilatdo qofshin qeveritë apo feja. Shkolla propozonte një teori – në atë kohë revolucionare – të konceptit të vlerës tregtare, sipas së cilës ato që do të përcaktonin çmimet do të ishin mekanizmat e kërkesës dhe ofertës në kuadër të një tregu të lirë. Në të njëjtën kohë, kjo shkollë provonte të tejkalonte nëpërmjet teorive të ndryshme kundërshtimin katolik ndaj konceptit të përqindjes së interesit, sidomos falë idesë se paraja në vetvete ishte një e mirë e prekshme nga të qenit e blerë apo e shitur si çdo tjetër me një çmim të përcaktuar (në këtë rast, përqindja e interesit). Diversiteti i progresit historik të vendeve katolike shpesh haset akoma sot: për shembull, Franca ndjek një model kapitalizmi shtetëror në të cilin qeveria është ngushtësisht e përfshirë në pjesën më të madhe të sipërmarrjeve kryesore. Ky sistem bazohet nga sa është përcaktuar nga Jean-Baptiste Colbert, ministër i Financave i Mbretit Luigji XIV në gjashtëqindën.
Islami rezistues
Bota islamike ka qenë e vetmja që ka arritur t’ rezistojë deri më sot – në mënyra të ndryshme në rajonet e ndryshme të tij – këtij procesi të pandërprerë. Ligji islamik (sheriati) synon akoma që t’u zbatojë parime fetare transaksioneve financiare që kanë krijuar shumë prej pasurisë globale të kohëve të fundit. Por vështirësitë financiare aktuale të shumë vendeve islamike demonstrojnë se sa vetë ata janë të përfshirë në sistemin botëror.
Disa kritikë theksojnë se pjesa më e madhe e financës islamike do të ishte në realitet një mënyrë komplekse për të shmangur ndalimin me normë të sheriatit të përqindjes së interesit, duke gjeneruar në të njëjtën kohë transaksione që replikojnë efektin tregtar të përqindjes së interesit. Për pasojë, financa islamike krahasohet nganjëherë me contractum trinius (domethënë “grup me tri kontrata”) të zhvilluar në Evropën e Mesjetës së vonshme për të tejkaluar ndalimin e lashtë katolik lidhur me përqindjen e interesit. Në contractum trinius pjesa financuese i huan para debitorit sipas një kontrate investimi, duke blerë nga debitori garancinë respektivisht vetë investimit të tij, për t’i shitur më pas të drejtën për të përfituar çdo mbivlerë rezultuese nga investimi mbi një prag të caktuar. Në këtë mënyrë debitori siguron përdorimin dhe financuesi përfiton përqindjen e rënë dakord dhe bile edhe mbrohet nga paaftësia për ta paguar e debitorit: me fjalë të tjera, një hua me përqindje interesi.
Është thënë se shumë transaksione financiare islamike funksionojnë në mënyrë të ngjashme. Për shembull, në një transaksion murabaha (të përdorur shpesh në tregti) palët bien dakord që banka të blejë një mall nga një furnizues dhe më pas t’ia shesë këtë mall debitorit me një çmim më të lartë tashmë të përcaktuar. Diferenca midis këtij çmimi më të lartë dhe çmimit fillestar të paguar nga banka shpesh paguhet më këste dhe përfaqëson praktikisht përqindjen e interesit mbi huan e dhënë debitorit. Struktura përfshin shpesh mekanizma mbrojtjeje për bankën respektivisht falimentimit eventual nga ana e debitorit, për shembull një fidejuson të një garanti apo një të drejtë të bankës për të shitur në rast vonese pagimi. Pavarësisht drejtësisë së këtyre kritikave, zhvillimi i financës islamike ka ndjekur tendencën e përgjithshme të financës perëndimore për të lëvizur drejt krijimit të tregjeve të globalizuara dhe strukturave më fleksibël. Avantazhi dominues i globalitetit është shtyrë edhe nga një shpikje tjetër që i përket epokës së Sir Francis Bacon: metodës shkencore. Nga ajo periudhë e këtej, vëzhgimi, eksperimenti dhe ndërtimi mbi bazën e dijeve të kaluara e kanë çuar kërkimin shkencor në përparime të pandërprera. Një prej rezultateve të metodës shkencore është pamundësia që një teori apo sistem i çfarëdoshëm do të ripërdoren sapo të tejkalohen. Kjo sjell që sistemi apo teoria aktualisht mbizotëruese do të vazhdojnë deri kur nuk do të gjendet diçka më e mirë. Ky proces është bërë aq i natyrshëm, sa që bile nuk mendojmë më. Kjo shpjegon, për shembull pse ndoshta nuk do të kurorëzohet më kurrë një perandor i ri në Evropë. Në kuadër të financës nënkupton edhe se kapitali do të vazhdojë të sigurohet nëpërmjet debitimit dhe kuotave aksionare, si dhe të investohet më pas në të gjithë botën.
Kështu, për momentin, drejtimi i vetëm është “gjithmonë përpara”, si në Atlantidën e Re. Duhet të shpresojmë vetëm se nuk do të mbytemi përgjatë rrugës ashtu si Atlantida e Vjetër.
Përgatiti
ARMIN TIRANA