E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shqiptare; Për herë të parë me sindikatë, për të mbrojtur problemet e tyre



Policia shqiptare do të ketë për herë të parë në histori sindikatën e saj, për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e çdo punonjësi policie. Ditën e djeshme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, u firmos Kontrata Kolektive ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. Sipas marrëveshjes, fusha e zbatimit të kësaj kontrate përfshin jo vetëm punonjësit e policisë në detyrë, por edhe ata që trajtohen me pagesë kalimtare, pension të parakohshëm dhe ata me pension pleqërie. Në kontratën e firmosur nga kreu i policisë dhe ai i sindikatës së policisë janë përcaktuar qartë dhe rregullat e marrëdhënieve juridike të punës dhe respektimi i të drejtave dhe detyrimeve ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Sindikatës së Punonjësve të Policisë. Marrëveshja e ditës së djeshme është shumë e rëndësishme për punonjësit e Policisë së Shtetit, pasi tani hapet një kapitull i ri në zyrtarizimin e mbrojtjes së interesave të tyre nëpërmjet sindikatës së tyre.

Kjo kontratë u firmos nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadedin Fishta. Në fjalën e tij, numri një i Policisë së Shtetit deklaroi mbështetjen nga ana e institucionit që ai drejton për kontratën, si dhe zbatimin dhe respektimin e detyrimeve që rrjedhin prej saj. “Për herë të parë në historinë e policisë shqiptare krijohet një sindikatë për të mbrojtur interesat e çdo punonjësi policie. Kontrata e nënshkruar ditën e sotme tregon se Policia e Shtetit çdo ditë e më tepër po shkon drejt konsolidimit dhe përafrimit të saj me policitë homologe të vendeve evropiane”, - u shpreh Prençi.

Nga ana e tij, drejtori i sindikatës, Fishta, u shpreh se “firmosja e kësaj kontrate në prag të një evenimenti shumë të rëndësishëm, futja e Shqipërisë në NATO, është një arritje e madhe e cila finalizon të tërë përpjekjet tona për një përfaqësim dinjitoz dhe mbrojtje të drejtë të interesave të punonjësve të Policisë së Shtetit”. Tashmë me krijimin e Sindikatës, çdo efektiv i Policisë së Shtetit ka një institucion ku mund të drejtohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve të tij. Nëpërmjet saj synohen që të mbrohen interesat e punonjësve të policisë, gjatë punës së tyre në vend.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›