“Vatra” mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur shqiptar”-Konica
Homazh për vatranët e martirizuar
Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka kishte të shtrenjtë për të shpëtuar Shqipërinë. Siç ka theksuar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës në dhjetëvjeçarin e parë të Shekullit XX, sekretari i Komisionit të bashkimit të shoqërive, që vepronin në SHBA më 1912, - “Vatra” mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Delegatët e Shqipërisë që i shërbyen çështjes kombëtare në çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë Botërore e më pas, u financuan nga Vatra. Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë, si dhe agjenci të huaja të specializuara, që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga “Vatra” në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë jetike për kombin.
Sa për kujtesë të lexuesve, në gjuhën e shifrave shpenzimet e “Vatrës”, vetëm gjatë Luftës së Parë Botërore dhe pas saj, arritën në 197.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që shqiptarët s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.
Një kontribut i çmuar i “Vatrës” ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare. “Dielli” dhe Federata “Vatra”, zgjuan nga plogështia jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë. Ndihma që dha ”Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohueshme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”, ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Ortodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.
Pas Luftës së Parë Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut dhe shumë nga ata lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Mirëpo shumë prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë fajtorë e pa u gjykuar si të tillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e cila shumëzoi me zero kontributin kombëtar.
Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda, sic ndodhi në Shqipërinë e diktaturës komuniste. Ajo Vatër që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar ideologjinë komuniste.
Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Editori Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij. Kristo Kirka, kryetar i “Besa – Besën”,krahu i djathtë i Nolit në krijimin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, delegate i krijimit të Vatrës, kryetar i degës së Vatrës në Boston, nënkryetar i Federatës më 1915, menazher i Diellit më 1912, deputet në Parlamentin shqiptar për katër vite, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i bashkisë së Korçës, ironikisht shpërblehet duke e dërguar në qelitë e ferrit të Burrelit, ku shpirti atdhetar iu shua pa nxjerrë një shenjë pendimi për ç’kishte bërë për kombin. Tek do ta vajtonte atdhetarin e orëve të para, bashkëvuajtsi i tij, poeti i antidiktaturës Arshi Pipa, do të klithte dhimbshëm:
Vdiq flamurtari i moçëm!/ Si rrojti, vdiq:me nder./I pastër, i devoçëm, E pa u- përkulë nji herë…./Nuk fali, nuk mallkoi./ Por kur fjala ju-pre/ndigjuem qysh thellë ankoi:/”Për Flamur!...për atdhe.”…
Atdhetari i moçëm u shua me 28 prill 1955 në qelitë e Burrelit!
Ç’faj kishte bërë Kolë Tromara, kryetar i Vatrës më 1916, kryetari i Vatrës më 1918, kryeministri i Shqipërisë, që i kishte dhënë Shqipërisë gjithçka kishte të shtrenjtë? Po Andon Frashëri, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandanti i 200 vullnetareve shqiptaro-amerikan qe erdhi me 1920 ne Shqipëri per t’i ndihur Mëmëdheut se bashku me Banden e Vatrës? Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Edhe shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të dhunës.
Vatranët që kishin ndezur ëndrrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të idealeve kombëtare.
...