"Tregues i një krize shoqërore në rritje në Greqi
Këtu situata është shumë e tensionuar. Ka luftë guerrile me policinë. Protagonistë janë anarkistët dhe studentët.
Një analizë e ftohtë, aq sa mund të jesh i ftohtë në momente të tilla, të thotë që është shumë "interesante" kjo që po ndodh në Greqi. Në radhë të parë, Greqia, këtë moment është gati pa qeveri. E dyta, vite tashmë, policia ka dalë jashtë kontrollit. Thjesht viktimat ishin emigrantët. Tani që janë vetë grekët, madje grekë nga familje të pasura, bëhet nami. E vërteta është që vrasja e 15-vjeçarit, konsiderohet vrasja më e kobshme me autor shtetin, që pas Juntes ushtarake. Mos harrojmë se në Greqi policia është një institucion - si kudo - i pademokratizuar. Që nga '450-a deri në '75-n, Greqia ishte një shtet i ekstremit të djathtë, ku persekutohej nga policia gjysma e grekëve (të majtët). Pas rënies së Juntës, policia mbeti pa armiq. Në fillim të viteve '90, "armiqtë" ishin emigrantët. Tani u shtuan edhe anarkistët.
Megjithatë, shpërthimi i dhunës në Greqi, të kujton shpërthimin e dhunës në getot e Parisit para trë vjetëve. Veçse këtu, ishte në gjithë vendin dhe viktima nuk ishte një varfanjak apo proletar, por një fëmijë i borgjezisë. Origjinaliteti grek, si gjithmonëë. Protagonistë janë të rinjtë. Përveç të tjerave është tregues i një krize shoqërore në rritje në Greqi.
Greqia bëri një hop ekonomik të paparë '30 vitet e fundit. Kjo, falë zhvillimit të turizmit, por edhe falë punës prej bujkrobërish të rreth 800 mijë shqiptarëve. Ndërsa gjithë Evropa shkoi të kërkonte krahun e lirë të punës në Afrikë, Greqisë, krahu i lirë i punës i erdhi tek dera. Me kosto zero, e madje me një nënshtrim e bindje shembullore. Një krah i lirë që, jo vetëm punonte lirë, por edhe pranonte të nëpërkëmbej si rrallë ndonjë qenie shoqërore e shekullit XXI. Por, duket se tani ekonomia greke, shoqëria greke, ka arritur në një pikë kritike.
Brezi i ri ndjen rrezikun e proletarizimit dhe duke parë krizën ekonomike, që vjen gjithmonëë e më shumë në rritje, identifikohet me ekstremin e majtë. Shyqyr që nuk identifikohet me ekstremin e djathtë, fundja e fundit. Përveç kësaj, qeveria e tanishme është jo-ekzistuese. Këto janë ca mendime të shpejta. faleminderit për hapësirën që na jepni përditë.