MAGJIA E NGJASHMËRIVE
Moikom ZEQO
Moikom Zeqo: - Si je, Frederik?
Frederik Rreshpja: - Sa e vështirë është për të vdekur. Do të doja të vdisja. Për shkak të shëndetit të keq. Por vdekja nuk më përfill. ǒtë bëj tjetër? Po ti, çfarë po punon?
M.Z.: - Ja, po merrem përvujtërisht, ndoshta si heretik, me poetët dhe filozofët e vjetër kinezë. Një bërthamë libri. Më saktë, një bërthamë imazhesh. Jam kaq i plogët, sa s’më bën përshtypje më asgjë. Përveç habive estetike, më ka robëruar një lloj mistike tepër kontradiktore, delikate dhe e vrazhdë. Po bëj një skaner në shqip të hieroglifeve. Vetëm kaq. Jo më shumë. Çudi, shpesh mendoj se në lirikat e tua të holla, Frederik, ka disa fanitje, ndoshta halucinacione nga poetët klasikë kinezë. Të jenë të rastësishme?
F.Rr.: - Ti e di, Du Fu dhe Li Bo janë për mua kryemjeshtra. Ashtu si De Rada ynë. De Rada e ka kuptuar i pari mjeshtërinë imazhiniste. Si askush. Kujto p.sh. vargun madhështor “Lisa bota kish ndëruar”.
M.Z.: - Ke të drejtë. Duket sikur De Rada ka jetuar dhe ka pirë verë me poetët Li Bo dhe Du Fu. Figurat dhe metaforat e De Radës kanë një transparencë kozmike. De Rada flet për Diellin që, kur perëndon, duket sikur fshihet nën tokë si nënat, që kënduan valle para shumë shekujsh. Te balli i një vajze hijeshon një mendim. Bie bora mbi det dhe mbi leshterikë, duke zbardhur krahët e pulëbardhës. Kur ëndërron, poeti thotë: “Thua se trupi po më largohet”. Ja dhe këto vargje të pashembullt:
Luleja e hapur
Një të hëne plot hare,
Të enjten duke u bërë e bardhë
Thua se po e sheh të dielën?
F.Rr.: - Duket sikur këto vargje janë shkruar në shekullin e artë të poezisë klasike kineze. De Rada është i mbushur plot mrekulli të tilla. De Radën me poetët e vjetër kinezë e lidh natyra, deti, era, stinët. Lëvizjet ciklike të Diellit dhe të Hënës. De Rada është një poet i madh, që vjen nga natyra. Nga konkretja. Edhe metaforat e tij më abstrakte janë plot kozmogoni.
M.Z.: - Lidhjet e shkurtra janë shumë inkandeshente, pëlcitëse, të fishekzjarrshme, emocionpërhapëse, natyrëpllenuese. Ndoshta magjia është brenda vetë gjuhës shqipe. Kjo magji e stërlashtë ruan diçka nga zanafilla e krejt botës dhe e të gjitha gjuhëve të vdekura e të gjalla. Amen!
Tiranë, korrik 2004
GJETHET
Arnisa: - Alo, babi. Unë jam mirë. Po ti si je?
Unë: - Jam mirë, Arnisa. Pas dy ditësh do të nisem në një udhëtim të papritur në Kinë.
Arnisa: - Ua, Sa mirë! Madhështore babi!
Unë: - Ti e di, që të kam folur për poetët e mi të zemrës, Li Bo dhe Du Fu. Ata janë përralla ime e Kinës. E Kinës virtuale. Çfarë do të të sjell nga Kina, Arnisa?
Arnisa: - Çfarë dua? Hm… dua të më sjellësh gjethe të pemëve të ndryshme. Mendoj, se ato janë si harta të vogla poetike. Këto gjethe do t’i mbaj përherë.
Unë: - Vërtet dëshiron të të sjell gjethe nga Kina?
Arnisa: - A ka dhuratë më interesante? Gjethet janë gjithçka. Gjethet janë pikturat më të çuditshme të natyrës. Gjethet janë të lexueshme si hieroglifet kineze. Gjithë popujt kanë hieroglife. Por këtë gjë nuk e dinë. Gjethet e pemëve në Shqipëri, apo dhe këtu në Amsterdamin ku studioj, janë hieroglife. Për fat të keq, njerëzit nuk e dinë këtë gjë. Për fat të keq, njerëzit nuk kanë vullnet dhe fantazi për t’i lexuar.
Unë: - Po më befason, bija ime! Më tepër mençuri ka në kërkesën tënde, sesa në idetë e mia. Ah, të kisha mundësi të të sillja gjethe nga të gjithë pyjet e kontinentit kinez…!
Durrës, korrik 2004
9 Mars 2009