Mitrovicë, sulm me armë në rajonin e SHPK-së, plagoset polici
Një person i paidentifikuar ka qëlluar gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm me armë në drejtim të rajonit të policisë së Mitrovicës duke plagosur një polic. Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK) ka njoftuar se në mëngjesin e ditës së djeshme rreth orës 01:40, para stacionit Policor Jugu në Mitrovicë është paraqitur një person rreth 35 – 40 vjeç, i cili pas kontaktit me policët, papritmas ka nxjerrë pistoletën dhe ka filluar të qëllojë drejt tyre. Një polic i Shërbimit Policor të Kosovës ka marre plagë në pjesën e sipërme të trupit, në anën e djathtë të belit. Pjesëtarët e tjerë të SHPK-së të cilët ishin të pranishëm i janë përgjigjur të shtënave me armë zjarri duke e plagosur agresorin. Të dy, edhe sulmuesi edhe pjesëtari SHPK-së janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim mjekësor, ndërsa më vonë është mësuar se gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar. Në njoftimin për shtyp që ka shpërndarë shërbimi Policor i Kosovës nuk përmendet nëse agresori është me kombësi shqiptare apo serbe. Policia është duke punuar për identifikimin e të dyshimtit. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Besim Hoti deklaroi për mediat se identiteti i personit që qëlloi në drejtim të rajonit të Policisë së Mitrovicës nuk dihet ende pasi ai nuk kishte asnjë dokument identifikimi. Për këtë arsye ky rast paraqet vështirësi megjithatë gjithçka do të sqarohet kur agresori të jetë në gjendje më të mirë shëndetësore. “Identiteti është plotësisht i panjohur për ne, çfarë do të thotë se nuk e dimë as nacionalitetin e tij. Edhe motivet e rastit janë të panjohura për ne. Personi është në gjendje të rëndë shëndetësore, është pa vetëdije, pra nuk është në gjendje të komunikojë dhe është në trajtim në Qendrën Klinike në Prishtinë. Ai është në kujdesin e mjekëve dhe nuk ka kontakt me policinë”, - u shpreh zëdhënësi Hoti. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar edhe një pistoletë nga e cila dyshohet të jetë shtënë. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitë përkatëse policore si dhe prokurori, ndërsa Drejtorati i Krimeve të Rënda që vepron në kuadër të Komandës Kryesore të Policisë në Prishtinë është duke hetuar rastin.
16 Qershor 2008