E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të shpëtoni nga pagjumësia

Autori i Lajmit: red.
Njeriu një të tretën e jetës e kalon në gjumë. E dimë se ai është një shprehi dhe gjendje e pushimit, kohë gjatë së cilës, natyra e përtërin organizmin, por nuk e dimë se sa orë gjumë i nevojitet çdo njeriu. Nuk e dimë madje se a është gjumi i domosdoshëm. Kushti i parë për gjumë të mirë është ndjenja e sigurisë. Njëra nga mënyrat më të mira është ushtrimi i frymëmarrjes dhe i relaksimit. Dr. David Finku thotë se duhet ta bindim trupin që të flejë. Një nga mjetet më të mira që e shëron pagjumësinë, është edhe lodhja fizike. Çfarëdo pune të lodhshme fizike që bëni para se të flini, do t ju ndihmojë që të bëni gjumë të mirë. Nëse dëshironi të liroheni nga brengat që u sjell pagjumësia, respektoni këto rregulla: Mos harroni se nga pagjumësia nuk ka vdekur askush! Brengosja për shkak të pagjumësisë e dëmton organizmin tonë më shumë sesa pagjumësia. Mësohuni të relaksoheni! Praktikoni ushtrimet e frymëmarrjes dhe relaksimit!
Gjatë ditës lodhuni me ndonjë punë ose me ndonjë sport, sidomos para gjumit! Mos harroni se trupit të shëndoshë dhe të lodhur, gjumi i vjen vetvetiu!
Një e treta e njerëzve kanë probleme në lidhje me pagjumësinë. Pagjumësia është dukuri mjaft e përhapur në Evropë dhe Amerikë. Dr. Everet në artikullin të cilin shtypi mjekësor amerikan e ka publikuar në vitin 1990 thotë: ”Problemi i pagjumësisë është shkaku më i madh i ankesave në ordinancat shëndetësore amerikane. Një e treta e njerëzve kanë probleme në lidhje me pagjumësinë. Nga ky shkak narkotikët dhe sedativët më së shpeshti përdoren nga shtetasit e këtyre vendeve.”

Cilat janë shkaqet e pagjumësisë?
Pasuria dhe varfëria, dy mendime shqetësuese, që të lënë pa gjumë

Brenga dhe stresi
Janë shkaku më i përhapur i pagjumësisë. Edhe brengat vijnë nga shkaqe të ndryshme, si: nga lajmet e këqija të cilat i ka dëgjuar personi gjatë ditës; për shkak të varfërisë, kur njeriu mendon për kafshatën e bukës; për shkak të pasurisë, kur njeriu mendon për projektet dhe punët; për shkak të martesës ose pamundësisë për t u martuar; prej pikëllimeve dhe gëzimeve që i sjell jeta.
Sëmundjet trupore dhe ngrënia e tepërt
Ndër to mund të përmendim dhimbjet në shpinë, nyje, bark, dhimbja e kokës ose temperatura. Lirimi nga pagjumësia në këto raste mund të arrihet me lirimin nga këto sëmundje.
Ngrënia e ushqimit të rëndë para se të biem të flemë, sjell tretjen e rëndë të ushqimit që shkakton pagjumësi. Që në kohët e vjetra, mjekët zbuluan se “Një e treta e njerëzimit vdesin shumë herët, ngaqë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Një e treta tjetër vdesin shumë herët ngase e teprojnë në ushqim.”
Duhani, drogat dhe disa ushqime
Është e njohur se nikotina që gjendet në duhan, ndikon në mënyrë stimulative në tru dhe kjo mund të shkaktojë pagjumësi. Një numër i madh i dijetarëve, pirjen e duhanit e kanë konsideruar fajtor për problemet e zemrës, kancerit në mushkëri, bronkitit kronik, etj. Nuk ka aspak dyshim se konsumimi i alkoolit dhe narkotikëve shkakton çrregullim të madh të gjumit.
Po ashtu, konsumimi i çajit dhe kafes para orëve të gjumit e çrregullon atë. Shumë njerëz e njohin këtë fakt dhe përsëri e teprojnë në konsumin e këtyre pijeve.
Zhurmat, fluturimet, gjumësjellësit
Disa njerëz nuk mund të flenë në një mjedis ku ka zhurmë. Por disa lloje zhurmash janë gjithnjë irrituese dhe prishin gjumin. Fluturimet e largëta dhe punët e natës prishin këtë rregjim. Kjo u ndodh pilotëve dhe atyre që punojnë në periudha të ndryshme të ditës. Nga ana tjetër, përdorimi i ilaçeve për gjumë shkakton çrregullim të kualitetit të gjumit, por mund të shkaktojë edhe kotje gjatë tërë ditës. Edhe mosangazhimi i trupit me punë fizike, gjë që karakterizon të papunët ose personat që merren me punë zyre, e bën gjumin jo të plotë, të sipërfaqshëm.

Disa këshilla për njerëzit që vuajnë nga pagjumësia
1. Mos ha darkë shumë vonë dhe mundohu të hash më së paku tri orë para se të biesh të flesh! Mos konsumo ushqim të yndyrshëm që kërkon kohë të gjatë për tretje!
2. Këta persona duhet të kryejnë disa punë fizike gjatë ditës, që të ndiejnë lodhje në kohën e gjumit.
3. Dushi është mirë të zëvendësohet me vaskë, ngaqë qëndrimi (shtrirja) në ujë të ngrohtë i relakson muskujt dhe largon tensionin.
4. Është mirë të lexohet ndonjë copë leximi e lehtë dhe e shkurtër para se të shkohet për të fjetur!
5. Nuk duhet ftohur e as ngrohur tepër dhoma në të cilën flihet! Temperatura duhet të jetë mesatare.
6. Mos pini duhan para se të flini!
7. Mos u kaploni nga frika ose brengat nëse nuk ju zë gjumi shpejt. Mundohuni të relaksoheni sa më tepër!
8. Këta persona duhet t i largohen çokollatës, kafesë, çajit dhe ushqimit me kalori, me kripë, atij djegës dhe ushqimit të konservuar.
9. Për një gjumë më të rehatshëm rekomandohen pasta, oriz, bukë elbi, vezë të ziera, mish, peshk, djathë dhe perime të ndryshme. Ky lloj i ushqimit përmban amino-acide, të cilat e iniciojnë sekretimin e serotoninit-përçuesit nervor kyç në procesin e gjumit dhe të menduarit.
10. Edhe sallata, qepa, hudhra, karota dhe lakra kanë ndikim qetësues dhe mundësojnë gjumë më të rehatshëm.
11. Në ushqimin i cili e lehtëson gjumin bën pjesë edhe një gotë qumësht i nxehtë, i cili në mënyrë shumë efikase e ul shqetësimin dhe pagjumësinë si dhe e ul thartirën në lukth.
12. Ëmbëlsira me shumë karbohidrate dhe një filxhan çaji me mjaltë, e relakson trurin.
13. Ushqimi i thartë, siç janë sarmat me lakër apo çorba e thartë, gjithashtu kanë ndikim preventiv.

Dr. Oldfildi në librin “Honey for Health” ka thënë: “Unë pagjumësinë te njerëzit e moshuar e shëroj në këtë mënyrë: një gotë me ujë të vakët në të cilën futet një lugë e madhe mjaltë dhe përzihet.” Dr. Canderi ka thënë: “Nuk ekziston materie që e përgatitë njeriun për gjumë natyror më mirë se mjalti i shkrirë në ujë të vakët.”
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›