E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, gati të bashkëpunojë, por pa u tërhequr nga kushti

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të vazhdojë negociatat me Partinë Socialiste për të arritur në një marrëveshje, por me kushtin e pandryshueshëm që në llogaritjen e votave të legjitimohet formula e korrektimit. “Për çështjen e Kodit Zgjedhor ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin me të gjitha forcat e tjera politike dhe, pa dyshim, edhe me PS-në. Lidhur me shqetësimin për të mos lejuar që asnjë votë opozitare ndaj Sali Berishës të mos shkojë dëm, ka vetëm një alternativë, që është korrektimi kombëtar i votës së shqiptarëve. Vetëm kjo nuk e deformon votën dhe përfaqësimin e shqiptarëve”, - tha dje lideri i LSI-së, Ilir Meta. Ai nuk shfaqet i shqetësuar për mundësinë e largimit të një anëtari të grupit parlamentar të kësaj partie. Sipas Metës, Konventa Kombëtare ka vendosur qartë që LSI-ja do të kontribuojë për krijimin e një koalicioni jo vetëm sfidues, por edhe fitues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Kjo është një punë, e cila tashmë ka nisur dhe që do të konkretizohet hap pas hapi, por të jeni të sigurt që do të jetë një koalicion fitues”, - tha ai. Lidhur me negociatat e Paskal Milos me PS-në, Meta tha se LSI është në kontakt me të gjitha forcat politike, por edhe me faktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe është e prirur për të ndarë kontribute dhe përpjekje të përbashkëta në të mirë të mbrojtjes së sistemit tonë demokratik dhe institucional që u godit nga atentati i 21 prillit dhe njëkohësisht ta shpëtojë vendin nga një kastë tepër e rrezikshme politike dhe ekonomike që po bëhet gjithnjë edhe më përjashtuese për shumicën e shqiptarëve. Por ai shtoi se çdokush është sovran të vendosë për fatin e tij apo të forcës politike që përfaqëson. Meta theksoi se LSI vlerëson koalicionin e ndërtuar mbi principe, nuk vlerëson koalicionin e ndërtuar mbi presje dhjetore apo mbi bishta.

Negociatat
Reforma Zgjedhore dhe koalicionet, Meta takon Cekën

Ndërkohë që kryesocialisti Edi Rama zhvillonte një takim me aleatët e majtë Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka nisur takimet e tij. Dje ai ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Mësohet se në takim mes tyre është diskutuar për Kodin Zgjedhor, koalicionet e përbëra, por dhe për mundësinë e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme. LSI kishte paralajmëruar ditë më parë nisjen e negociatave me partitë e vogla, madje duke mos përjashtuar dhe të djathtët, për të krijuar koalicionin fitues, siç e ka quajtur Meta.
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›