Treni me udhetare del nga shinat
LEZHE- Panik ne trenin e linjes Tirane-Shkoder, tre vagone dalin nga shinat dhe permbysen ne ane te rruges. Per fat te mire nuk ka pasur te plagosur nga pasagjeret, por vetem disa te lenduar lehte me gervishtje e hematoma. Ngjarja dramatike qe per pak perfundoi ne tragjedi, ka ndodhur pasditen e djeshme rreth ores 15:45, vetem pak kilometra pasi treni i udhetareve kishte lene stacionin ne qytetin e Lezhes. Shkak sipas eksperteve eshte bere pikerisht segmenti i demtuar ne trasene e hekurudhes ne kete segment, pasi nuk eshte hera e pare qe ne kete linje, trenat dalin nga shinat dhe permbysen. Por ky eshte rasti i pare kur vagonet e udhetareve perfundojne jashte linjes. Mesohet sipas deshmitareve se pasi kane dale nga lokomotiva, tre vagonet me pasagjere, rreth 50 persona, kane vazhduar te zvarriten edhe per te pakten 50 metra ne toke. Per fat te mire shpejtesia nuk ka qene e madhe dhe terreni jo i thyer, qe mund te shkaktonte nje tragjedi me pasoja te renda.
Ne vendngjarje kane shkuar menjehere specialiste te Drejtorise se Hekurudhave, mekanike, punonjes dhe perfaqesues te Policise se Lezhes qe ngriten grupin hetimor per zbardhjen e incidentit. Ne pyetje jane marre pasagjeret dhe makinistet, qe rrefyen momentet e ankthit kur vagonet u shkeputen nga lokomotiva dhe shkaktuan nje zhurme te madhe. Sipas hetimit paraprak mesohet se shkak ka qene kalbezimi i traversave te hekurudhes, dhe kjo dukuri sipas specialisteve, dallohej qarte ne vendin ku rrotat e vagoneve kishin dale nga shinat. Ne spital nuk ka perfunduar asnje prej pasagjereve, nderkohe qe ne mjetin hekurudhor nuk ka pasur shume udhetare, pasi nuk preferohet udhetimi me trena. Edhe ky fakt ka ndikuar se tepermi ne bilancin jo tragjik te ngjarjes qe perfundoi vetem me disa gervishtje dhe pa te plagosur. Treni ka arritur te ndaloje pak metra me tej dhe nuk eshte permbysur apo te kryente rrotullime qe mund te sillnin shume te lenduar ne radhet e udhetareve. Specialistet dhe Drejtoria e Hekurudhave po punon per riparimin e aksit te demtuar dhe largimin e vagoneve nga vendngjarja. Pas verifikimeve te kryera, pasagjeret jane lejuar te udhetojne me linja te tjera drejt qytetit te Shkodres, apo me makina te rastit.
Precedenti
Tre vagone me ushqime, dolen nga shinat ne Kurbin
Incidenti i djeshem nuk ka qene hera e pare qe trenat kane dale nga shinat per shkak te amortizimit te linjave, kryesisht traseve, apo vjedhjes se tyre. Me 28 nentor te vitit 2008, ne aksin hekurudhor Tirane-Shkoder, treni i transportit te mallrave te linjes veriore te vendit ka dale nga shinat duke u permbysur tre vagone. Dy prej vagoneve kane qene te mbushur me grure qe vinte nga Hungaria dhe tjetri me vaj ushqimor nga Ukraina. Treni ka dale ne afersi te linjes hekurudhore Kurbin-Lezhe, ndersa nuk ka pasur te lenduar ne njerez pasi transportoheshin vetem mallra ushqimore. Treni ka pasur te pakten 25 vagone, kurse frenimi i shpejte i makinistit ka shmangur pasojat edhe me te renda. Demi ka qene rreth 100 ton mall ushqimor, kurse shkaku kalbezimi i traseve dhe plackitja e tyre.