E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 ua lëshon rrugën Prishtinës dhe Besës

Nga Prishtina, Ejup LLUMNICA
Trepca '89, pas barazimit në fushën e vet kundër Gjilanit, sikur ua ka lëshuar rrugën Prishtinës dhe Besës që të vetme tashmë të luftojnë për titullin e kampionit, në anën tjetër fitorja e Drenicës kundër Lirisë, si dhe humbja e KEK-ut dhe e Ferizajt e kanë bërë shumë më të paqartë luftën për ekzistencë. Këto ishin disa nga karakteristikat e javës së 18-të të Superligës së Kosovës në futboll, e cila, përvec cilësisë dhe shikueshmërisë së kënaqshme, solli edhe korrektësi për cdo lëvdatë. E vetmja skuadër që si mysafire arriti t'i marrë pikë të plota ishte Hysi në Ferizaj, ndërkaq të pamposhtur dolën edhe Trepca përball Kosovës dhe Gjilani përball Trepcës '89. Ndeshja kryesore e javës padyshim ishte ajo në Prishtinë, ndërmjet rivalëve të vjetër, Prishtinës dhe Vëllaznimit. Tradicionalisht, skuadra gjakovare është treguar e rrezikshme për kryeqytetasit, sidomos në Prishtinë, gjë që ndodhi edhe në këtë përballje, mirëpo ishin vendësit me fat, e më së shumti Uliks Emra, i cili 30 sekonda para se të përfundojë ndeshja, me një gol të bukur ia siguroi skuadrës tri pikë mjaft të vlefshme. Gjithsesi, kjo humbje e Vëllaznimit vetëm sa ia ka vështirësuar edhe më shumë misionin për mbijetesë të gjakovarëve, mirëpo, sipas taborit të tyre, deri në fund ka mbetur edhe shumë për t'u bërë dhe se mbijetesa do të arrihet. Kampioni aktual, Besa, shumë lehtë e mundi skuadrën e KEK-ut me rezultat 4:1, të cilës vetëm sa ia ka vështirësuar punën edhe më shumë në luftë për ekzistencë. Edhe më të "tmerrshëm" fundin e tabelës e ka bërë Drenica pas fitores kundër Lirisë, kundërshtarit të drejtpërdrejtë për largim. Tashmë nga vendi i gjashtë në tabelë, në të cilën renditet Shqiponja me 29 pikë, njihen si skuadra të rrezikuara. Befasinë më të madhe këtë javë padyshim e ka bërë Gjilani, i cili në Mitrovicë përball skuadrës shumë të fortë, Trepcës '89, shkëputi një pikë, duke i shmangur njëherësh "xehetarët" nga rruga për titull të kampionit. Kosova e Vushtrrisë, edhe pas tri javëve, në pranverë nuk arriti ta shijojë gëzimin e fitores. Ajo këtë javë para shikuesve të saj barazoi kundër Trepcës me rezultat 1:1. Flamurtari ka arritur një fitore mjaft të vlefshme dhe atë në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Shqiponjës, e cila në Prishtinë vërtet tregoi futboll të kënaqshëm. Me këto tri pikë "kuqezinjtë" e Prishtinës definitivisht janë larguar nga zona e të rrezikuarve dhe se vazhdimin e kampionatit e presin shumë më të qetë. Hysi me fitore si mysafir në Ferizaj kundër Ferizajt, ka bërë një përparim të dukshëm në tabelë, ndërkaq, në anën tjetër, vetëm sa i ka zhytur edhe më thellë në "ujëra të turbullta" ferizajasit, të cilët rrezikojnë shumë të largohen nga elita e futbollit. Në ndeshjen e fundit të kësaj jave, e cila u zhvillua dje në Mitrovicë, Besiana e mundi Kosovën e Prishtinës me rezultat 3:2, dhe me këto tri pikë (tash ka 30 pikë) skuadra llapjane i është afruar kreut të tabelës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›