Trepça e pandalshme

Skuadra e Trepçës e ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin vjeshtor në Superligë. ‘Xehetarët’ kanë arritur t’i marrin tri pikë të vlefshme si mysafirë të Hajvalisë të cilën e mundi me rezultat minimal 0:1.
Skuadra vendase e ka nisur mirë takimin duke dominuar në fushë, por mysafirët në rastin e parë të treguar në minutën e 35-të arritën të shënojnë gol nëpërmjet sulmuesit të rrezikshëm Enis Zabërgjës.
Në pjesën e dytë vendasit dominuan në fushë por nuk arritën ta barazojnë rezultatin edhe përkundër disa rasteve të mira që kishin, sidomos në fund të takimit.
Kurse, Trepça ka mundur që ta shtojë epërsinë sikurse Zabërgja të ishte më i saktë në minutën e 65’të, kur pati rast të qind për qindtë.
Me këtë fitore, Trepça ngjitet në vendin e dytë me 30 pikë të tubuara, një më shumë sesa rivali i qytetit Trepça ’89, e cila ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Kurse, Hajvalia mbetet në kuotën e 24 pikëve.