Kapelo thërret nën armë tifozët: Në botëror, përkrah nesh
Fabio Kapelo, trajneri i Kombëtares angleze, i ka bërë thirrje të gjithë vendit që të mbështesë skuadrën: Qëndroni pranë përfaqësueses gjatë Kupës së Botës dhe tregohuni aktivë në sportin që i dhuruam botës. Nëpërmjet një letre të hapur, ai u kërkoi fansave që të mbështesin “Tre Luanët” drejt fitores në ndeshjen e parë të aktivitetit në Afrikën e Jugut, më 12 qershor kundër SHBA-së. Tekniku italian nënvijëzoi se si ajo ditë mund të shërbejë që të gjithë të bëhen pjesë e argëtimit. Kapelo theksoi: “çdo njeri në Angli është pjesë e skuadrës sonë, ne jemi një ekip. Më 12 qershor le të bashkohemi për Anglinë”. Letra, e shkruar përpara ndeshjes miqësore që skuadra e tij do të luajë të hënën në “Uembli” përballë Meksikës, vazhdonte: “Gjatë ndeshjeve kualifikuese, të gjithë tifozët anglezë u treguan fantastikë me mbështetjen e tyre. Futbollistët e kanë të qartë që kur veshin fanellën e Kombëtares, ata përfaqësojnë të gjithë vendin. Për këtë arsye, kur të luajmë në Afrikën e Jugut, të gjithë ju do të jeni në mendjen tonë. E kemi të qartë se ju do të jeni aty për të na mbështetur në çdo moment dhe në çdo fazë të aktivitetit. Dëshiroj që në momentin kur ne do të hedhim hapin e parë në fushë në Botërorin 2010, sa më shumë njerëz që të jetë e mundur të hedhin hapin e tyre të parë drejt futbollit”.
Xhon Terri dhe Methju Apson janë ambasadorët e kandidaturës së Anglisë për Botërorin 2018, e cila ka shpallur 12 qershorin “Ditën e Futbollit në Angli”, duke i dhënë jetë fushatës më të madhe (të mbështetur edhe nga federata), ku lojtarët dhe tifozët do të festojnë për sportin më popullor në botë, pikërisht në ditën kur skuadra e Kapelos do të debutojë kundër SHBA-së. Trajneri deklaroi: “Do të më pëlqente që sa më shumë njerëz ta praktikojnë futbollin, sa më shumë të bëhen trajnerë apo gjyqtarë – që sa më shumë njerëz të bëhen pjesë e gjithçkaje që ka lidhje me këtë sport”. Kapelo shpjegoi: “Ndihem me fat që punoj në krye të Anglisë – për këtë vend e për tifozët e pasionuar - dhe e vlerësoj punën e jashtëzakonshme që trajnerët bëjnë me fëmijët dhe ekipet e moshave. Personalisht, këtë e cilësoj një mision: të gjithë së bashku duhet të punojmë që të krijojmë shpirtin e skuadrës. Mund të fitosh ose të humbasësh, por është shumë e rëndësishme që të pëlqesh futbollin”.
Ndërkohë, kur mungojnë më pak se tri javë nga starti i Kupës së Botës, Anglia ka marrë një lajm të mirë. Mesfushori Stiven Xherard duket se është rikuperuar plotësisht nga dëmtimet dhe ndihet në formë optimale. “Kam kaluar një sezon mjaft të vështirë, me mjaft dëmtime dhe pa u paraqitur në maksimumin e potencialit”, deklaroi 29-vjeçari. “Fakti pozitiv është se po rigjej formën fizike pikërisht në momentin kur shpresoja. Jam i përqendruar maksimalisht te Kombëtarja dhe te Botërori 2010, ku synoj të paraqitem mirë për veten time dhe për Anglinë”.
#