E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valentino Rosi, pole position në Le Mans

MotoGP Në garën e Francës, pas kampionit të botës nisen Lorenco dhe Pedroza

Valentino Rosi do të niset nga “pole position” në çmimin e Madh të Francës. Në asfaltin e Le Mans, kampioni i botës në fuqi në MotoGP, ka dominuar provat zyrtare me kohën 1’33”408. Sot, “Doktori” do ta startojë garën përpara shokut të tij të skuadrës te Jamaha, spanjollit Horge Lorenco (1’33”462). Vija e parë e nisjes plotësohet nga Dani Pedroza (1’33”573), me Honda Repsol. Australiani Keisi Stoner e ka ndaluar kronometrin në kohën 1’33”824 dhe u pozicionua në vendin e katërt. Përkrah Stoner ndodhet shoku i tij i skuadrës te Dukati, Niki Heiden (1’33”845). Piloti amerikan u paraqit më mirë se Honda LCR e francezit Randi De Puniet (1’34”074), i cili ndiqet nga Honda Repsol e Andrea Doviciozos, Jamaha Tech 3 e amerikanit Kolin Eduards dhe nga Suzuki i Loris Kapirosit. Marko Melandri, piloti italian i skuadrës Honda Gresini, regjistroi kohën e 11, pas shpinës së Aleiks Espargaros me Pramak Racing. “Më në fund po garojmë në Le Mans me kohë të mirë. Shpresoj që kjo të ndodhë edhe në garën e nesërme (sotme). I nisëm mirë provat me mësimet që morëm në Herez dhe punuam mirë me motorin”, deklaroi Valentino Rosi në përfundim të provave zyrtare në Francë. Për pozicionimin në vendin e parë ai shtoi: “Jam i kënaqur për këtë rezultat dhe falënderoj të gjithë skuadrën Jamaha. Të nisesh nga ‘pole position’ është gjithmonë një kënaqësi. Motori është shumë në rregull, por unë vazhdoj të ndiej pak dhimbje në shpatull. Shpresoj që të jem në gjendje ta përfundoj garën”. Horge Lorenco, i cili do të provojë ta sulmojë Rosin që prej kthesës së parë, tha: “Shpresoj që gjatë garës të jem i shpejtë dhe të kem një ritëm të lartë për t’u shkëputur sa më shumë. Gjithsesi nuk do të jetë e thjeshtë, pasi Rosi u shfaq mjaft i shpejtë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›