E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikimet, në dy operacione arrestohen tre persona

Vlorë- Gjatë operacionit të koduar “Drejtësia”, nga Seksioni Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me TASK-FORCËN kundër krimit financiar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i Flamur Tafil Kadena, 43 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori” Vlorë. administrator i shoqërisë ndërtuese “AFA” Konstruksion”sh.p.k. Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u krye pasi dyshohet të ketë ndërtuar dy kate shtesë në një objekt (pallat) duke shkelur lejen e ndërtimit të datës 24.02.2009, e cila ishte miratuar për objekt pesë kate në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë. Nga Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është kryer edhe sekuestrimi i kateve shtesë të ndërtuara pa leje. Ai akuzohet për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/2 i Kodit Penal. Gjithashtu po në kuadër të operacionit të koduar “Drejtësia”, ka filluar edhe procedimi penal në gjendje të lirë ndaj dy inspektorëve të Inspektoriatit Urbanistik të Bashkisë Vlorë. Ata janë Krenar Xhemali, 39 vjeç dhe Altin Liçaj, 38 vjeç. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve ka filluar pasi dyshohet se në kuadër të një projekti rehabilitimi me veprime të paligjshme kanë prishur një ndërtim me leje pa njoftuar pronarin e objektit, i cili ndodhej jashtë shtetit, si dhe nuk kanë kryer prishjen e disa objekteve të ndërtuara pa leje, të cilat ishin planifikuar për t’u prishur sipas projektit. Ndaj këtyre shtetasve është zbatuar edhe masa e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr 310 datë 27.07.2011, “Detyrim paraqitje pranë policisë gjyqësore” si dhe “Ndalim i largimit jashtë shtetit”. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga nenet 248 dhe 150 të Kodit Penal.

Po dje është finalizuar operacioni i koduar “Kontrata e Rreme”, si rezultat i të cilit janë arrestuar Shkëlqim Haxhi, 51 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bamatat, Delvinë me profesion noter; dhe Vilma Nesturi, 47 vjeç, lindur në Sarandë dhe banuese në lagjen 13 Durrës. Arrestimi i këtyre shtetasve u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe nëpërmjet shtetasit Lluka Gjikuria, më datë 09.11.2010 kanë lidhur një kontratë pasurie të paluajtshme (tokë me sipërfaqe 8000 m²) ku firmëtar rezulton shtetasi Lluka Gjikuria, i cili në momentin e lidhjes së kontratës nuk ndodhej përpara noterit, por jashtë shtetit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 248 dhe 186 të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›