Basha: Qeveria e angazhuar të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve evropiane

Ministri i Jashtme, Lulzim Basha takon delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të KE-së
Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Këtë garanci u ka dhënë Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Delegacioni që kryesohet nga deputetja, Corien Jonker, po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që Qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Në këtë kuadër, Ministri bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga Qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, duke nënvizuar se hapat e mësipërme janë bërë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Ministri Basha përsëriti gjithashtu vullnetin e Qeverisë shqiptare për të pritur numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri dhe falënderoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për gatishmërinë e treguar për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Qeverisë.
Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit parlamentar informuan për vendimin e Asamblesë Parlamentare për të dërguar 20 vëzhgues, të cilët janë deputetë me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve.
...