E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri marrëveshje me turqit

Nga Express më 30 maj 2011 në ora 11:43

Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, Ahmet Kahraman, janë pajtuar që ministritë përkatëse të të dyja vendeve nesër të nënshkruajnë tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe atë të gjyqësisë.

Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovë, Hajredin Kuçi të hënë është takuar me ministrin e Drejtësisë të Republikës së Turqisë, Ahmet Kahraman. Kuçi me këtë rast ka vlerësuar se bashkëpunimi i Kosovës me Turqinë është i nivelit të kënaqshëm.

Ai ka theksuar se takimi me ministrin turk ka rezultuar me dakordimin për nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete për çështje juridike.

“Ne kemi diskutuar konkretisht se si t’i bëjmë tri marrëveshje konkrete, që kanë të bëjnë me ekstradim, për transferim të personave të dënuar dhe për bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale. Dua të them që kemi mirëkuptimin e plotë, të dy ministritë tona ku dhe grupet tona punuese kanë punuar me ditë të tëra, dhe jemi të gatshëm që këtë nënshkrim ta bëjmë nesër”, ka thënë Kuçi.

Më tej, Kuçi ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe në avancimin e fushave të tjera të rëndësishme.

“Do të bashkëpunojmë në fushën e ndërtimit të Akademisë së Drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku Republika e Turqisë e ka një akademi të nivelit modern. Fusha tjetër është në fushën e administrimit të burgjeve, sidomos në administrimin e burgjeve të tipit të hapur dhe në ngritjen e kapaciteteve ekonomike brenda burgjeve për aftësimin profesional të të burgosurve. Dhe fusha e tretë gjithsesi do të jetë edhe çështja e kompjuterizimit të gjykatave dhe prokurorive në Republikën tonë”, ka theksuar ai.

Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Ahmet Kahraman nga ana e tij ka vlerësuar se raportet e Turqisë me shtetin e Kosovës dhe populli e saj burojnë nga historia.

Kahraman ka thënë se marrëveshjet, të cilat do të nënshkruhen nesër, do të jenë rast i mirë për të siguruar të drejtat e dy popujve tanë.

Kahraman ka deklaruar se krahas marrëveshjeve është biseduar edhe për fushat tjera relevante, në të cilat mund të ofrohet mbështetja e shtetit të Turqisë.

“Kemi vërejtur se kemi fusha të mjaftueshme në të cilat mund të bashkëpunojmë. Unë edhe një herë dua të theksoj se ne si Republikë e Turqisë, jemi të gatshëm që me të gjitha mundësitë tona, eksperiencën dhe teknologjinë tonë të ndajmë me vëllezërit tanë në Kosovë. Ne si Republikë e Turqisë mbështesim Kosovën që të zhvillohet edhe më tej, të fitojë pavarësinë e plotë, të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe të bëhemi aleatë dhe bashkëpunëtorë të mirë në instancat euroatlantike”, ka thënë Kahraman.

Drejtësisë i Republikës së Turqisë, Ahmet Kahraman, është takuar edhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Jakgjillar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›