E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri varrime

Çifti Rrahim e Valbona Mirena, pas tri javësh të vdekur në lumin Tisa, në kufirin serbo-hungarez, tash prehen përgjithmonë në varrezat e tyre. Nga dita e premte në mesditë, atyre iu dihet varri.

Por lamtumira e përjetshme për ta, është vetëm gjysma e dhimbjes. Afër tyre, pritet të varrosen edhe tre fëmijët që ata patën. Në përpjekje për tu larguar ilegalisht nga Kosova, bashkë me ta, gjetën vdekjen edhe tri vajzat e tyre. Trupat e pajetë Doruntinës 8 vjeçe, Dafinës 6 dhe Agnesës 2 vjeçe, ende nuk janë gjetur. Vendi i lënë bosh afër dy varreve të reja, i pret trupat e njomë të këtyre vogëlusheve.

Qindra njerëz në Obiliq ua dhanë lamtumirën çiftit fatkeq, familja e të cilëve u shua tërësisht.

Nga Kanjizha e Serbisë, vetura me trupat e pajetë të këtij çifti, ka arritur të enjten në Obiliq. Kurrgjë në jetë nuk do të doja, vetëm që trupat e tyre të mos i sillnin prej andej, thotë duke vajtuar, njëra nga motrat e Rrahimit të ndjerë.

Asaj dhe dy motrave të tjera, dhembja u shtohet dhe më shumë kur kujtojnë kohën e para dhjetë vjetëve. Vëllai i tyre, Rrahimi, kishte arritur ti mbijetojë masakrës në burgun e Dubravës, ku ishte i burgosur deri pas përfundimit të luftës.

Nuk mund të jetoj kur fëmijët shikojnë derën se kush do tiu japë diçka, citon Rrahimin, një kushëri i afërt i tij, prezent në varrimin e të ndjerit.

Këto fjalë ai tregon se i ka dëgjuar nga Rrahimi vetëm disa ditë para se i ndjeri të shiste shtëpinë e tij në Obiliq dhe të nisej drejt kësaj rruge, e cila u shndërrua në udhëtim të vdekjes. Familja Mirena është nga fshati Hade i Obiliqit. Ata kanë dalë për të jetuar në këtë qytezë, pasi shteti ua ka marrë tokën në fshat, për shkak të nevojave për thëngjill, i cili përdoret nga termocentralet për prodhimin e rrymës.

Pasi ka marrë paratë nga Qeveria si kompensim për këtë zhvendosje, Rrahimi vendoset në Obiliq. Të afërmit e tij thonë se ai kurrë nuk pati një punë, edhe pse ka qenë i burgosur për politikë në burgun e Pozharevcit në Serbi.

Nuk ka mundur të gjejë punë as për një muaj. Shtëpinë e bëri disi me para që mori nga shteti për shpërngulje nga fshati, por nuk kishte me çka të jetonte, shpjegon i afërmi i të ndjerit.

Derisa hoxhallarët kryenin ritet e fundit fetare, kushëriri i tyre i afërt rrëfen për Express, vështirësitë e jetës së kësaj familjeje.

Edhe pse ka qenë ushtar, ai nuk ka qenë as në TMK. Të afërmit e kanë mbajtur deri vonë, deri në një moment kur çdoherë e më shumë ndihmat e tyre pakësoheshin, tregon ai, duke pëshpëritur.

Ndërkohë, vaji nuk ndalej. Duke i rrjedhur lotët, nëna e Valbonës së ndjerë, kujtonte peshën e rëndë të këtij fati tragjik që ajo duhet ta barttë për tërë jetën.

Bija ime, shkove vetë e pesta, vajtonte nëna, e cila së bashku me motrat e dhëndrit të saj, e ndjejnë peshën më të rëndë të dhembjes. Për më tepër, ende pa u mbuluar mirë trupat e Rrahimit dhe Valbonës, ato kanë filluar të qajnë për trupat e pajetë të tre fëmijëve, të cilët ende nuk janë gjendur.

Por dhimbje të njëjtë të premten nuk ka pasur vetëm në Obiliq. Nga e njëjta tragjedi ka pësuar edhe familja Ademi nga fshati Karaqë i Vushtrrisë. Në të njëjtën kohë, atje është varrosur Floriani, fëmija 11-muajsh i çiftit Florim dhe Elfete Ademi. Derisa dy prindërit e vogëlushit janë varrosur ditë më parë, fëmija është varrosur të premten, rreth mesditës.

Edhe kjo familje është shuar tërësisht, pasi kanë humbur jetën prindërit me dy fëmijët. Deri më tash, nga të gjitha viktimat e kësaj tragjedie, ende nuk janë gjetur një grua dhe dy vajzat e saj nga Rahoveci, një fëmijë i familjes Ademi dhe tre fëmijët e familjes Mirena.

Ndërkaq, gjatë ditës së premte, Policia e Kosovës ka sqaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me hetuesit që janë duke u marrë me këtë tragjedi.
Sipas tyre, hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet të njëjtë, por ende nuk ka të arrestuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›