Pas tri ditësh, vetëdorëzohet Rezart Taçi
Biznesmeni i kërkuar, u vetëdorëzua dje në mesditë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, dyshohet se u fsheh në ish- bllok
Taçi mohon në polici të ketë qëlluar apo dhunuar gazetarin Mero Baze. Dyshohet se fshihej në bllok
TIRANE- I kërkuar që prej ditës së hënë në mbrëmje, i cilësuar nga mediat e huaja si oligark, Rezart Taçi, është vetëdorëzuar dje në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ai ka pritur edhe vendimin egjykatës dhe kur ka parë se nuk mund t'i shpëtonte arrestimit është paraqitur vetë në prokurori. Rreth orës 16:00, Taçi, ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, i shoqëruar nga dy avokatët e tij, Maks Haxhia e Artan Hajdari.
Menjëherë pas dorëzimit të tij në ambientet e Policisë së kryeqytetit, oficerët e Zyrës së hetimit të Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, i kanë komunikuar në mënyrë formale arrestimin e tij, si dhe vendimin e Gjykatës së Tiranës që urdhëronte vënien e tij nën masën e sigurisë "burg pa afat". Akuza që rëndon mbi të është ajo e goditjes për shkak të detyrës e kryer në bashkëpunim.
Deklarimin e dhënë në një material filmik të dërguar për mediat, dje Rezart Taçi, e ka përsëritur edhe para oficerëve të Policisë Gjyqësore që e morën në pyetje në prani të dy avokatëve tij.
"Unë në asnjë mënyrë nuk e kam prekur e aq më pak ta kem goditur Mero Bazen,- ka pohuar i arrestuari, gjatë deklarimeve të tij. Ky ka qenë qëndrimi i tij në lidhje me incidentin e të hënës në mbrëmje kur sipas kallëzimit të gazetarit Mero Baze, Rezart Taçi dhe dy shoqëruesit e tij e goditën për shkak të detyrës së tij.
Më tej, ky i fundit nuk ka pranuar të japë detaje të tjera mbi incidentin dhe përse apo cili e kishte goditur Bazen, i cili ndodhej në shoqërinë e kolegut Andi Bushati.
"Ky person ka më tepër se një vit e gjysmë që shpif për mua dhe bizneset e mia, por unë nuk kam ushtruar dhunë mbi të,- ka vijuar deklarimin e tij Taçi, përkundër faktit se Baze u godit disa herë në lokalin ku po qëndronte mbrëmjen e të hënës.
Menjëherë pas dhënies së deklarimit të tij të lirë, prokurori dhe oficeri i Policisë gjyqësore që kanë kryer arrestimin, i kanë drejtuar disa pyetje të tjera pronarit të ri të kompanisë së karburanteve, ndaj të cilave ai ka mbajtur qëndrim mohues.
Ai ishte i shpallur në kërkim policor që prej të hënës, pasi Rezart Taçi, 38 vjeç, u përfshi në një incident me gazetarin e njohur Mero Baze, njëkohësisht drejtues i gazetës "Tema". Gjatë kohës që Taçi ka qenë në kërkim, dyshohet se ai është fshehur në një ambient në zonën e ish- bllokut.
Gjatë këtyre ditëve policia e kryeqytetit ka regjistruar disa kontrolle banesash, mes të cilave atë të vetë biznesmenit, disa kontrolle në disa prona të tij, por vetëm kaq, pasi ai nuk u ndalua.
Ndërkaq, dje, pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, policia e kryeqytetit mësohet se kishte përgatitur edhe praktikën për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Aktualisht Taçi ndodhet i izoluar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, ndërsa pas komunikimit në Gjykatë të masës së arrestit, ai pritet të transferohet në ambientet e paraburgimit.
Avokatët: Nuk kishim dijeni për vendimin
Avokatët e Rezart Taçit, Maks Haxhia e Artan Hajdari, thanë se ata nuk kanë pasur dijeni mbi vendimin e Gjykatës së Tiranës ndaj klientit të tyre. Ndërkaq, në lidhje me masën e marrë burg pa afat, ata nuk ishin dakord, pasi sipas tyre vëtem në pak raste ka ndodhur që për vepra të tilla penale, të akuzuarit të liheshin në burg pa afat. Avokati Artan Hajdari pohoi se ata kishin përgatitur një kundër padi ndaj gazetarit Baze në lidhje me incidentin.
********************************************
Rezart Taçi është marrë në pyetje tre herë nga prokuroria ku ka deklaruar se paratë për të blerë ARMO-n i ka marrë kredi
Prokuroria: Taçi nën hetim edhe për pastrim parash
TIRANË- Presidenti i kompanisë "Taçi Oil", biznesmeni Rezart Taçi që katër ditë më parë goditi gazetarin Mero Baze bashkë me dy shoqëruesit e tij, po hetohet nga njësia e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit edhe për akuzën e "pastrimit të parave".
Ky fakt bëhet i ditur nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas prokurorëve të çështjes, organi i akuzës përveç hetimit për "pabarazi në tender", si për mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese, procedurat e ndjekura nga kompania fituese si dhe dyshimin për favorizim nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për kompaninë fituese, po verifikon edhe për akuzën e pastrimit të parave.
Dyshime këto që janë ngritur që në nëntorin e vitit të kaluar ku brenda dy ditë kompania fituese e 85 % të aksioneve të kompanisë shtetërore ARMO depozitoi në thesarin e shtetit 125 milionë dollarë amerikanë.
Këto para, sipas prokurorisë, erdhën nga Banka Kombëtare e Azerbajxhanit, nga Italia, Zvicra dhe nga një bankë e nivelit të dytë në vend. "Tre muaj pas shpalljes fitues të kompanive "Amra Oil sh.a" dhe konsorciumit "Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group" si blerës të 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO, kjo kompani me përfaqësuesin e saj në Shqipëri biznesmenin Rezart Taçi, në nëntor të 2008 kanë kryer transaksionin bankar duke sjellë në llogaritë e thesarit të shtetit 125 milionë dollarë.
Ku 75 milionë dollarë janë transferuar në Bankën e Shqipërisë nga një llogari bankare e Bankës Qendrore e shtetit të Azerbajxhanit nëpërmjet "Deuchbankes" gjermane.
Dy shuma të tjera të konsiderueshme, rreth 14 milionë dollarë janë transferuar në Bankën e Shqipërisë nga Banka të nivelit të parë në Itali dhe Zvicër dhe shuma e fundit prej 36 milionë dollarë është paguar nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Pas depozitimit të tyre, prokuroria ka filluar dhe vazhdon të hetojë mbi dyshimin e kryerjes së veprës penale të "pastrimit të parave"-thuhet nga akuza.
Për këto dyshime përfaqësuesit e akuzës, fillimisht prokurori Dritan Rreshka dhe më pas prokurori Julian Zonja, e kanë marrë në pyetje brenda ambienteve të prokurorisë shtetasin Rezart Taçi.
Ky i fundit është pyetur tre herë për këto dhe fakte të tjera në institucionin e akuzës me cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe si përfaqësues i firmës fituese të 85 % të aksioneve të kompanisë ARMO.
Mësohet se vetë Taçi gjatë deklarimeve të tija ka pretenduar se paratë e depozituara në thesarin e shtetit për pagesën e blerjes së kompanisë ARMO janë të pastër dhe të marra kredi. "ARMO është blerë me paratë që janë marr kredi në Banka të nivelit të parë në vende të ndryshme dhe nuk janë para të pista apo të ardhura nga një krim",- mësohet se ka pretenduar Taçi para hetuesve.
********************************
Dy të akuzuarit për rrahjen e Mero Bazes janë ballafaquar me prokurorinë në sallën e gjyqit
Gjykata: Dy truprojat të qëndrojnë në burg
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës, caktoi dje masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj agresorëve të gazetarit Mero Baze, shtetasve Bledar Lilo dhe Jurgen Selfo, ndërsa për "shefin" e të tyre, shtetasin Rezart Taçi gjykata caktoi masën sigurisë në mungesë, që tre orë më pas ky i fundit iu dorëzua organeve të drejtësisë.
Ka qenë ora 10:55 minuta kur toga e shoqërimit solli para Gjykatës së Shkallës së Parë dy badigardët që rrahën katër ditë më parë gazetarin Baze. Më pas, aty rreth orës 11:30 minuta, gjyqtarja Fahrie Budo i ftoi palët në seancën gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve.
Në sallë ishte i pranishëm prokurori i çështjes Gjergji Tako, avokati mbrojtës, Arben Prifti dhe dy të ndaluarit Lilo e Selfo të rrethuar nga forca të policisë brenda kafazit të hekurit në sallën e gjyqit. Me çeljen e seancës gjyqësore, i pari që mori fjalën para gjyqtares ishte prokurori i çështjes që kërkoi që ndaj dy të ndaluarve të vleftësohet i ligjshëm arresti në flagrancë dhe t'i caktohet masa e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit, i cili kërkoi nga gjykata që kjo kërkesë të mos pranohet, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë "detyrim për paraqitjeje" për shkak se nuk përbëjnë rrezikshmëri shoqërore apo rrezik për tu larguar, pasi sipas tyre dy "agresorët" ishin dorëzuar vetë në polici.
Avokati ka shpjeguar para gjykatës ngjarjen sipas versionit të mbrojtjes, duke akuzuar gazetarin Baze se ka qenë ai që ka nisur sherrin mes tij dhe shoqëruesit të Taçit, shtetasin Jurgen Selfo.
Për këtë fakt, sipas avokatit, është dorëzuar edhe kallëzimi përkatës ndaj Bazes për "fyerje" dhe "dëmtime me dashje" ndaj klientit të tij Selfo për shkak se ky i fundit ka pësuar dëmtime në fytyrë nga goditjet e gazetarit.
Këto pretendime u hodhën poshtë nga prokurori, duke shtuar se gjatë procesverbalit të pyetjes vetë Selfo ka pranuar sherrin duke përjashtuar Taçin dhe Lilon nga ky incident. Pas dëgjimit të palëve gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke i lënë në burg deri në përfundim të hetimeve dy shoqëruesit e presidentit të kompanisë "Taçi Oil".
Ndërkohë, me përfundimin e masave ndaj dy badigardëve, gjykata me kërkesë të prokurorit ka vendosur në mungesë të avokatit të caktojë masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Rezart Taçit, që tre orë më pas iu dorëzua policisë.
*************************
PRETENDIMI
Selfo merr përsipër rrahjen e Mero Bazes
"Isha me "shefin" shtetasin Rezart Taçi dhe Bledar Lilon në një lokal te blloku me emrin "Kapriçio". Aty shkuam direkt nga pishinat nga stërvitja, ku shefi ishte në pishina. Jemi ulur në lokal aty nga fundi afër banakut për të pirë nga një gotë.
Aty nga ora 23:00 diku në hyrje të lokalit në një tavolinë kam parë tre persona së bashku që po flisnin, qeshnin e shikonin nga ne. Nuk i njihja. Njëri prej tyre që ishte thuajse tullac po na shikonte me inat. Kam shkuar dhe ia vendosa dorën në sup, duke e pyetur "njihemi bashkë që po më shikon".
Ai më është kthyer me inat duke më thënë "largohu tutje mor zagar" dhe më shtyu. Unë kisha pirë pak dhe në atë momente nuk e prisja dhe e kam qëlluar në fytyrë. Në atë kohë ky personi ka marr tavllën e cigareve dhe më ka qëlluar në fytyrë. Më pas kemi shkëmbyer disa grusht e shqelma deri sa shefi Rezart Taçi dhe shoku im Bledar Lilo na kanë ndarë.
Unë kam dalë jashtë me njerëzit që isha i shoqëruar dhe nuk di ç'farë ka ndodhur më pas. Jemi larguar dhe aty nga ora 1:30 minuta pas njoftimit se kisha goditur një gazetar unë dhe Bledar Lilon jemi dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke sqaruar ngjarjen"- ka thënë studenti i ekonomikut dhe punonjës i kompanisë "Taçi Oil" shtetasi Jurgen Selfo.