E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, tre mjekë vihen në pranga

ELBASAN/ Ervedin Purde, Adrian Palloshi dhe Astrit Leka janë arrestuar në flagrancë nga policia në Gramsh


Arrestimi është bërë pasi u zbulua se mjekët merrnin para në këmbim të pensionit të invaliditetit


ELBASAN - Kapen në flagrancë duke marrë para në këmbim të pensionit të invaliditetit tre mjekë të Elbasanit. Hetimet nga prokuroria kishin nisur prej kohësh dhe operacioni drejtohej nga agjentë të Tiranës por gjithçka do të mbyllej mesditën e së enjtes kur në zyrën e komisionit në Gramsh kanë hyrë agjentët civilë duke kapur në flagrancë me paratë mbi tavolinë mjekët. Të paktën këtë deklaron policia mbi operacionin e bujshëm ndaj bluzave të bardha.


Ngjarja


3 mjekë, anëtarë të Komisionit Mjeko-Ligjor për dhënien e invaliditetit në punë, kanë rënë dje në prangat e policisë nën akuzën e korrupsionit e mitmarrjes në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuar.


Ervedin Purde, 49 vjeç, mjek i përgjithshëm në spitalin e Elbasanit, Adrian Palloshi, 43 vjeç, mjek urolog në spitalin kirurgjik dhe Astrit Leka, 62 vjeç, mjek kardiolog në spitalin e Librazhdit janë arrestuar në flagrancë në zyrën e komisionit të invaliditetit pranë Sigurimeve Shoqërore Gramsh.


Mësohet se pas një hetimi disamujor të nisur nga disa denoncime të vetë qytetarëve për zvarritje procedurash me qëllim marrjen e parave, është arritur në vërtetimin e këtyre ankesave nëpërmjet operacionit policor.


Sipas policies, tre mjekët firmosnin në mënyrë fiktive dokumentet duke u marrë para qytetarëve banorë të rrethit Gramsh në këmbim të dhënies së pensionit të parakohshëm si invalid me aftësi të kufizuar.


Ankesat e qytetarëve kishin lidhje pikërisht me këto zvarritje që, sipas hetimeve të policisë, sillnin edhe pagesat për mjekët, të cilët merrnin shuma të ndryshme deri 10 mijë lekë për person.


Sipas hetimeve rezulton se mjekët gjatë vlerësimit dhe përcaktimit të grupit të invaliditetit u nxirrnin qytetarëve pengesa pa shkaqe ligjore në lidhje me dokumentet e paraqitura, kategorinë e sëmundjes dhe grupit të invaliditetit më qëllim që t'i detyronin t'u jepnin para në këmbim të nënshkrimit të raportit mjeko-ligjor për grupin e invaliditetit të kërkuar.


Arrestimi


Në momentin e arrestimit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shumë prej 65 000 lekë të reja që ua kishin marrë 9 qytetarëve. Ata akuzohen për veprën penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike të kryer në bashkëpunim".


Vetë mjekët i kanë hedhur poshtë akuzat duke deklaruar se nuk kanë marrë para, por janë dëmtuar nga persona të caktuar që kanë shfrytëzuar policinë për të arritur qëllimin e tyre. Të tre mjekët janë emra të njohur në fushën e mjekësisë. Adrian Palloshi është një ndër mjekët e specializuar të spitalit kirurgjik. Prej pak kohësh ai kishte përfunduar një specializim jashtë vendit. Ai ka drejtuar spitalin kirurgjik për disa vite.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›