E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, 40% e qytetit pa kanalizime të ujërave të zeza

Burime nga drejtoria e ujësjellës-kanalizimeve bëjnë të ditur se mungojnë hartat e kanalizimeve në qytet


Mësohet se vetëm 63,17 për qind e qytetit mbulohet nga rrjeti i kanalizimeve i cili është i amortizuar


GJIROKASTËR- Rreth 40 për qind e qytetit ka mungesë të kanalizimeve të ujërave të zeza, teksa kjo pjesë vijon funksionimin me gropa septike. Nga ana tjetër, amortizimi i rrjetit sjell çdo muaj rreth 60 raste bllokimesh. Ndërsa tri kolektorët e ujërave të zeza të qytetit të Gjirokastrës derdhen në ujërat e lumit Drino.


Bashkangjitur dhjetëra rasteve të tjera të hedhjes në lumë të mbetjeve urbane, niveli i ndotjes në këtë zonë vlerësohet si mjaft i lartë, ndërkohë që gjithçka i faturohet mungesës së investimeve në rrjetin e kanalizimeve, i ndërtuar rreth 70 vjet më parë.


Rrjeti i kanalizimeve


I ndërtuar qysh në vitin 1940 nga italianët, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Gjirokastrës vit pas viti po kthehet në një shqetësim mjaft të madh për komunitetin.


Në një pjesë të mirë të lagjeve të ndërtuara gjatë viteve të fundit ky rrjet nuk ekziston, ndërkohë që në lagjet e sipërme të qytetit funksionojnë vetëm gropat septike. Nga ana tjetër, ndërmarrja e ujësjellës- kanalizimeve nuk disponon një hartë të këtyre kanalizimeve, çka do të bënte të mundur ndërhyrjen.


Informacionet e marra pranë këtij institucioni tregojnë se problemet me ujërat e zeza hasen në të gjithë qytetin, ku ka bllokime për shkak të tubacioneve me diametër të vogël, si dhe për faktin se në pjesët e sipërme, si dhe në zonat e reja urbane Gerhot, Kodër Shtuf, Mane dhe SMT, nuk ka rrjet të kanalizimeve të ujërave të zeza, por gropa septike.


Nga ana tjetër, ndërtimi i rrugëve në qytet është shoqëruar edhe me rrjet të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, por ndërmarrja nuk disponon dokumentacion tekniko-ekonomik për këto investime.
Më e rënduar gjendja duket në lagjet e poshtme të qytetit, ku vazhdimisht në pjesë të ndryshme ndodhin shpërthime të ujërave të zeza. Shtrirja me rrjet të kanalizimeve përfshin 63,17 për qind të qytetit të Gjirokastrës.


Të gjithë kolektorët kryesorë i derdhin ujërat e përdorura në lumin Drino, por për shkak të amortizimit të rrjetit ndodhin mjaft bllokime, që variojnë nga 52-66 në muaj, shifër që jepet nga drejtori i ujësjellës-kanalizimeve, Dashamir Qeli. Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur investime në linjat e kanalizimeve, ndërsa në të dy krahët e qytetit nuk ka rrjet.


Ai ankohet gjithashtu edhe për mungesën e fondeve. Mësohet se së fundmi një firmë gjermane ka shprehur interesim për të kryer ndërhyrje të plotë për rikonstruksionin e këtij rrjeti, por ende nuk është dhënë një përgjigje e saktë se kur do të nisin punimet.


Lumi Drino
Lumi Drino rrjedh përfund qytetit të Gjirokastrës, por gjendja higjienike e ujërave të tij lë shumë për të dëshiruar. Për vite me radhë në të hidheshin mbetjet urbane të qytetit, mbetjet spitalore dhe derdhen ujërat e zeza.


Ndërsa së fundmi hedhja e mbeturinave urbane dhe atyre spitalore është frenuar, kolektorët e ujërave të zeza vazhdojnë të derdhen aty, ndërsa në të gjithë gjatësinë e vet lumi është i pushtuar nga mbetje urbane, goma të vjetra e gjithëfarëlloj produktesh të tjera ndotëse.


Shpesh ambientalistët kanë dhënë alarmin për këtë ndotje mjedisore, që vit pas viti po shkatërron florën dhe faunën e zonës, por që gjatë muajve të verës kthehet në një burim të rrezikshëm infeksioni për të gjithë banorët që lahen në lumin Drino.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›