Diabetikët, më të riskuar nga infeksionet urinare
AIDA MALAJ
Virozat dhe gripi, tipike për ditët e ftohta ndikojnë në shtimin e rasteve me infeksione urinare. Ulja e sistemit imunitar dhe disa lloj infeksionesh të aparatit të frymëmarrjes ndikojnë në shfaqjen edhe te cistiteve. Për mjekët personat më të predispozuar dhe që duhet të tregohen mjaft të kujdesshëm, janë fëmijët, të sëmurët kronikë, sidomos diabetikët, ata me rezistencë të ulët etj,. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja nefrologe, Benereta Hoxha, shpjegon se çfarë duhet bërë për të shmangur rastet e cistiteve dhe më tej si mund të trajtohen ato:
Doktoreshë, pse gripi dhe virozat që prekin rrugët e frymëmarrjes, ndikojnë në shtimin e rasteve të infeksioneve urinare?
Tashmë dihet se një nga ndërlikimet e virozave janw ato tw rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, anginat, bronkitet, trakeitet, pneumonitë etj., por në shumë raste janë edhe ato të rrugëve urinare. Shkaku është se disa viroza mund të shkaktojnë dëmtim të filtrit të veshkës, siç janë glomerulonefritet (më pak), por më të shpeshta janë infeksionet e rrugëve urinare, e sidomos ato të fshikëzës së urinës (cistitet). Shkaktarë të tjerë janë mikrobet, si streptokoku apo stafilokoku, të cilët ndodhen në rrugët e sipërme të frymwmarrjes si saprofit, por kur ulet rezistenca nga një virozë, ato aktivizohen e shkaktojnë infeksione të mirëfillta. E njëjta gjw ndodh edhe me e.coli (mikrob që nxirret me jashtëqitje), e cila kur hyn në rrugët urinare jep infeksione të fshikëzës së urinës, uretrës, prostatës (tek burrat) e kur nuk trajtohet si duhet mund të kalojë deri në veshkë, duke dhënë pyelonefrite.
Të gjithë riskojnë të kenë probleme me cistitet, pse diabetikët janë më të prekur nga këto probleme?
Njihet që një nga ndërlikimet më të shpeshta te diabetikët janë nefropatia diabetike dhe cistitet. Dëmtimet specifike që ndodhin në organizëm, si pasojë e diabetit, bëjnë që të prishet procesi i filtrimit të urinës, dhe të manifestohet dëmtime të veshkës e infeksione të rrugëve të sipërme e të poshtme urinare.
Kur duhet të drejtohemi te mjeku?
Te mjeku duhet të shkohet sapo ndjeni një shqetësim sado të lehtë. Urinim i shpeshtë, shqetësime gjatë urinimit, urinim me djegie, rëndim në fund të barkut, mos zbrazje e plotw e fshikwzws, Por mund të shfaqet dhe me urinim me ndërprerje, urinim të turbullt, disa herë me erë të rëndë, pika gjaku në fund të urinimit ose urinim me ngjyrë etj. Në çdo rast që paraqiten këto shenja, ose disa prej tyre, duhet t’i drejtoheni mjekut nefrolog.
Rastet që shfaqen, janë raste të kronicizuara?
Jo gjithmonë. Në përgjithësi na paraqiten persona që mund të kenë kaluar më parë një cistit, nuk janë trajtuar në kohë dhe sipas skemës së duhur të mjekimit. Por ka dhe raste të reja, që s’kanë pasur më parë probleme të tilla.
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqin, nëse nuk trajtohen në kohë?
Veç kronicizimit të rasteve, që do të thotë që personi herë pas here të ketë probleme me infeksionet urinare, një trajtim jo i mirë, mund të çojë deri në atrofi (zvogëlim) të veshkave, rritje të shifrave të tensionit arterial, prishje të funksionit të veshkave dhe azotemi. Prandaj këmbëngulet që çdo shqetësim, sado i vogël, të mos neglizhohet dhe të trajtohet me seriozitet.