MASH njeh diplomat e 100 studentëve për muajin korrik
Avushe Zhuka
Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikon listën e diplomave që janë njohur nga ky institucion në 15 ditëshin e parë të muajit korrik. Bëhet fjalë për 100 studentë , për të cilët, procesi i njohjes së diplomës së fituar jashtë vendit ka përfunduar. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila ka publikuar listën e aplikantëve që u është kryer njohja e diplomës në gjysmën e parë të këtij muaji. Tashmë, kandidatëve që iu është ekuivalentuar diploma e fituar nga studimet e kryera në vend të huaj edhe në vendin tonë, duhet të paraqiten pranë kësaj ministrie, për të tërhequr certifikatën e njohjes.
Diplomat
Është hera e katërt për këtë vit që ministria e Arsimit dhe e Shkencës konverton një numër të madh diplomash të huaja. Në muajin nëntor, kjo ministri bëri ekuivalentimin e rreth 204 diplomave të studentëve shqiptarë që kishin zgjedhur të kryenin studimet ë larta në universitet jashtë Shqipërisë. Më pas, në muajin maj, Sektori i Njohjes së Diplomave, pas shqyrtimit të dosjeve, konvertoi edhe 346 diploma të tjera të huaja. Nga njohja e diplomave kanë përfituar dhe 220 aplikatë në muajin qershor dhe korrik duke e çuar numrin e diplomave të ekuivalentuar në 770. Procedura për njohjet e diplomave ose certifikatave të huaja edhe në vendin tonë u ndryshua nga MASH, vetëm disa muaj më parë. Me ndryshimet e reja, e gjithë procedura e njohjes së diplomave dhe certifikatave duhet të përfundojë brenda 45 ditëve, nga dita kur dosja për aplikim është e plotësuar me dokumentacion e kërkuar.
Dokumentet
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të njohur listën e dokumenteve që duhet të plotësoj një aplikant. Dosja e një aplikanti për njohje diplome duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme: formatin e aplikimit të plotësuar; diplomën ose certifikatën ose vërtetimin e diplomimit; listën e notave ose suplementin e diplomës; dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, si dhe mandat-pagesën. MASH ka bërë të ditur se tarifa për procedurat e njohjes është 2500 lekë. Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Dokumentet për shtetasit e huaj, duhet të jenë me përkthim të vërtetuar. Të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me Vulën Apostille ose nga Ambasada Shqiptare, ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar dhe do të procedohet sipas përcaktimeve të tjera.
15 Korrik 2010