Konferenca, 90 për qind e infermierëve janë të paarsimuar
Lizeta Duro
Vetëm 150 infermierë në të gjithë vendin janë me arsimin e nevojshëm profesional për t’i shërbyer pacientit. Kjo ka qenë një ndër problemet që është diskutuar dje në konferencën e mbajtur nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë në bashkëpunim me Kooperacionin Zviceran. Sipas kreut të Urdhrit të Infermierëve Sabri Skënderi, do të organizohet trajnimi i infermierëve në të gjithë vendin për të rritur cilësinë e tyre në shërbimin ndaj pacientit. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë infermierë nga të gjitha rrethet e vendit. Gjatë diskutimeve u bë e ditur se 90 për qind e infermierëve janë pa arsimin përkatës. Nga 1500 infermierë në të gjithë vendin vetëm 150 prej tyre konsiderohen në nivelin e duhur dhe me arsimin e nevojshëm profesional për t’i shërbyer pacientit. Nisur nga këto fakte të pranishmit diskutuan me objektiv : “Të përgatisim trajnerët e nevojshëm për realizimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit".
Trajnimet
Presidenti i Urdhrit të Infermierit në Shqipëri, Sabri Skënderi dhe drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero, bën të ditur se do të trajnohen infermierët në të gjithë vendin. Nisja e disa aktiviteteve në të gjithë vendin për të realizuar trajnime me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit është një nga masat e mara që u përshëndet në këtë konferencë. "Mbetemi të angazhuar seriozisht në misionin për rritjen e kujdeseve infermierore dhe kujdesit shëndetësor gjithashtu, në mbështetje të kujdesit ndaj pacientit. Për këtë po zhvillohen një sërë aktivitetesh për trajnimet e infermierëve në të gjithë vendin”. Sipas presidentit të Urdhrit të Infermierëve, trajnimi i infermierëve për të rritur cilësinë e tyre në shërbimin ndaj pacientit paraqitet me mjaft rëndësi. E para, për të arritur nivelet e shërbimeve evropiane në këtë sektor, por edhe për të përmbushur kërkesat e kohës.
Infermierët
“Infermierët, me gjithë njohuritë që marrin në shkollë, kanë patjetër nevojë për edukim të vazhdueshëm edhe pas saj, për të fituar një sofistikim të mëtejshëm të profesionit të tyre” u shpreh Skënderi. Sipas tij kombiminimi i njohurive profesionale që një infermier ka marrë në shkollë, me etikën e duhur të komunikimit për t’u ofruar shërbimin e duhur pacientëve, është mjaft e rëndësishme. Trajnimin e infermierëve e konsideroi si të rëndësishëm dhe Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave Shëndetësore në ministrinë e Shëndetësisë. Duke vlerësuar punën e realizuar deri tani nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë Pipero shtoi se: " Trajnimi i vazhdueshëm i infermierëve dhe rritja e punës për kujdesin e punës së infermierëve ndaj pacientëve të tyre, është një nga problematikat kryesore të punës në sektorin e shëndetësisë". Ndërkaq infermierët theksuan se ky formim kërkon më tepër seriozitet dhe mbështetje nga institucionet shëndetësore, të cilat duhet t’i kushtojnë më tepër rëndësi burimeve njerëzore për shërbimet e kujdesit profesional dhe atij shëndetësor në veçanti.
Bie numri i infektimeve të reja me HIV
Afërsisht 30 vjet pas shpërthimit të epidemisë së AIDS-it, njerëzit kudo në botë vazhdojnë ta klasifikojnë AIDS-in në listën e problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballet bota. Programi i Kombeve të Bashkuara kundër AIDS-it tha se të rinjtë në Afrikë po kryejnë një revolucion përsa i përket parandalimit të HIV. Ata i kanë ulur kuotat e epidemisë duke kryer marrëdhënie seksuale të mbrojtur dhe duke pasur më pak partnerë seksualë. Ky lajm u bë i ditur në prag të një konference për HIV-AIDS-in që do të mbahet në Vjenë javën e ardhshme. Afërsisht 12 mijë të rritur u zgjodhën për sondazhin. Rezultatet tregojnë se afërsisht 30 vjet pas shpërthimit të epidemisë së AIDS-it, njerëzit kudo në botë vazhdojnë ta klasifikojnë AIDS-in në listën e problemeve më të rëndësishme, me të cilat përballet bota. Sondazhi tregon që një në tri vetë e konsideron ndërgjegjësimin publik për AIDS-in si arritjen më të madhe aktualisht. Kjo pasohet nga zbatimi i programeve të HIV dhe futja në treg e medikamenteve të reja. Më shumë se gjysma e të vëzhguarve e konsiderojnë mungesën e shërbimeve parandaluese si pengesën më të rëndësishme. Stigmatizimi dhe diskriminimi janë barrierat e tjera që përmenden.
Zbulohen antitrupa që parandalojnë sidën
Shkencëtarë të qeverisë amerikane kanë bërë të njohura ditët e fundit përparime që mund të çojnë në përgatitjen e një vaksine kundër sidës. Hulumtuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit thonë se kanë zbuluar dy antitrupa të fuqishëm që pengojnë infektimin e njerëzve nga shumica e llojeve të virusit HIV, i cili shkakton sidën. Antitrupat u zbuluan në qelizat e marra nga një person i paidentifikuar, organizmi i të cilit i prodhoi ato në mënyrë të natyrshme. Tani mbetet të sigurohet një vaksinë ose ndonjë metodë tjetër që u mundëson organizmave të tjerë të prodhojnë këta antitrupa. Sipas hulumtimeve, antitrupat e zbuluar pamundësojnë 90 për qind të llojeve të virusit HIV të ngjiten në qelizat e sistemit imunitar dhe t’i shkatërrojnë ato. Sistemi imunitar është arma kryesore që organizmi përdor kundër infektimeve dhe mikroorganizmave të dëmshëm. Zyrtarët thonë se do të kalojnë tri deri në pesë vjet para se të përgatitet një vaksinë në bazë të këtij zbulimi dhe që më pas ajo të provohet në njerëz. Shkencëtarët e dinë prej një kohe të gjatë, se pasi virusi HIV hyn në trupin e njeriut, ai lufton për të qëndruar atje. Por një proteinë e cila gjendet në formë natyrale, tek sperma e meshkujve, e njohur si SEVI, e bën virusin 100 mijë herë më infektues se sa do të ishte normalisht, duke e ndihmuar më tej aftësinë e virusit HIV për t’u lidhur me qelizat e bardha të viktimës. Kjo çon në shkatërrimin e sistemit imunitar të trupit të prekur nga virusi. Kërkuesit amerikanë kanë zbuluar se nje molekulë të quajtur surfen, ndërhyn në veprimin e SEVI-it. Ëarner Greene është drejtor i Insitutit Gladstone të Virologjisë dhe Imunologjisë në San Fransisco të Kalifornisë, ku janë kryer studimet laboratorike."Zbuluam se kjo molekulë e vogël e quajtur surfen, mund të bllokojë lidhjen e SEVI-t, duke u lidhur me virusin HIV, duke ndaluar kështu ciklin e infektimit, ose atë të transmetimit". Studiuesi Greene thotë se molekula surfen, fillimisht e njohur nga shkencëtarët në vitin 1939, është një agjent njëkohësisht anti-iflamator dhe anti-bakterial. Ai shpjegon se surfeni parandalon infektimin duke u lidhur si me virusin e SIDË-s, edhe me qelizat e gjakut, që janë vënë në objektivin e virusit HIV.
15 Korrik 2010