Shqipëri-Gjermani, 12 të arrestuar për trafik droge
Artan CENA
TIRANË - Aksion ndërkombëtar i Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Policinë gjermane. Në një konferencë shtypi, drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, tha se, “në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar ‘Triss’, i realizuar nga Policia dhe Prokuroria Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane të zbatimit të ligjit, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për caktimin e masës të sigurisë ‘arrest në burg’ në ngarkim të shtetases Meliha Qamil Gjuzi, 46 vjeçe, lindur e banuese në Tiranë”. Arrest me burg ka dhënë gjatë ditës së djeshme Gjykata e Tiranës për një nga të arrestuarit e operacionit të koduar “Triss”, i realizuar në bashkëpunim me Policinë shqiptare, Prokurorinë dhe autoritetet gjermane. Meliha Gjuzi, nga Tirana, është një prej 12 qytetarëve shqiptarë dhe të huaj të arrestuar për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Hetimet
Nga operacioni që zgjati 6 muaj dhe u kurorëzua në mars të këtij viti u bë i mundur dokumentimi e veprimtarisë kriminale dhe vënia para Drejtësisë e 12 personave, shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në trafikun e armëve dhe lëndëve narkotike. Gjatë konferencës për shtyp, drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, duke u ndalur në detajet e këtij operacioni, bëri me dije dje se “në më pak se një vit u arrestuan 12 shtetas shqiptarë dhe të huaj, të implikuar në prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike dhe armëve luftarake". Mbi këtë grup kriminal, të drejtuar prej shtetasve Ilia Bregu dhe Dhimitri Rapi, të arrestuar në Gjermani për "trafik të narkotikeve", rëndojnë akuzat e "prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si dhe armëve luftarake".
Të arrestuarit
Në kuadër të këtij operacioni të koduar "Triss" janë ekzekutuar dje vendimet e Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" në ngarkim të 46-vjeçares Meliha Gjuzi, anëtare e këtij grupi kriminal. Arrestimi i 46-vjeçares Gjuzi u bë i mundur pas një hetimi 6-mujor, të shtrirë në Tiranë, Kosovë dhe Gjermani. Shtetasit e arrestuar në kuadër të këtij hetimi, janë: Arif Banush Zelo, 53 vjeç, lindur e banues në Lushnjë, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, midis të tjerash edhe për trafik të narkotikeve, i arrestuar në Shqipëri më datë 02.03.2010, ku janë sekuestruar 5 armë të llojeve të ndryshme dhe një sasi e konsiderueshme municionesh; Ermir Dalipaj, 32 vjeç, lindur e banues në Lushnjë, i arrestuar në Shqipëri në datën 02.03.2010, ku janë sekuestruar 5 armë të llojeve të ndryshme dhe një sasi e konsiderueshme municionesh; Alfred Qefalia, 27 vjeç; Artan Qefalia, 27 vjeç; Kujtim Qefalia, 36 vjeç; Dhimitri Rapi; Ilia Bregu; Gëzim Hasandocaj; Leonard Brunga, Iljan Zeka, 25 vjeç; Faruk Istrefi. Mbi këtë grup kriminal të drejtuar prej shtetasve Ilia Bregu dhe Dhimitër Rapi rëndojnë akuzat e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “prodhim dhe shitje të armëve luftarake”, si dhe “trafikim i lëndëve narkotike”. Goditja e tyre erdhi si rezultat i një pune të mirorganizuar të strukturave Kundër Krimit të Organizuar të Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe falë një koordinimi të frytshëm në drejtim të shkëmbimit të informacione dhe veprimtarisë hetimore dhe operacionale, me autoritetet gjermane të zbatimit të ligjit.
Të arrestuarit
Arif Zelo, 53 vjeç, i arrestuar në Shqipëri
Ermir Dalipaj, 32 vjeç, i arrestuar në Shqipëri
Alfred Qefalia, 27 vjeç, i arrestuar në Shqipëri
Artan Qefalia, 27 vjeç, i arrestuar në Shqipëri
Kujtim Qefalia, 36 vjeç, i arrestuar në Shqipëri
Dhimitri Rapi, 54 vjeç, i arrestuar në Gjermani
Ilia Bregu, 33 vjeç, i arrestuar në Gjermani
Gëzim Hasandocaj, 30 vjeç, i arrestuar ne Gjermani
Leonard Brunga, 38 vjeç, i arrestuar në Gjermani
Iljan Zeka, 25 vjeç, i arrestuar në Gjermani
Faruk Istrefi, 26 vjeç, i arrestuar në Gjermani
Meliha Gjuzi, 46 vjeçe, e arrestuar në Shqipëri
15 Korrik 2010