E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet në rrugë, një i vdekur e katër të plagosur



TIRANË - Dy aksidente të rënda kanë ndodhur ditën e djeshme, ku një 35-vjeçar ka mbetur i vdekur dhe katër persona të tjerë janë plagosur, prej tyre një fëmijë 8-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas të dhënave të policisë, një 35-vjeçar ka humbur jetën ndërsa është plagosur rëndë djali i tij vetëm 8 vjeç, gjatë një aksidenti rrugor në aksin Delvinë-Sarandë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme rreth orës 13:00, kur mjeti tip “Volkswgen Golf” me targë të Delvinës DL 2417 A, që drejtohej nga shtetasi Shpëtim Rama, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Qafa e Gjinos dhe ka përfunduar në një kanal. Për pasojë, vetë drejtuesi i mjetit, 35-vjeçari, ka humbur jetën, ndërsa është plagosur rëndë djali i tij 8-vjeçar. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, të cilat nisën hetimet për shkakun e aksidentit.
Disa orë më parë, në autostradën Fushë-Krujë - Lezhë ndodhi një aksident me tre të plagosur. Në afërsi të fshatit Derven, një automjet i llojit “Benz” është përplasur me një triçikël duke shkaktuar plagosjen e rëndë të dy personave që udhëtonin me këtë të fundit. Nga aksidenti mësohet se është plagosur edhe shoferi i mjetit tip "Benz". Sipas policisë, aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia e drejtuesit të triçiklit.

Pranga shqiptarit, kërcënonte me vdekje ish-bashkëshorten
SAVONA - Një shqiptar është vënë në pranga pasi kërcënonte ish-bashkëshorten se do ta priste copa-copa me një motosharrë. Poshtë krevatit mbante një motosharrë dhe shumë herë kishte kërcënuar ish-gruan e tij (e ndarë, por që jetonin në një shtëpi) duke i thënë që të kishte kujdes se do ta bënte copa-copa.
Një shqiptar punëtor në Itali është arrestuar nga Policia italiane pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti. Ndërsa bashkëshortja është dërguar në një shtëpi për mbrojtjen e grave të dhunuara. Historia e dhunës ka vazhduar për gati dy vjet, deri më 23 qershor, kur bashkëshortja, mamaja e dy fëmijëve, njëri 15 dhe tjetri 9 vjeç, e terrorizuar ka shkuar në kuesturë për të denoncuar abuzimet dhe kërcënimet e ish-bashkëshortit të saj. Pas verifikimeve ka rezultuar se burri me inicialet K. M., 48 vjeç, ishte me precendentë penalë. Policia ka sekuestruar në banesë një thikë kuzhine, si dhe motosharrën me të cilën kërcënonte bashkëshorten dhe e mbante në dhomën e gjumit. Pas veprimeve procedurale, prokurorja Maria Kiara Paoluçi ka kërkuar arrest me burg për keqtrajtim. Shqiptari ndodhet në qeli në pritje të merret në pyetje. Gruaja, në dëshminë e saj ka treguar se ishte e detyruar të jetonte me fëmijët e saj e mbyllur në dhomën e gjumit pasi kishte frikë se ai do ta vriste. “Ai ishte xheloz dhe kujtonte se unë kisha një të dashur. Por nuk është e vërtetë. Mbante motosharrën poshtë krevatit dhe kisha frikë për vete dhe fëmijët e mi”. Djalit më të madh i ati i kishte treguar se kishte edhe një pistoletë të fshehur në makinë.

Trafiku i njerëzve, gjashtë shqiptarë prangosen në Angli
LONDËR - Gjashtë shqiptarë janë arrestuar dje në Britaninë e Madhe pas një sërë operacionesh të policisë, përfshirë edhe atë të Londrës, nën akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore. Arrestimet u kryen nga Oficerët e zonës Kent, në zonat e Walsall, West Midlands; St Albans, Hertfordshire, dhe në të gjithë Londrën. Ndërkaq, Policia franceze ka arrestuar disa persona të tjerë që kanë lidhje me arrestimet në Londër. Një zëdhënës i Policisë së rajonit Kent tha se të arrestuarit e djeshëm do të merren në pyetje nga oficerët e stacionit verior të Kentit. Inspektori i Policisë, Edi Fox, tha se këto arrestime ishin kurorëzimi i një pune të gjatë dhe shumë bashkëpunuese me Policinë franceze. "Ata kanë kryer një numër të madh arrestimesh, duke shënuar kështu një bashkëpunim të frytshëm dhe, për pasojë, kriminelët nuk mund të na shpëtojnë më për shkak të barrierave mes vendeve të ndryshme", - tha Fox

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›