Trieste me javë të kulturës shqiptare
Studentët shqiptarë, që janë pjesë e shoqatës ASAT, do të mbajnë javën e kulturës shqiptare në Trieste, nga 11-15 tetor. Mes dy aktiviteteve më të rëndësishme të parashikuara janë konferenca për Shqipërinë dhe Kosovën, e titulluar “Një jetë në emigrim”, që do të mbahet më 13 tetor, dhe ngjarja teatrore e shoqatës Dora e Pajtimit, me titull “Fëmijët e Ngujuar”.
Konferenca për Shqipërinë dhe Kosovën do të ndalet tek emigrimi i shqiptarëve, ndërsa të ftuarit nga Shqipëria dhe Kosova do të trajtojnë fenomenin nga pikëpamja e integrimit të tyre në Itali gjatë viteve. Ndërkaq, spektakli teatral trajton temën e gjakmarrjes dhe të ngujimit të fëmijëve, një temë kjo për të cilën kanë shkruar mjaft edhe mediat italiane.
Realizimi fokusohet më tepër tek fëmijët, si një pjesë e familjes që s’ka mundësi të shkollohet dhe të shpresojë në të ardhmen. Shfaqja synon të përcjellë mesazhin e shpresës për të ardhmen, kur fenomene të këtilla nuk do të ketë më.