Triniteti i Shkollës Romane
Rëndësia e hapjes së ekspozitës së Shkollës Romane ndërmjet dy luftrave botërore në Galerinë Kombëtare të Arteve, është e madhe. Duhet thënë se ekspozita u ideua për Ministritë e Jashtme dhe për publikun e vendeve të Lindjes. Qëllimi ishte njohja me Shkollën Romane të viteve '20-'40 të shekullit XX dhe kjo ndodhte për herë të parë.
Tre elementët kryesorë që kuratorja Francesca Romana Morelli iu ka dhënë spikatje, janë të lidhura me organizimin e detajuar të njohjeve të thella ajo ka mbi krijimtarinë e arteve vizive të kësaj periudhe në Itali. Elementi i parë është koncepti i saj për të ndërtuar një ekspozitë të tipit antologjik.
Elementi i dytë është të paraqesë grupin e artistëve më përfaqësues të Shkollës Romane dhe elementi i tretë është organizimi i ekspozitës në tre tema themelore, të cilat ishin shumë të dallueshme dhe një çast qendror në kulturën italiane të gjysmës së parë të viteve '900. Kurimi i ekspozitës e tregon këtë nëpërmjet tre hapsirave që iu përkasin tre temave: e para është fytyra e artistit ku përfshihen portretet dhe autoportretet e artistëve pjesëmarrës. E dyta: imazhet vizionare të qytetit dhe e treta: trupi fizik i njeriut në kuptimin metaforik.
Nëse ky vështrim i nëndarë mbi të përgjithshmen e kësaj ekpozite na konkludon strukturën tematike, kuratorja në fjalinë e saj intelektuale mbi artin viziv arriti të sjellë gjithë eksperiencat e kërkimit të vet shkencor-kulturor të kësaj periudhe që përfaqësohet në një segment të saj edhe me krijimtarinë e Shkollës Romane. Përcaktimi se huazimi dhe marrja me qira e veprave të artistëve të shkollës Romane ishte rruga e vetme për realizimin e kësaj ekspozite.
Më pas me realizimin e një pune të mundimshme kërkuese-studimore në fondet e koleksionistëve dhe pronarëve trashëgimtarë u arrit të krijohet brumi figurativ i ekspozitës ku përfaqësohen rreth 25 artistët më të njohur të asaj kohe.
Njohja me situatën historike të zhvillimit të Romës, e cila në vitin 1925 cilësohej si një qytet i vogël me 747154 banorë dhe me postulatin e plazmuar politik musolinian, për transformimin e Romës në "të madhe, të rregullt, të fuqishme si në kohët e para të perandorit Augusto" dhe natyrisht ekzistenca e vazhduar e krijimtarisë në art janë tre burime të tjera të ndërthurura me njëra-tjetrën që nuk e bëjnë të lehtë, na thotë Morelli përcaktimin e Shkollës Romane me një emër "klasik". Gjurmimi i saj mbi ecurinë e artit nëpërmjet njohjes së "Vlerave Plasitike" (pra të formës) në këtë situatë na zbulon se fillimet e viteve '20 deri në fillimet e viteve '40, evidentojnë një ndërthurje ndërvepruese të disa elementëve klasikë. Kjo shkollë, krijimtarinë e vet, e nis me purizmin dhe realizmin magjik. Gjatë viteve '30 fillon e ndërthuret tonalizmi, i cili karakterizohej nga instanca dramatike dhe ekspresioniste, që u shfaqen në Shkollën e artit të rrugës Cavuor dhe më tej në vitin 1937 u bënë më të spikatur realizmi dhe ekspresivizmi. Të gjitha këto faza nuk është se lindën në një situatë harmonike ku luanin krijimtaria individuale dhe programet e një shkolle akademike. Fazat kishin dallime të thella dhe Shkolla Romane mori këtë emërtim pasi në themelin e saj janë disa emërues të tjerë: së pari Roma ishte një qytet invadent nën regjimin fashist dhe e kishte mbuluar retorika e kohës. Së dyti frymëzimi i artistit ishte individual dhe i personalizuar. Kjo bëri që të shfaqen artistë malankolikë dhe ekzistencialë.
Sipas kësaj llogjike, po të radhisim historinë e kontributit krijues të çdo artisti në këtë ekspozitë arrijmë të shohim më qartë panoramën artistike që kanë lënë trashëgim artistët e Shkollës Romane. Vitet '20 i përkasin Purizmit dhe përfaqësohen me Onghi, Guidi, Sokrate, Oppo, Broglio, Trambadori, Ferrazzi, Francalanicia dhe Effisio. Në vitet 1927 dhe 1929 përurohen ekspozitat e Shkollës Cavuor, ku ndërthuren eksperiencat e Scipiones, Mafait, Raphael-it dhe Mazzacurati-t. Në vitin 1932 shfaqet tonalizmi me përfaqësuesit kryesorë Cagli, Capogrossi, Cavalli, Pirandello, të cilët u cilësuan nga kritiku francez Ëaldemar George si"Ecole de Rome", duke spekuluar me Romën dhe vjetërsinë e saj. Më pas në vite iu bashkuan këtij grupi dhe Melli, Ziveri, Basaldella, Janni, të cilët e orientuan tonalizmin drejt referencave të dritës, ngjyrës, dhe hapësirës që mjeshtri i madh i Rilindjes Italiane Pierro della Francesca kishte krijuar. Në vitet 1937 vjen dhe ndërthuret me të gjitha orientimet e mëparshëm realizmi i Ziverit, Guttusos, Mafait, Pirandellos, të cilët në vitet '50 ia lanë vendin kërkimeve informale të Afros dhe Capogrossi-t. Gjithsesi vlen të thuhet se kjo ndarje nuk ka precizitetin e ngurtësuar të faktit, por secila fazë hynte dhe ndërthurej me njëra-tjetrën në krijimtarinë e vazhduar të artistit, pasi jeta krijuese e kësaj shkolle ka shumë më shumë detaje që e pasurojnë ekzistencën e saj.
Ekspozita e Shkollës Romane merr rëndësi të madhe në raport edhe me artin shqiptar. Artistët tradicionalë shqiptarë, studiuesit, historianët, kritikët dhe intelektualë të fushave sociologjike e kanë ende nxitjen për ta njohur themelin e krijimtarisë figurative të '900-s si në Itali ashtu dhe më gjërë, pasi një segment i rëndësishëm i historisë së artit shqiptar lidhet ngushtësisht me zhvillimet e Shkollës Romane, kur tashmë dihet mjaft mirë se një grup artistësh shqiptarë të periudhës së para Luftës së Dytë Botërore studiuan në atelietë e Akademisë së Romës që nga fundi i viteve '20 e deri në mesin e viteve '50. Ata si Kolombi, Koljaka, Mio, Çani, Reçi, Zajmi, Stamo, Grezda, Kodheli, Agalliu, Pëllumbi, Mano, dhe më i fundit Delija si dhe të tjerë si Buza, Idromeno, Rrota, Kodra, Cangonji që studiuan në shkolla të tjera të Italisë, jo vetëm janë ndër përfaqësuesit më të njohur të artit shqiptar, por në grup përbëjnë shkollën shqiptare të akademizmit dhe realizmit. Pothuajse për rreth 25 vite me radhë piktorët dhe skulptorët e parë shqiptarë u edukuan në mjedisin e artit roman. Në këtë këndvështrim, duke e parë ekspozitën e Shkollës Romane ndërmjet dy konflikteve botërore, zbulojmë se ajo për kulturën e arteve figurative shqiptare merr rëndësi të veçantë. Ekspozita nga ky çast fiton një kuptim më të gjërë se vetëm thjesht njohje në grup e artistëve italianë. Vëzhgimi i çdo vepre të saj, njohja e CV të artistëve, njohja themelore e drejtimeve artistike që i përfshiu ata dhe shkollën romane, historinë e zhvillimit të saj, njohjen me politikat kulturore dhe artistike të regjimit në kohët fashiste, njohja me konventat, ekspozitat, galeritë promovuese, me marrëdhëniet e ekspozimit të krijimtarisë së Shkollës Romane në vendet e tjera të Europës dhe botës, njohja krahasuese me shkolla të tjera të Italisë dhe së fundi njohja në thellësi pikë për pikë me situatën dhe kohën studimore-krijuese të studentëve/artistëve shqiptarë në Akademinë e Romës, krahasimi i krijimtarisë së tyre me krijimtarinë e artistëve përfaqësues të ekspozitës "Shkolla Romane ndërmjet dy luftrave", është i domosdoshëm. Kjo do të mundësojë dhe do të lejojë çdo njërin studiues, kritik apo historian arti të qartësojë dijet e deritanishme, të analizojë, gjykojë dhe vlerësojë mbi ndikimet e Shkollës Romane në krijimtarinë e artistëve të lartëpërmendur shqiptarë, mbi pikat e bashkimit dhe të ndarjes së kulturës figurative shqiptare të viteve të menjëhershme të pasluftës me kulturën figurative që propozoi Shkolla Romane në këtë ekspozitë në mjediset shqiptare. Ky krahasim visual u bë i menjëhershëm me ekspozitën e propozuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë, në sallën e artistëve të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare (cilësim sipas ndarjes së periudhave historike në Historinë e Përgjithshme të Shqipërisë).
Njohja me situatën historike të zhvillimit të Romës, e cila në vitin 1925 cilësohej si një qytet i vogël me 747154 banorë dhe me postulatin e plazmuar politik musolinian, për transformimin e Romës në "të madhe, të rregullt, të fuqishme si në kohët e para të perandorit Augusto"