"Pasiviteti ynë i rrezikshëm dhe fuqia e fshehur e publikut"
Në Shqipëri plasin shpesh kriza, padrejtësi, të cilat na kanë rraskapitur gjithherë; por rrallë këto gjëra shkaktojnë revolta masive të organizuara në publik. Në vend që të ushtrojë fort fuqinë e tij për rregullimin e gjërave, publiku shqiptar hesht, toleron, ngurron, harron, ose e shumta, kalon në një murmuritje pakënaqësie që shuhet pa filluar. Bie fjala, kriza e gjatë energjetike u shoqërua vetëm me disa deklarata të vakëta të opozitës, ndërsa, pothuaj nuk pati asnjë protestë popullore, siç do kishte ndodhur patjetër në çdo vend të botës.
Le të kujtojmë kërpudhën e Gërdecit, rrezikun ekologjik të investimeve energjitike në Vlorë, kërcënimin e epidemive, mungesën e ujit të pijshëm, apo edhe deklaratat e fundit të OKB-së për rritjen e sëmundjeve kanceroze në vend! Asnjë reaksion mbarëpopullor! Përballë këtyre momenteve, heshtja qytetare nga njëra anë dhe krizat politike në vend nga ana tjetër, janë shndërruar në një telenovelë të neveritshme, me po ata aktorë mediokër të politikës, që luajnë në po atë skenë bajate, ndërsa spektatorët bëjnë sehir dhe rreziqet presin pas dere.
Popullata bën spektatorin e urtë, spektatorin e zhgënjyer e të lodhur nga mashtrimet në skenë dhe nga mediokriteti në skenë, ku absolutisht mungojnë vizionet e natyrisht edhe projektet.
Publiku ynë hesht, në vend të fërshëllejë e shpërfillë komedinë e sarkazmës, siç do duhej të ndodhte.
Indiferenca e pafalshme e një shoqërie, së cilës i janë liruar vidhat e besimit për ditën tjetër, ndikon drejtpërdrejt në thellimin e krizës së drejtësisë.
Ky pasivitet i rrezikshëm sa edhe politika e tranzicionit, ka kohezuar me mungesën e drejtësisë në një shtet të "së drejtës", që përbën një krizë filozofike serioze, e cila nuk interpretohet nga askush. Sociologët nuk ekzistojnë, ose heshtin, analistët merren me politikë dhe me politikanët, në vend që t'i shërbejnë rritjes së kulturës popullore dhe kultivimit të qytetërimit; intelektualët janë të zhgënjyer, shkrimtarët veshëvarur janë rralluar, e s'ndihen. Të gjithë janë shndërruar në copëza pasive, ndaj nuk ka revolta, nuk ka protesta, nuk ka frymë popullore, dhe gjithë kjo situatë ka provokuar këtë ambientim të rrezikshëm të shoqërisë, që gjithsesi duhet luftuar.