E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trioja Berisha-Rama-Nano

Gogoli Rama
Nga Astrit VORPSI
Qyshkur Rama u shfaq nëpër rrugët e Tiranës mbas kthimit nga Parisi, gjumi i Saliut njeh një çrregullim deri në prishje totale. Trajektorja që e pasqyron këtë ecuri  të pagjumësisë së Berishës është  një vektor që niset nga zero në një kënd 45 gradë me përparim të pandërprerë ngjitës i pasqyruar më së miri nga rritja e thirrjeve ngjirëse, sharjeve të tij në adresë të Ramës.
Në fillim e morën ardhjen e Ramës si ajo pudra që merret në fytyrë lehtë-lehtë për të mbushur vijëzat e moshës së rritur të PS-së në kuadër të kozmetikës kujdesmadhe.
Kjo vendosje e Ramës në kabinetin e qeverisë socialiste fillimisht kishte nuanca shpotitëse nga Fatosi ndaj Saliut dhe ky ishte prapamendimi i Nanos si sfidë ndaj kundërshtarit të tij. Shkrimet e mëparshme publicistike të Ramës e kishin turbulluar nga pak Berishën kur ishte president. Rama nuk kishte ndonjë funksion zyrtar në shtet dhe trajtohej si zog i lirë, por konstatimet e tij për lidershipin Berisha ishin tepër të sakta, hapëse sysh për masën e zgjedhësve shqiptarë. Kontakte institucionale me qarqet diplomatike nuk kishte dhe konstatimet dërrmuese karakteriale që jepte në shkrimet për presidentin Berisha influenconin në vetëdijet e njerëzve që i lexonin si ai uji i ftohët në fytyrën e një të sapozgjuari nga gjumi i thellë.
Në këtë periudhë shkrimesh që zgjonin ndërgjegjen e njerëzve Berisha mendoi ti jepte një mësim këtij rebeli që me kritikat e tij në shtyp i zbehte shkëlqimin prijësit të demokracisë. Një rrahje vençe nga trimat e Berishës dhe Rama përfundoi në spital. Nga burime shumë konfidenciale mësohet se kirurgu që po merrej me Ramën i thotë më pas kur gjendja u përmirësua: Kockat e kafkës duhet ti kesh shumë të forta, si koracë metalike, se me ato goditje që ke pësuar ti do ishe harruar nga kjo botë... Ndërsa komisari i policisë që i shkoi Ramës gjatë procesit të kqyrjes dhe investigimit i deklaroi: E shikon sa e butë është demokracia e Berishës, se po të ishte koha e Enverit do të të kishin zhdukur me një plumb prapa qafe.
Nano mori Ramën si me gjysmë shaka pranë ambientit të tij qeverisës, megjithëse simptomat e një qëndrimi origjinal në shoqëri dhe thyes kornizash të vjetëruara Rama  i kish dhënë me kohë. Në fillim Nano nuk ka shpresuar seriozisht në mbarështimin e reputacionit të Ramës. Nuk e priste që të ishte kaq këmbëngulës dhe punë bitisur në qëllimin e tij për të materializuar me vepra ato që kish thënë e vazhdonte të projektonte me fjalë në rritje e sipër. E maste Ramën  dhe bashkëpunëtorët e tij me kutin e stilit të punëve që ndiqte vet - lagu sot e rruhu mot... Në caktimin e Ramës si Ministër kulture dhe zgjedhjen e tij më pas si kryetar bashkie i Tiranës, Nano mendoi se do e kishte Ramën ogiçin e tij në performancën e frymës së re reformuese që  donte të tregonte në sytë e popullit.   
Berisha në opozitë shikonte që po ngrihej ylli i Ramës jo vetëm në hapësirën e majtë, por po fillonte të bënte për vete edhe ata të djathtë që u besonin veprave dhe jo fjalëve. Nga ky moment e kuptoi mirë, prirja e tij pushtet mbajtëse me thonj e me dhëmbë nuk e gënjeu, e bindi se tani e tutje do kishte të bënte me vetëm një kundërshtar të denjë për tu ndeshur. Këtu fillon dhe vazhdon drama e tmerrit deri në marrëzi që Edi Rama i shkakton Sali Berishës. Jo vetëm Berishën nuk e zë gjumi prej merakut Rama, por edhe kur i drobitur endet në ndonjë orë gjumë i shfaqet në ëndërr Rama dhe Gërdeci. Kaq është sëmurur nga sindroma Rama sa edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë infektuar në atë masë sa gdhihen e ngrysen duke belbëzuar emrin e kryebashkiakut nën efektin e gogolit Rama. Nuk duan tja dinë për të tjerët në PS, i vetmi që ua ha shpirtin me produktivitetin e punëve është Rama dhe këtë fakt tronditës e manifestojnë me efekt të kundërt dëmtues ndaj vetes.
Sikur Berisha të merrej më pak me Ramën, sikur ta shante më pak, ta përmendte më pak përpara mediave, sikur ta sillte më pak në mendjet e njerëzve, me bindje them se do i kishte sjellë më shumë shërbim elektoral vetes. Nuk dyshoj se ndonjë sinjal këshillues i tillë mund ti ketë shkuar por, a mund të mendohet nga aq sa na kanë parë sytë se dikush tjetër mund të mendojë dhe zgjidh më drejtë problemet sesa Doktori i PD-së!.
Tempin luftënxitës e vëllavrasës të fjalimeve nuk do e kishte, do ishte më njerëzor dhe do ishte më unifikues në veprimet e tij për gjithë shqiptarët, ndryshe nga sa duket dhe vepron realisht, me pasoja të ndjeshme ndarjeje - o ji me mua, përndryshe je armiku im. Mungesën e rezultateve reale të punës Berisha me të gjithë arsenalin e tij fizik, mendor e financiar, mundohet ta kompensojë me metodën - sulmi është mbrojtja më e mirë. Ka shkuar deri në atë nivel sa nuk dallon dot më kufijtë e limiteve njerëzore. Kur punët Berishës i shkojnë kaq mbarë sa thotë nëpër mitingje e mbledhje qeverie atëherë, faktet kokëforta flasin vet shumë më tepër sesa fjalët autolavdëruese, thonë njerëzit në biseda me njeri tjetrin.
Po të merrej më pak me Ramën do u tregonte simpatizantëve të tij dhe popullit se, në krye të ekzekutivit më shumë preokupim ka për zbatimin realisht të programit e premtimeve të artikuluara gjatë fushatës së mëparshme sesa shfaqjen e papërmbajtshme të simptomave të sindromës gogol Rama.  
Në raport me Ramën veçanërisht Berisha e pastaj edhe Nano, vuajnë një maraz të pakorrigjueshëm. Berisha sekretar organizate i regjur dhe Nano burokrat partie i thekur ndihen jashtëzakonisht keq përpara Ramës që, nuk e ka këtë privilegj të djeshëm të diktaturës dhe sot ves të shpifur të kohës demokratike. Thellë me shpirt heq Berisha dhe çfarë nuk do jepte që ta fshinte nga kujtesa popullore këtë fakt. Zemrën copë ia bëri korrespondentja e BBC-së gjatë intervistës në Londër kur e pyeste: A keni qenë komunist, sekretar partie, zoti kryeministër? Dhe Berisha zemërplasur, fytyrë dalët boje i përsëriste tre herë të njëjtën përgjigje, jo, jo, jo, no, no, no..
Berisha dhe Nano në krye të dy partive rivale ishin dy degët e forta me të cilat Ramizi krijoi bigaçen e pluralizmit politik shqiptar. Tek grushti i Alisë bashkimi komunist i dy degëzimeve shtrëngohej fort si një trup i vetëm. Edhe kur Saliu ishte në kulmin e lumturisë presidenciale, kishte momentet e rrëzimit dëshpërues prej përmendjes në biografinë e tij të qënit sekretar komunist.
Mbasi filluan të qartësohen njerëzit filluan të flasin shumë në muajt dhe vitet e para pas 90-s mbi pardesytë e bardha që u shfaqën dhe uzurpuan lëvizjen demokratike. Berisha ishte një nga ata i cili i dërguar me detyrë partie ishte i detyruar që të zbatonte programin me skemat e koduara. Këto skema mbartnin mesazhet e drejtuesve të djeshëm të diktaturës Alia-Hoxha dhe eminencës gri, profesor Lazrit, që i merrte dhe përcillte sipas nevojave që diktonte Qendra sllavo bolshevike.
Midis kujtimeve të së kaluarës dhe shpresave të së ardhmes janë për tu zbatuar detyrat e kohës së tashme.
Të gjithë e kujtojnë momentin e mbledhjes në ditët e para të lëvizjes demokratike ku ndërhyrja denoncuese e Ramës ndaj Berishës për qëndrimin e mbajtur nga Berisha mbi figurën e Alisë u shoqërua me ndërhyrjen e Pashkos dhe largimin e Ramës nga mbledhja.
Këtu është arsyeja tjetër e madhe që jo vetëm Berisha është i obsesuar nga Rama por edhe Nano gjithashtu. Megjithëse tentojnë më kot që të përgojojnë Ramën me qënien fëmijë komunisti, shfryjnë mundueshëm, dalldisin  që nuk janë edhe vet në situatën e Ramës. Prandaj Berisha e shikon të afërt, të manipulueshëm, të nënkuptueshëm, fleksibël Fatos Nanon dhe si pasojë allishverishet nëpër vitet demokratike në kurriz të demokracisë nuk u kanë munguar.
Madje Berisha i plotësoi Nanos edhe kërkesën e punësimit të Rexhinës, ish gruas së tij, në ambasadën e një vendi kryesor perëndimor.  Pavarësisht se e papërgatitur Rexhina për detyrën e sekretares së ambasadës në Paris, e rëndësishme për Berishën është ruajtja e raporteve të dhënie marrjeve reciproke me kundërshtarin e tij Nanon. Berisha i zbrazi të gjitha bateritë kundër Nanos në publik, por në prapaskenë u mor vesh mirë me atë që do bënin rotacion pushteti

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›