E Diel, 1 Nëntor 2026

Strategjia e dilemës



Nga Sami Neza

Gjëja me të cilën politika duhej të kishte më pak lidhje është dilema. Veçanërisht dilema në ndeshje të forta siç janë zgjedhjet elektorale, ku kërkohet vendosmëri, vendim dhe kthjelltësi shumë larg ngjyrës gri që të ofron dilema.

Por tjetër gjë po ndodh këto ditë, ku Partia Socialiste ka veçuar strategjinë e dilemës si mekanizmin e të bërit politikë. E ka nisur me dilemën, si një mundësi ku fshihet pasiguria, ku fshihen defektet dhe mungesat që para dy muajsh kur hodhi për të parën herë idenë e bojkotimit të zgjedhjeve për shkak të kartave.

Të luash me dilemën në një fushatë elektorale është si të luash me një gardh përpara gjatë gjithë kohës. Kështu po bën Edi Rama. Ka deklaruar nëpërmjet zyrtarëve të rendit të tretë, që dy muaj përpara se ka ndërmend të tërhiqet nga zgjedhjet për problemin e kartave. Sa më afër datës së zgjedhjeve, rritet edhe niveli i zyrtarëve që deklarojnë dilemën e Ramës. Kështu, dy javë më parë e deklaroi sërish një zyrtar i ri, por që është në “vendet e qeshura” në listat e deputetëve. Ndërsa para një jave e tha sekretari i PS-së për zgjedhjet, për të vazhduar me një deklaratë të Ramës para katër ditësh, se PS mund të ndryshojë në mënyrë thelbësore qëndrimin e saj për zgjedhjet nëse kartat e identitetit nuk shpërndahen tek të gjithë qytetarët.

Gara është problemi, kartat janë preteksti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, rreth 800 mijë qytetarë në Shqipëri nuk janë të pajisur me pasaporta, një prej dy dokumenteve me të cilat mund të votohet në zgjedhjet e 28 qershorit. Prej tyre, vetëm 240 mijë nuk kanë aplikuar për këto karta identiteti. Shifra e personave pa karta deri në fund të javës së kaluar është më pak se përqindja e qytetarëve, të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje, duke supozuar se pjesëmarrja në zgjedhje në rastin më të mirë shkon në 60 për qind. Që të mbahet në këmbë argumenti i PS-së lidhur me karta e identitetit, i duhet të vërtetojë se të gjithë ata që nuk kanë marrë kartën, nuk e kanë kryer këtë veprim për të paktën një shkak që vjen prej administratës shtetërore, e cila mban përgjegjësinë e pajisjes me karta; ose nuk ka pasur qendër aplikimi të hapur, ose zyrtarët lokalë nuk e kanë pajisur me dokumente të nevojshme për aplikim, ose kapacitetet e qendrave të aplikimit nuk kanë përmbushur kërkesat për marrjen e kësaj karte, ose është veçuar politikisht në ndonjë farë mënyre, që në këtë moment nuk më vjen në mendje se si mund të ndodhë kjo.

Duke konsideruar secilën prej këtyre ankesave, i marrim një për një për të vlerësuar vërtetësinë e tyre; qendrat e aplikimit kanë shkuar në të gjitha komunat e vendit edhe atje ku ka vetëm 100 aplikantë, pavarësisht se kostoja e transportit të tyre do të ishte më e vogël se kostoja e ngritjes së një qendre aplikimi; nuk ka pasur asnjë rast që zyrtarët lokalë të hezitojnë pajisjen e qytetarëve me certifikata, qoftë këta zyrtarë që përfaqësojnë të majtën në bashkia e komuna, e qoftë ata që përfaqësojnë të djathtën; këto ditë nuk ka radhë në qendrat e aplikimit, as në Tiranë ku është edhe numri më i madh i personave që ende nuk kanë aplikuar; nuk ka pasur ndonjë ankesë serioze përveç disa trukeve mediatike në provinca, ku me vështirësi mund të shkohet për të verifikuar një mundësi të tillë.

Pra teknikalitetet, që shoqërojnë një fushatë dhe që janë të rëndësishme për cilësitë e zgjedhjeve, nuk inkurajojnë dilemën dhe duke mos inkurajuar dilemën aq më pak inkurajojnë rrjedhimet e kësaj dileme, ndryshimin e qëndrimit për zgjedhjet.

Duke e kthyer dilemën në strategji, Edi Rama kërkon dekurajimin e qytetarëve për të votuar, shpërdorimin e institucionit të votës dhe të zgjedhjeve. Po ashtu, nëpërmjet dilemës ai kërkon të vështirësojë edhe më shumë matjen e cilësisë së procesit zgjedhor dhe dihet se çfarëdo indikatori i dyshimtë në këtë proces rëndon kryesisht mbi qeverinë dhe mazhorancën. Strategjia jopolitike e Edi Ramës pikërisht se është jopolitike është edhe dinake, edhe obstruksioniste.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›