Artan Fuga; Shtatë arsye se përse e vlerësoj rrugën Durrës - Kukës
Artan Fuga
Duket se debati elektoral po mbërthehet tek modelet qeverisëse. E majta ofron modelin “Rama” për bashkinë si alternativë qeverisjeje të përgjithshme, ndërkohë e djathta këmbëngul në modelin “Berisha” të aplikuar gjatë këtij mandati qeverisës. A mendoni se ka realisht përplasje modelesh? Sa funksionale ju duket kjo lloj përballjeje? A mendoni se kjo lloj politike elektorale, disi ndryshe nga tradita, është e kuptueshme, por edhe e pranueshme nga elektorati?
E di që po diskutohet për “modelet” si edhe për disa koncepte të tjera që po hyjnë në media nga diskutime, të cilat duket sikur janë shumë erudite, por që në fakt nuk përfaqësojnë veçse terma informacionesh seminaresh universitare për ciklin e parë të studimeve. Duket sikur po transferohen nga mjediset e teksteve shkollore bazë ca koncepte të përcipta abstrakte dhe me to kërkohet të bëhet politikë. Është për të ardhur keq. Duket se ka individë që bien për herë të parë në kontakt me terma bazikë të shkencave humane dhe sociale dhe i kujtojnë pastaj naivisht si zbulime që kanë bërë apo si formula të gatshme për t’i aplikuar në Shqipëri. Është një psikologji shkollari. Por, nuk ka gjë, të gjithë kanë të drejtën e kohës, e fazës së pjekurisë.
Vështrimi profesional kërkon studime të mirëfillta në terren, botime, punë shkencore në grup, analiza empirike e statistike të detajuara, dhe jo opinione fluturake mbi artikuj në media pa njohur realitetin konkret të vendit. Duhen studime... Se po shoh që ka individë që sillen me vlerësimin shkencor sikur të ishin gjykatës apo prokurorë. Nuk argumentojnë, por shpallin verdikte.
Por, nuk do të futem në ato diskutime sepse nuk ia vlejnë fare as nga ana e debatit publik dhe as nga ajo e diskutimit shkollaresk. Për të mos thënë se shoh që shumë terma përdoren krejt gabim dhe jo me referencat e sakta.
Kthehemi te pyetjet tuaja.
Kemi dy nivele të ndryshme pushtetesh. Zoti Berisha drejton qeverisjen në planin shtetëror, kurse zoti Rama është në krye të një pushteti lokal qeverisjeje, pavarësisht se i kryeqytetit të vendit. Secili nga këto nivele pushteti ka specifikat e veta dhe nga kjo pikëpamje nuk mund të krahasohen aq lehtë, për të mos thënë pastaj se në shumë aspekte nuk ka vend fare për krahasime. Nuk mund të qeveriset Shqipëria sikurse qeveriset një bashki, sado e rëndësishme që mund të jetë kjo; po ashtu nuk mund të qeveriset një bashki apo komunë sikurse drejtohet pushteti ekzekutiv qendror. Vështirë të bëhen krahasimet.
Një gjë është e rëndësishme në këtë fushatë zgjedhore. Elektorati i gjerë ka mundësi t’i verifikojë kritikat dhe premtimet e opozitës në planin e filozofisë dhe praktikave qeverisëse sepse kjo e fundit është në shumicë qeverisëse në b
Bashkinë e Tiranës. Jo nga lloji i veprimtarive sepse ato janë shumë të ndryshme, por së paku nga mënyra e përballimit të problemeve.
Është një rast i mirë kësaj radhe për elektoratin, si për atë që voton majtas, ashtu edhe për atë që voton djathtas apo edhe për qytetarët që janë të lëkundur.
Gjithsesi, ka ndryshime në kontekstin qeverisës.
Kryetari i qeverisë vepron në kushtet kur e gjithë media, sidomos ajo opozitare, i drejton projektorët e vet mbi mënyrën e qeverisjes, mbi politikat që ndiqen, mbi mënyrën e ekzekutimit të vendimeve etj. Kurse qeverisja bashkiake, e Bashkisë së Tiranës apo e bashkive të tjera të vendit, është, së paku, ka qenë, relativisht shumë më larg vëmendjes së përditshme, të kritikave nga ana e mediave. Ne nuk kemi fare shtyp lokal, kemi shumë pak, me nivel shumë të dobët, kështu debatet për mënyrat e qeverisjes lokale i kemi pothuajse inekzistente ose ato ndodhen në periferi të vëmendjes së publikut dhe së paku të mediave.
Nga ana tjetër, qeverisja në rrafshin shtetëror ndodhet edhe para një debati ndoshta të përditshëm parlamentar, të cilin e ndjek me detaje media dhe ia paraqet hapur publikut të gjerë. Kurse nuk ndodh kështu me jetën në këshillat bashkiakë. Me siguri që edhe atje duhet të ketë debate, por ato nuk bëhen publike, nuk shfaqen para publikut. Tiranës i mungon një televizion lokal i fuqishëm dhe me cilësi të larta profesionale dhe qytetare ku të bëhet e detyrueshme që të transmetohen debatet e seancave të punimeve të këshillit bashkiak. Kjo do të ishte një hapje e vërtetë para qytetarit, do të kishim të bënim pikërisht me transparencën demokratike para qytetarit. Nuk gjenden këto debate. Nuk ndihet prania e kritikës dhe qëndrimi autokritik në qeverisjen lokale. Po kështu, unë gjithmonë kam dashur që debatet në këshillat bashkiakë të botohen diku. Si edhe vendimet.
Nga ana tjetër, le të mos harrojmë se kryetari i qeverisë është edhe shefi i mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë. Si i tillë ai është në “zjarrin” e kritikave të debateve në Parlament dhe është i detyruar t’i përballojë ato sipas mënyrës së tij. Nuk po jap vlerësime këtu. Po them se është i detyruar t’u nënshtrohet disa praktikave, të cilat pastaj, si projektligje kalojnë edhe nën filtrin e Presidentit, të Gjykatës Kushtetuese etj. Kurse, këto filtra nuk janë kur bëhet fjalë për procesin e prodhimit të normave nënligjore nga ana e pushteteve lokale.
Po kështu, qeverisja shtetërore përfshin edhe punën e ministrive të ndryshme, pra ka edhe një ndarje pune. Nga kjo pikëpamje kryetari i qeverisë ka mundësi më të mira që të delegojë ekzekutimin e detyrave me të cilat i ngarkon ministrat e tij. Kurse një kryetar bashkie është disi i detyruar që të implikohet vetë në çdo vendimmarrje a ekzekutim të saj. Kjo vjen edhe sepse shpërndarja e kompetencave në ato që quhen minibashki në Tiranë është në nivele të dobëta, që mund të rriteshin shumë.
Unë do të isha që minibashkitë të ktheheshin në bashki të vërteta dhe Tirana, sikurse të gjitha qytetet e mëdha evropiane, të ndahej katërcipërisht në zona ku administrimi të bëhej fare në mënyrë të pavarur nga njëra bashki te tjetra dhe me një pushtet të këshillit qarkut shumë më të fuqishëm sesa deri më tani. Vetëm kështu do të arrihej integrimi i hapësirave urbane me ato rurale.
Desha të vija në dukje edhe se një kryetar qeverie është i detyruar, nëse do të jetë i suksesshëm, që të veprojë duke bërë kompromise, duke mbajtur parasysh ndikimin e shumë faktorëve, që një kryetar bashkie nuk e ka të domosdoshme ta bëjë. Këtu do të merrja për shembull diplomacinë, marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë, me fuqitë botërore, me shtete fqinje, me diplomatët e akredituar në vend, etj. Shumë aspekte që qytetari ndofta nuk i kupton se përse ndodhin, vijnë edhe si rezultat edhe i ndikimeve të jashtme, herë pozitive, por herë edhe disi shtrënguese do të thosha, ndërsa në pushtetin lokal, me gjithë ndërlikueshmërinë e marrëdhënieve, ky aspekt nuk krijon probleme.
Kur flitet për metodat e qeverisjes mbajmë parasysh se perceptimi publik për to këtë vit apo dy a tri vitet e fundit është ndërlikuar disi. Ndonjëherë edhe media nuk e bën dallimin midis zotit Berisha si kryetar i qeverisë dhe zotit Berisha si shefi politik i mazhorancës parlamentare. Por, sado të lidhura të jenë këto, në fakt, kemi të bëjmë me dy funksione të ndryshme. Kurse zoti Rama, këto vitet e fundit, edhe ai ka një mbivendosje të identitetit të tij si kryetar bashkie i kryeqytetit dhe si kryetar i opozitës. Ky është një rast specifik, i cili edhe ai krijon amalgamë në mënyrat e perceptimit nga ana e shtypit dhe e opinionit publik. Ngatërrohen aktivitete të tija, ta zëmë mediatike, si kryetar i opozitës, me veprimtari të tija si kryetar bashkie.
Në rast se nuk do të kishte ndodhur kjo mbivendosje, e përkohshme sidoqoftë, ndofta do të kishim një kryetar bashkie më pak të pranishëm në mediat kombëtare, më pak politik e të politizuar, sikurse ndodh edhe me kryetarë bashkish të qyteteve të tjera të mëdha.
Rruga Durrës-Kukës është vënë sërish në qendër të debatit politik. Si e gjykoni qëndrimin e palëve politike, por edhe të mediave ndaj këtij investimi e zhvillimi? A i shikoni diversitete ose përplasje të qëndrimeve apo filozofive respektive politike lidhur me rëndësinë apo qëllimin e një vepre infrastrukturore si kjo?
Rruga për të cilën më pyesni, përbën pa dyshim një sukses.
Mezi po pres të përfundojë që ta shkel vetë me rrota për të parë se çfarë ndjesie jep asfalto-betoni i saj mbi rrota, si janë të mbyllura kthesat për të bërë të mundur ruajtjen e aksit të qëndresës së mjetit në lëvizjen centrifuge, si janë të mbrojtura parapetet e vendeve të kthesave të rrezikshme, si janë sinjalizimet, si valëzon shasia mbi “dallgët” e konstruksionit gjigand, e të tjera ndjesi që vetëm një shofer i pasionuar mund t’i ndjejë deri në palcë. Kam nevojë ta bëj krahasimin me këto ndjesi që merr shoferi në autostrada të tjera evropiane... Sepse ndryshe janë ndjesitë në autostradat gjermane, në ato franceze, në ato të vendeve të Lindjes, në Zvicër... Po le ta lemë një herë për një herë mënjanë këtë aspekt gati “intuitiv”.
Por, lidhur me rrugën si dukuri ekonomike do të ndalem pak më gjatë për arsye sepse kam nevojë ta them më gjerë mendimin tim, disi më ndryshme, nga sa thuhet.
Pa dyshim që rruga do të luajë një rol të madh në shkëmbimet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Nga kjo pikëpamje do të ketë dhe përmban një rol patriotik. Po, sikurse e tha zoti Berisha, është rrugë që i bashkon shqiptarët. Por, jo ashtu sikurse e interpreton ndokush duke thënë se kemi të bëjmë me një nacionalizëm. Nuk thotë kush se ajo rrugë bashkon dy shtete në një të vetëm. Tjetër është të flasësh për integrim të hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore dhe krejt tjetër është problemi politik. Eh, po ja, ka individë që me qëllim ose pa qëllim nuk arrijnë t’i bëjnë këto dallime dhe jo vetëm ngatërrojnë veten e tyre, por bëjnë konfuz edhe lexuesit.
Por, këtu nuk dua të ndalem te kjo ana patriotike. Nuk më intereson në pikëpamje të analizës që dua të bëj. Dikush thotë se është më shumë një ndërtim, një konstruksion asfalto-betoni dhe jo një politikë.
Çfarë nuk po na dëgjojnë veshët në këto kohëra fushatash elektorale!
A thua se politika nuk ndërton! A thua se kemi të bëjmë me një vendim arkitektësh dhe konstruktorësh! Si nuk qenka një vendim politik ndërtimi i asaj rruge? Është pa dyshim një politikë menaxhimi territorial, një politikë qarkullimi, një politikë financiare, gjeopolitikë. Mund të jesh ose jo dakord me këtë politikë, por nuk ke se si mohon se kemi të bëjmë me një politikë të mirëfilltë.
Pardje lexoja dikë i cili thoshte se shqiptarët e Kosovës nuk kanë nevojë për atë rrugë, meqë, sipas tij, ata e zbuluan Shqipërinë qysh në 1999, kur morën rrugët, arat dhe malet për të ardhur te ne duke dashur t’i mbrohen represionit serb! Ka kuptim të thuhet kjo? Tjetër eksodi në kohë lufte dhe tjetër infrastruktura që lehtëson komunikimin ekonomik dhe social midis njerëzve.
Dikush tjetër mendon se nuk duheshin katër korsi, porse mjaftonin vetëm dy të tilla! Dhe vazhdonte se më vonë mund të shtoheshin dy korsitë e tjera trasesë fillimisht të bitisur vetëm me dy korsi. Unë nuk jam inxhinier rrugësh, por edhe një naiv e di se sa e vështirë dhe shpenzime sjell që një rrugë me dy korsi, ta zëmë pas dhjetë vjetësh, t’i shtosh edhe dy korsi të tjera. Sidomos në këto zona malore, shkëmbore, ku tuneli hapet një herë e mirë dhe me një gjerësi të caktuar.
Të them të drejtën nuk e kuptoj dot këtë mllef kundër kësaj vepre madhore kombëtare. Se ja po e përsëris, shpesh nuk është se kritikohen anë financiare a ku e di unë se çfarë tjetër që ia vlen ta analizojnë specialistët, por vetë rruga si e tillë.
Është mllefi me rrugën si të tillë.
Përtej patriotizmit dhe antipatriotizmit, kjo rrugë mua më intereson si model zhvillimi. Cilat janë arsyet?
Së pari, politikat buxhetore kanë nevojë të kenë prioritete.
Për herë të parë shoh një prioritet të vërtetë. Sepse kur buxheti apo politikat financiare shpërndahen në njëqind fusha, ku mund të flitet këtu më për prioritete? Kam qenë kundër thërrmimit të skajshëm të mjeteve financiare të kombit sikurse ka ndodhur për vite të tëra. Më duket se në këtë pikë, pra te kjo rrugë, por edhe te projekti për ndërtimin e hidrocentraleve, te parqet energjitike, shoh një përqendrim të energjive financiare të shtetit në pikat nevralgjike zhvillimi. Mua më duket e udhës që kështu të veprohet gjithandej. Me pesë lekë më mirë të ndërtosh diçka të qëndrueshme sesa të bësh pesë gjëra për një lek.
Së dyti, shoh një vendosje të drejtë të shtetit në politikat e zhvillimit.
Shteti, fuqia publike ka vend të merret me projektet madhore të kombit, ato që krijojnë perspektiva për të ardhmen, ato që hapin lidhje funksionale për qindra dhe mijëra aktivitete të tjera, sesa të merren me vreshtat, rrushtë apo me vogëlsira të tjera të rëndësishme, të cilat duhet të përballen nga individët, kolektivat, ndërmarrjet private. Politika për investime në rrugë, në hekurudhë, në parqe energjitike, në hidrocentrale etj., më duket racionale. Nuk është punë patriotizmi fare këtu.
Së treti, nëse duhet evoluar e përmirësuar ai që e quajnë modeli ekonomik i zhvillimit tonë, kjo nuk bëhet me anë të politikave voluntariste, shtrënguese dhe utopike. Duhet ndryshuar konteksti makroekonomik i jetës kombëtare në mënyrë që pastaj të ndryshojë edhe veprimtaria në planin mikrosocial.
Jam i bindur se ajo rrugë do t’i ndryshojë të gjitha strategjitë ekonomike të agjentëve individualë ekonomikë apo të ndërmarrjeve private.
Së katërti, fuqia publike merr përsipër shpenzime, të cilat ndërmarrja private dhe iniciativa personale nuk i përballojnë dot, por ama përfitojnë prej tyre.
Kështu krijohet ai që quhet cikël zhvillimi. Nga rritja e veprimtarive ekonomike private shtohen nëpërmjet taksave apo politikave të punësimit edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit. Ka shumë që kritikojnë çmimin e lartë të kostove për ndërtimin e rrugës. Por, askush nuk merr mundimin të përllogarisë fitimet ekonomike e jashtëzakonshme që do të nxirren që andej. Vetëm rritja e vlerës së tokave, përshpejtimi i lidhjeve me tregun, qarkullimi i vlerave materiale duke krijuar akse kontinentale etj.
Po të marr një shembull tjetër do të thosha që mjafton një financim i madh publik për mbledhjen dhe qarkullimin e ujërave të zeza dhe të bardha në zonën bregdetare Durrës - Vlorë dhe do të shihni se me një herë do të kishim krijimin e kushteve për një hapësirë gjigande turizmi, e cila sot ende është e fjetur. Vlera e investimeve të bëra deri tani aty do të rritej disa fish. Kjo duhet bërë. Sikurse duhet bërë me hekurudhat shqiptare etj.
Së pesti, praktika për të tërhequr teknologjitë më të mira e sipërmarrësit më të njohur ndërkombëtarë në kryerjen e investimeve në vend.
Së gjashti, politika për investime madhore të ngurtësuara në politika të fuqishme kombëtare kur edhe para dy a tri vitesh bota po fundosej në llumin e spekulimeve financiare, që sollën sot krizën financiare dhe ekonomike që përjetojmë.
Së shtati, kemi të bëjmë me investime që nuk sjellin krizë ekonomike as nuk na bëjmë ta izolojmë tregun tonë nga ai evropian dhe global.
Përkundrazi, sjellin hapje. Kjo duhet të mbetet një përmasë e rëndësishme e investimeve tona prodhuese. Se ja, për shembull, unë mund të dua të prodhoj automobila, por për ta bërë këtë do të matem mirë sepse më konkurron e gjithë bota, tregu shqiptar është i vogël, kurse aftësitë e mia tregtuese në tregun global janë fare të papërfillshme. Kështu, nga dëshira e mirë, mund të dua të prodhoj, por brenda një kohe të shkurtër futem në një krizë të paparë, duke riprodhuar gjendjen prej impasi që kishim në vitet ’70 dhe ’80.
E kuptoj logjikën e fushatës elektorale që nxin gjithçka. E kuptoj se kudo ka vend për kritika. Por, megjithatë, kur një gjë që ka vlerë, mbi të nuk ka përse të hedhim gurë... Ka vend të gëzohemi...