E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol C4 me celular shtëpisë së nr 2 të policisë së Tiranës

09/12/2011  Kamera përballë derës filmoi atë që vuri 400 g tritol. Shoqërohen 20. Atentat për detyrën

TIRANË- Të paktën 400 gramë tritol C4, i telekomanduar me celular ka shpërthyer 3 orë pas mesnatës të së mërkurës në derën e shtëpisë së numrit 2 të policisë së Tiranës Dorian Muça, duke shkaktuar panik te banorët e pallatit, por pa lënë asnjë të lënduar. Eksperti Muça kishte vendosur një kamerë sigurie përballë hyrjes së apartamentit të tij e kësisoj kolegët e tij përfituan pamje të qarta të personit që vuri tritolin, duke vizatuar edhe një identikit të tij. Momentalisht numri i të shoqëruarve e ka kaluar shifrën 20, ndonëse ende nuk ka autor. Pista kryesore mbetet ajo e atentatit për shkak të detyrës, ndonjë presion për një nga qindra dosjet që Muça ka ndjekur në karrierën e gjatë si oficer krimesh. Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se rreth orës 02.40, të të enjtes, në kryqëzimin e rrugëve “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku’ në Tiranë, në katin e shtatë, strukturat e policisë morën njoftim se është vendosur një sasi eksplozivi, në derën e banesës së Zv/Drejtorit të Policisë Qarkut Tiranë, Dorian Muça.

Hetimet

Apartamenti ndodhet përballë shkollës “Naim Frashëri”. Në momentin e shpërthimit Muça ka qenë në banesë bashkë me familjen e tij. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por ka pasur vetëm dëme materiale, ku janë dëmtuar dyer dhe dritare. Dëmtime ka pasur dhe në banesën përballë asaj të zyrtarit të policisë. Mendohet se autori ka lënë prova për t’u bërë i mundur identifikimi i tij. Mbi 20 persona, kontingjentë kriminalë janë shoqëruar në polici, si persona të dyshuar që mund të kenë vënë eksplozivin. Ndërkohë që po punohet për zbardhjen e pamjeve të filmuara nga kamera e sigurisë, e cila ishte instaluar në hyrje të pallatit. Hetimet kanë nisur nga komisariati nr 2, 3 dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Pista kryesore e hetimit është ajo për shkak të detyrës si nëndrejtor për hetimin dhe parandalimin e krimit në policinë e Tiranës. Strukturat më të larta të policisë së kryeqytetit ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur autorët e këtij shpërthimi. Rreth orës 09: 20 minuta në banesën e Dorian Muçës ka mbërritur vetë zv/prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme i Krimeve të Rënda, Kosta Beluri. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, thirri në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj dhe nëndrejtorët e Krimeve të Rënda në policinë e shtetit. Takimi ka nisur rreth orës 12.30 minuta dhe u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ekspertë më të mirë xhenierë, të luftës kundër Akteve Terroriste, Specialistë të hetimit të krimit, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, aktualisht po kryejnë veprimet hetimore dhe procedurale. Ndërkaq edhe vetë Dorian Muça ka dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen, si ka ndodhur shpërthimi dhe dyshimet se kush mund të kenë qenë autorët e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›