Tritol banesës së shefit të Krimeve
BERAT/ DILAVER XHELILI
Tritol banesës së shefit të Krimeve në Policinë e Beratit. Persona ende të paidentifikuar vendosën sasinë e lëndës eksplozive mbi tarracën e shtëpisë së punonjësit të Policisë së Shtetit, Përparim Dyrma.Ndonëse shpërthimi ishte i fuqishëm, për fat të mirë, Dyrma, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij nuk pësuan lëndime.
NGJARJA
Ngjarja që ngriti në këmbë policinë e Beratit ndodhi rreth orës 24:30 të së shtunës, në lagjen Uznovë. Lënda plasëse dyshohet se është hedhur nga një distancë disi e largët, pasi banesa e shefit të Krimeve është e rrethuar me mur të lartë. Sipas ekspertëve të Policisë Kriminale, sasia e tritolit që rezultoi të ketë qenë rreth 200 gramë është hedhur nga jashtë murit. Autorët dyshohet se i kishin vënë fitil të gjatë, për t'iu dhënë atyre mundësinë të largohen derisa të realizohej shpërthimi. Por nuk përjashtohet as pista që keqbërësit të kenë arritur të depërtojnë murin dhe, pasi kanë vënë tritolin në tarracë të jenë larguar. Ngjarja terrorizoi familjen e shefit të Krimeve. Sipas burimeve të policisë, lënda plasëse ishte vendosur mbi dhomën ku Dyrma flinte. Kreu i policisë së Beratit, Benard Çaushi konfirmoi se me këtë ngjarje po merret një grup i posaçëm me specialistë të departamentit të Krimeve të Rënda. Sipas tij, nuk dihen shkaqet e shpërthimit, por paraprakisht, pista në të cilën po hetohet është hakmarrja e mundshme për shkak të detyrës. Dyrma mësohet se ka mohuar tek kolegët e tij të ketë pasur konflikte personale. Dyshohet se autorët kanë patur qëllim të paralajmërojnë dhe kërcënojnë atë, pasi sasia e tritolit nuk ishte e madhe dhe dëmet e shpërthimit do të ishin vetëm materiale. Sipas banorëve që jetojnë afër shtëpisë së Dyrmës, shpërthimi ishte shumë i fortë. Policia mori masa të menjëhershme, duke bllokuar të gjitha rrugët e qytetit. Pas ngjarjes blutë shoqëruan 10 persona, të cilët u morën në pyetje dhe më pas u lanë të lirë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se po hetohet pista e hakmarrjes për shkak të detyrës. Nuk përjashtohet as pista e ndonjë konflikti të mundshëm të djalit të tij student, ndonëse burimet pohuan se ai nuk njihet si problematik.
Rrëfimi
Pas shpërthimit të tritolit, dje shefi i Krimeve të Beratit rrëfeu ngjarjen. Sipas tij, i vetmi dyshim ka të bëjë me ndonjë atentat për shkak të detyrës.
Z. Dyrma, si ndodhi ngjarja?
Ashtu sikurse çdo ditë, edhe sot (dje) isha në punë gjatë gjithë ditës. U ktheva si zakonisht nga puna, rreth orës 22:30. Pasi qëndrova disa momente me familjen time dhe ndoqa edhe televizionin, u shtriva për të fjetur. Shpërthimi ndodhi rreth orës 24:30, kur unë dhe familja ime ishim në gjumë.
Pasi ndodhi shpërthimi, ju a keni ndonjë ide për motivin?
Ajo që unë them me bindje të plotë është fakti se nuk kam asnjë konflikt personal, as konflikte pronësie. As unë dhe as fëmijët e mi nuk kemi probleme. Këtë fakt e kam pohuar edhe te kolegët e mi, të cilët do të merren me hetimin e kësaj ngjarje.
Fëmijët tuaj janë madhorë kur thoni se ata nuk kanë konflikte me njeri?
Po, djali im është student në universitetin e Vlorës, ndërsa vajza është maturante në gjimnazin e Beratit. Por asnjëri prej tyre nuk më ka sjellë probleme apo të ketë konflikt me ndokënd.
Djali është ndodhur në banesë në momentin e shpërthimit?
Po, kishte ardhur nga Vlora dhe ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi, por e theksoj se ai nuk ka konflikt me njeri.
Atëherë, ju si specialist në sektorin e kriminalistikës, a keni një dyshim se kush janë autorët e vënies së tritolit në banesën tuaj?
Unë nuk jam pjesë e grupit që po merret me hetimin e ngjarjes, por e theksova më lart që nuk kam asnjë konflikt personal. I vetmi dyshim imi dhe them që do të jetë pista kryesore e hetimit, është se ngjarja ka motiv detyrën time si shef i Krimeve në Berat. Normalisht që puna jonë e përhershme është e lidhur vetëm me kontingjentet kriminalë.
Ju keni hetuar ndonjë dosje të vjetër kohët e fundit, pra të '97-ës që mund të ketë lidhje me këtë ngjarje?
Unë jam marrë me krime të ndryshme dhe nuk do të veçoja. Sigurisht që kam investiguar edhe për dosjet e vjetra. Megjithatë, kjo që thoni ju mbetet për t'u hetuar.
Si është gjendja e familjarëve tuaj?
Po, jemi duke marrë veten. Na kanë ardhur të afërmit, por edhe kolegët e mi që na kanë qëndruar afër. Fëmijët e kanë marrë veten pas tmerrit që kaluan.
Kjo ngjarje ju kërcënoi jetën. Do të vijoni sërish të punoni në Policinë e Shtetit?
Unë kam marrë mbështetjen e gjithë kolegëve të mi. Do vijoj të punoj sigurisht. Ky shpërthim nuk mund ta zbehë aspak punën time në strukturat e Policisë së Shtetit.
Dyrma, "hero" në tragjedinë e Lapardhasë
Shefi i Krimeve të Beratit, Përparim Dyrma, është personi që la të shtangur gjithë ekipin e shpëtimit kur shpërtheu në fshatin Lapardha një pikë e tregtimit të gazit. Ai guxoi të merrte timonin e autobotit që ishte ende në flakë dhe ta shpinte larg zonës së banuar, për të shpëtuar jetën e qindra banorëve që ishin afër saj. Nga kjo ngjarje që ndodhi më 29 shtator të vitit të kaluar, gjeti vdekjen 37-vjeçari Beqar Cani dhe vajza e tij nëntëvjeçare, Artemisa Cani.