Pronat, 600 familje në protestë
KURBIN- Mbivendosja e pronave, mungesa e infrastrukturës rrugore dhe ujësjellësit, si dhe amortizimi i shkollës, ishin ndër shkaqet që 600 familje të fshatit Zhejë në Kurbin të ngriheshin dje në protestë. Ata paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për zgjidhjen e këtyre problemeve, rreth 1200 votues do të braktisin zgjedhjet e 28 qershorit. Banorët e fshatit u mblodhën rreth orës 14:00 në oborrin e shkollës 9-vjeçare të fshatit. Gjon Pitoli, një nga banorët e fshatit, u shpreh se në shkollën ku mësojnë fëmijët e tyre mungojnë kushtet më minimale, ndërsa godina, e cila ka qenë një kazermë ushtrie është gati në shembje. "Fëmijëve tanë iu rrezikohet jeta", u shpreh ai. Gjithashtu banorët e Zhejës kërkojnë të vihet dorë në infrastrukturën rrugore. Një tjetër problem që u evidentua në protestën e djeshme është edhe mungesa e ujit të pijshëm. Për shkak të amortizimit, ujësjellësi i ndërtuar që në vitin 1960 nuk furnizon më gjithë fshatin. Por problemi që irriton më shumë 600 familjet e Zhejës është pronësia. Sipas tyre, pronat e tyre, për të cilat disponojnë edhe tapitë, ua kanë grabitur banorët e fshatrave Gjormë dhe Mamurras, duke marrë tapi mbi tapi. Ata kërkojnë nga prokuroria të nisë hetimet për falsifikimin e pronave të tyre. Të njëjtën gjë kërkoi edhe kryetari i bashkisë së Mamurrasit, Dedë Ndreca. Sipas tij, i përket prokurorisë që të ndërhyjë dhe të konstatojë nëse ka raste të mbivendosjes së pronave. r.n