E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqiptarët e dënuar do kthehen nga burgjet Italiane”

 

Alibeaj kthen në atdhe të dënuarit shqiptarë në Itali. Gjatë një vizite që ka zhvilluar në Itali më datë 5 mars, Ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, ka marrë garanci nga homologu italian, Agelino Alfano, për ekzekutimin e shpejtë të marrëveshjes së transferimit me Italinë. Me anë të një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë pohoi dje se biseda mes dy homologëve është përqendruar në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë, si dhe u shoqërua me shprehjen e angazhimit dypalësh për transferimin sa më të shpejtë të të dënuarve shqiptarë, që vuajnë dënimin e tyre në Itali dhe ekstradimin e subjekteve kriminale në kërkim nga shteti italian. "Shqipëria nuk do të jetë më vendi ku strehohen persona kriminalë. Persona të çdo lloj nacionaliteti nuk do të mund të gjejnë në Shqipëri parajsën për të thyer ligjin", mësohet të ketë deklaruar Alibeaj, i cili më tej ka pohuar se institucioni që ai drejton po punon dhe po jep produkte konkrete në lidhje me procesin e transferimit të të dënuarve. Duke folur me shifra konkrete, Alibeaj ka pohuar në Itali se një numër i konsideruar, mbi 50 raste të shqiptarëve që vuajnë dënimin në Itali kanë njohur fillimin e procedimit të ekzekutimit. "Ka kaluar faza e njohjes së vendimit dhe jemi thjesht, dhe vetëm në fazën e ekzekutimit të tyre. Kjo sepse tashmë në Shqipëri ekziston mundësia, me ndërtimin e burgjeve të reja, që të mund të operojmë me transferimin e tyre nga Italia", ka pohuar Ministri i Drejtësisë, duke vazhduar se: "thuajse të gjitha kërkesat e bëra nga shteti italian janë në fazën e zbatimit, vazhdojnë procedurat gjyqësore të njohjes së këtyre vendimeve, proces që po monitorohet nga Ministria e Drejtësisë, dhe që me kënaqësi po konstatojmë se pjesa më e madhe e vendimeve po ekzekutohen". Ndërkohë bëhet e ditur se në takim ministri italian Alfano është shprehur i gatshëm për ngritjen e një grupi pune mes dy institucioneve që të mundësonte shkurtimin e procedurave të transferimit të të dënuarve shqiptarë në Itali, propozim ky, i mirëpritur nga Alibeaj. Gjatë takimit, Alfano është shprehur optimist për rezultatet pozitive në bashkëpunimin dypalësh, të cilat sipas tij, do të rriten edhe me ratifikimi në një kohë sa më të afërt nga ana e Parlamentit Italian i "Marrëveshjes Shtesë të Konventës Evropiane të Ekstradimit dhe Konventës Evropiane, për ndihmë të ndërsjelltë gjyqësore në fushën penale, që synon të lehtësojë zbatimin e tyre", miratuar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo, përsa i përket ekzekutimit të vendimeve penale të Gjykatës Italiane dhënë ndaj këtyre të dënuarve.                                 f.m.

230 shqiptare
të shpallur në kërkim nga autoritetet ligjore italiane, me vendim dënimi të formës së prerë apo me masa sigurie të lëshuara në mungesë, mendohet se fshihen në vendlindje.

50 te denuar
shqiptarë që ndodhen në burgjet italiane janë në fazën e kryerjes së proceduarve të njohjes së dënimeve
nga drejtësia italiane. Këta pritet të transferohen në burgjet shqiptare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›